ÇËSHTJA
Ndërkohë, burime nga procesi pohojnë se kompania telefonike e paditur menjëherë sapo ka mësuar se, dy prej punonjësve të saj ishin përfshirë në skandalin nxjerrjes së sekretit, ka vendosur ndaj tyre masën administrative të pushimit nga puna. Mësohet se e fejuara e biznesmenit kishte njohje me dy punonjëset dhe duke shfrytëzuar këtë fakt, ajo u ka kërkuar atyre t\'i vënë në dispozicion tabulatet telefonike së të fejuarit të vet, i cili siç duket e mohonte kontaktin me vajzën tjetër. Sapo ka shtënë në dorë të dhënat ajo ka parë aty se ai kontaktonte shpeshherë me vajzën tjetër, me të cilën kishte shkëmbyer mesazhe dhe kishte zhvilluar biseda të gjata. Pas kësaj e fejuara është konfliktuar me të fejuarin, çka më pas ka sjellë edhe ndarjen e tyre.
SEKRETI
Në kërkesëpadi, biznesmeni pohon se nxjerrja e sekretit është bërë shkak për prishjen e familjes së tij, çka i ka sjellë veç të tjerash dëm ekonomik, shëndetësor etj., ndërsa dëmshpërblimi për këtë është shuma prej gjysmë miliardi lekësh të vjetra. Edhe pse është dorëzuar në gjykatë prej disa muajsh, padia ende nuk ka nisur të shqyrtohet, pasi shkak për këtë është bërë mosformimi i trupit gjykues dhe mungesa e sekretares gjyqësore. Seanca e radhës e kësaj çështjeje pritet të zhvillohet në fillim të muajit tetor, kur është përcaktuar që pala paditëse, biznesmeni dhe avokatët e tij mbrojtës, të paraqesin para trupit gjykues parashtrimet hyrëse dhe provat. Ndërsa pala e paditur mësohet se e ka kundërshtuar zgjidhjen e çështjes me kompromis, në formën e kërkuar nga paditësi. Juristët përfaqësues të kompanisë celulare kanë refuzuar të pranojnë dëmshpërblimin e paditësit me 500 milionë lekë të vjetra, në këmbim të ndërprerjes së procesit. Për këtë shkak padia ka kaluar më pas në seancë gjyqësore dhe po shqyrtohet aktualisht.
Gazeta: Panorama