Tashmë edhe rinia shqiptare e ka pikasur këtë mënyrë të re flirtimi online, aq sa kjo është kthyer në një mani për shumë prej tyre. Olsi është rreth 20 vjeç dhe navigimi në sajtet sociale, si “hi5”, “myspace” apo “facebook” është kthyer në kryefjalën e mbrëmjeve të vona deri në orët e para të mëngjesit. “E kam gati të pamundur që të mos klikoj tek këto sajte, që janë më të preferuarit jo vetëm për mua, por edhe shumë miq të mi. Mendoj se të qenit pjesë e këtyre sajteve është mënyra më e mirë për të pasur sa më shumë miq, të njohësh ndonjë vajzë interesante, që nëse është nga Tirana, pse jo, të lë edhe takime. Madje mund të them që disa shokë të mi kanë krijuar lidhje dashurore me jo pak vajza”, thotë ai.
Nuk është çudi që tek sajti i “facebook.com” të gjesh edhe fotot e idhujve të tu, që mund të jenë personazhe të njohur VIP, modele, aktorë e këngëtarë të preferuar. Bubulina Krasniqi, këngëtarja e njohur kosovare, Eliza Dushku, Afërdita Dreshaj etj., janë dhe shumë emra të tjerë që i shtohen listës së protagonistëve tek “facebook”, mjafton që të vendosësh emrin e tyre tek seksioni “Search”. Një foto e zgjedhur ose dhe një album i plotë ku janë fokusuar momente nga më të çmendurat, e shtojnë edhe më dozën e interesit të të rinjve shqiptarë. E për hir të së vërtetës, shumica e meshkujve tregojnë se janë të etur të krijojnë kontakte, sidomos me ato femra që në sajt kanë shkarkuar fotot e tyre më “hot”.
Sociologu i njohur Lekë Sokoli i jep nota pozitivizmi këtij fenomeni që ka prekur vrullshëm shoqërinë shqiptare, duke lënë të kuptohet se është një formë e gjetur për të kaluar kohën. “Përmes lundrimit në këto sajte, mendoj se rinia kërkon që të shfrytëzojë mundësitë e reja të komunikimit që janë sot, sepse në kohën tonë as që mund të imagjinohej diçka e tillë. Si një studiues i një seri fenomenesh sociale, unë mendoj se kjo është pozitive deri në momentin që nuk kalon në një mani. Sepse e di që tek pjesa dërrmuese e të rinjve kjo është kthyer në një nevojë të qenësishme, që i detyron ata të lënë pas dore gjëra të tjera edhe më edukative. Navigimi nëpër sajte interesante mendoj se është më së miri një ndërthurje e dhuntive të shumë të rinjve me mundësitë që u ofron teknologjia e përparuar sot”, shpjegon Sokoli.
Po si çdo fenomen tjetër që ka dy anët e medaljes, edhe të klikuarit tek “hi5”, “facebook” apo “myspace” nuk janë gjithmonë një hap i sigurt, sepse një numër i madh të rinjsh zgjedhin që të abuzojnë me forma nga më të ndryshmet, duke vendosur foto të tjera, duke përdorur një fjalor aspak të zgjedhur që shkon deri në banalitet. Këto aspekte janë një metodë deri dikur frenuese, që të bën të mendohesh gjatë përpara se t’i japësh “Enter” komandës që të lejon të bëhesh pjesë e “hi5” apo “facebook”.
Anida është një studente shqiptare në një universitet të famshëm të Romës. Ajo zgjedh pikërisht këtë metodë për të zgjeruar rrethin miqësor, sidomos me bashkatdhetarë të tjerë nga e gjithë bota. “Më vjen mirë që ekzistojnë këto tip forumesh, që na lejojnë të krijojmë sa më shumë miqësi. “Hi5” është sajti im i preferuar dhe aty kam zënë plot shokë e shoqe. Madje mund të pohoj që një mike imja është lidhur me një djalë që e njohu përmes “hi5” dhe ata vazhdojnë të jenë ende të dashuruar”. Duket se dëshira për të pasur sa më tepër miq virtualë, i shtyn edhe mijëra të rinj shqiptarë që për orë të tëra të ngulen para kompjuterit nëpër sajtet e preferuara “facebook”, “hi5” apo “myspace.com”.
Ermira Isufaj : Gazeta Korrieri