Duke iu referuar gjykatës së Tiranës ne kemi arritur të nxjerrim disa të dhëna. Këtë vit janë paraqitur 5 kërkesa për divorce nga ato që njërin prej partnerëve e kanë të huaj. Ajo që të bie në sy është se martesa më e gjatë rezulton ajo midis B.N., nga Tropoja i datëlindjes 1952 dhe shtetases angleze E.B., e datëlindjes 1963, e cila, gjithsesi, ka zgjatur 5 vite! Ndërsa, ajo më shkurtra rezulton e një shtetase britanike e martuar me një përmetar. Sipas kopjeve të vendimeve, me përjashtim të njërit prej tyre, në të cilin thuhet shprehimisht se martesa është bërë për efekt dokumentesh, çiftet e tjerë pretendojnë në deklarime se muajt e parë çdo gjë ka shkuar mirë po më pas… mjalti ka mbaruar!
Në shkaqet e çuarjes në dyert e gjykatës radhiten: Mungesa e tolerancës, respektit reciprok, mospërputhje karakteresh, mosambientimi dhe mospërshtatja me realitetin shqiptar. Këto arsye e kanë bërë të pamundur bashkëjetesën në çift, sipas deklarimeve.
Megjithatë, mjafton të lexosh pak në historinë dhe rrethanat e martesave që të kuptosh që këto martesa kanë qenë për efekt dokumentacioni. Disa kanë bashkëjetuar shumë pak. Nga këto 5 çështje, për të cilat kemi vendimet gjyqësore, asnjëra prej tyre nuk është zgjidhur me pajtim dhe po ashtu asnjeri prej çifteve nuk ka pasur fëmijë.
Shtetasit, me të cilët janë lidhur më shumë djemtë “e dashuruar” nga Shqipëria, janë kanadezet, gjermanet, britaniket vende këto ku vështirësia e marrjes së një leje qëndrimi është më e lartë. Por, këto vendime nuk janë të parat, për të cilët gjykata e kryeqytetit ka vendosur vulën e divorcit të çifteve me një partner të huaj.
Sipas statistikave në arkivin e këtij organi janë të paktën 30 çifte me fabul të tillë që ndahen çdo vit.
Të tjera raste nga viti i kaluar publikohen në vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit. Në momentin që sigurohen dokumentacionet për lejeqëndrim, në Shqipëri dhe në vendin ku jeton çifti, kryhen procedurat e divorcit. Procedurat janë të thjeshta dhe janë çështje që nuk zgjasin shumë, maksimumi me dy seanca mbyllet i gjithë procesi. Divorci është në marrëveshje të dy palëve dhe çiftet zakonisht nuk kanë fëmijë dhe pasuri për të ndarë.
Dy nga shtetet më të “infektuara” janë Anglia dhe Gjermania. Aktualisht në Britaninë e Madhe ndodhen rreth 120 mijë emigrantë shqipfolës. Pjesa më e madhe janë nga Shqipëria, më pas Kosova dhe Maqedonia. Nga ky numër vërtet i lartë, rreth 20 mijë prej tyre jetojnë në Londër. Por të kesh një palë dokumenta britanike është shumë e vështirë. Shumica kanë aplikuar për vizë afatgjatë dhe lejeqëndrimi, por për shkak të procedurave tepër strikte dhe me shumë peripeci, në Britani ka një ligj të rreptë për dhënien e lejeqëndrimeve dhe shtetësisë. Në fillim merret një vizë 2-vjeçare, më pas kalon në një lejeqëndrim të përhershëm dhe në fazën e tretë vjen shtetësia. Gjithsesi shumë emigrantë pasi kanë aplikuar, u është mohuar viza në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por kjo nuk do të thotë se ata i kanë humbur shpresat. Për të zgjatur më shumë procedurat, rëndom emigrantët e dërgojnë çështjen e tyre në Apel. Gjatë kësaj kohe ligji i mbron duke u garantuar qëndrimin në vend, deri në marrjen e verdiktit të formës së prerë. Dhe për të shmangur peripeci të kësaj natyre, kërkohen të tjera forma për të mbijetuar.
E para është Anglia
Ligji anglez e ka të përcaktuar se një person përfiton vizë afatgjatë ose shtetësinë nëse martohet me një shtetas ose shtetase britanike. Këtë “fat” e kanë pasur edhe një pjesë e vajzave të vendeve të lindjes, kryesisht polake. Tashmë ligjërisht angleze, ato janë të gatshme që kundrejt një pagese që shkon 5-6 mijë paund, të futen në procedurat e një “martese” sa për letra me shqiptarët. Por kjo industri fitimprurëse që i detyron shqiptarët jo vetëm të martohen zyrtarisht por edhe të japin shuma të mëdha nga xhepi i tyre, është nuhatur edhe nga shtetaset angleze. Ndërsa lindoret e kanë tarifën më të ulët, anglezet kërkojnë deri në 10 mijë paund për t’i hyrë kësaj aventure që atyre nuk është se u kushton shumë. Për të përfituar dokumentacionet nuk mjafton vetëm martesa në Angli, pasi kjo kërkon edhe të tjera andralla. Çifti duhet të vijë në Shqipëri dhe të celebrohet. Dosja, që të plotësohet kërkon edhe disa foto që tregojnë një ceremoni martesore, plus edhe një dëshmi në zyrat e gjendjes civile se çifti i lumtur është martuar.
Kur sigurohen këto dokumentacione, nëpërmjet ambasadës dërgohen për shqyrtim dhe zakonisht nuk kthehen pas, pasi çifti i ri figuron në dokumenta si i martuar.
Të zgjedhësh rrugën e duhur!
Tre nga mënyrat për të fituar një leje qëndrimi të tillë janë: Të aplikosh dhe fitosh këtë status në bazë të vendimeve lokale; të vërtetosh se jeta të rrezikohej seriozisht në vendin ku jetoje dhe rasti i tretë, që të martohesh me një shtetas ose shtetase angleze. Shumë shqiptare kanë zgjedhur mënyrën e tretë. Metoda e martesës është një nga më të përhapurat që çon në mundësinë për të qenë i rregullt me letra. Është kthyer në një industri fitimprurëse ku ata që paguajnë janë emigrantët. Të cilët, gjithsesi, fitojnë shumë më tepër: Një jetë të re.