Edmond Budina rrëfen kujtimet e tij, pas 24 vjet emigrimi në Itali. Tashmë ai nuk punon më në fabrikën e kaldajave me gaz, në Bassano del Grappa-s. Në duar ka projekte të tjera për teatrin dhe filmin. Ndër to nuk përjashtohet as mundësia që të jetojë në Tiranë. Në një intervistë për “Shekullin” ai tregon kujtimet e tij kur jetonte në Shqipëri, njohjen me bashkëshorten Sonjën, mbështetjen e prindërve, pa anashkaluar projektet e reja për teatrin dhe filmin. Deri në vitet ’90 Edmond Budina punoi si aktor në teatër dhe në kinema. Në vitin ’92 familja e tij largohet në Itali. “Letra ere”, skenari i shkruar prej tij u shpall fitues nga 180 Qendra Kombëtare Italiane Kinematografike. Në medien italiane të asaj kohe ky film prezantoi historinë shqiptare.
Zoti Budina, prej pak kohësh jeni rikthyer në Shqipëri. Do të qëndroni gjatë?
Kësaj here erdha me mendimin për të konkurruar si drejtues i Teatrit Kombëtar. Nëse do të kisha fituar do të kthehesha për të punuar në të njëjtin vend ku e kisha nisur.
Ngelët i zhgënjyer nga vlerësimi?
Në një farë mënyre po. Kam një shije të hidhur për faktin që nuk u përzgjodha. Por nuk kam inat as me Hervinin, as me njeri tjetër, sepse në fund të fundit, secili ka bërë punën e vetë. Dikush do të fitonte. Kam parë se, ka një zhgënjim të madh te shumë njerëz, për faktin që unë nuk u përzgjodha. Kjo, jo për faktin se unë jam më i bukur se të tjerët, por për atë çka përfaqësoj. Ndoshta duke mos qenë i angazhuar në asnjë lloj partie, njerëzit shpresonin.
E keni frekuentuar teatrin këto kohë?
Po po, i kam parë të tëra shfaqjet që janë vënë këtë periudhë.
Si ndiheni kur uleni në karriget e teatrit si spektator i thjeshtë?
Aty kam lindur... Kjo ishte arsyeja që më dhembte shumë kur e shikoja teatrin në atë gjendje. I kam jetuar të gjitha. Jam ulur gati në çdo karrige. Kam qenë spektator, aktor, kam qenë nëpër dhomat e provave, kam bredhur çdo cep të tij. Çdo vend në teatër më krijon një ndjesi dashurie të pafundme. Kam dashuri të pafundme për atë vend, sidomos kur mendoj për miqtë që nuk janë më, kjo më trishton. Por jeta kështu është dhe ne do ta marrim siç na vjen.
Çfarë mbani mend nga bashkëpunimet që keni bërë në teatër para viteve ’90 ?
Kam mësuar nga të gjithë artistët e asaj kohe. Kam punuar me Sulejman Pitarkën, Violeta Manushin, Prokop Mimën, Marie Logorecin, Pjetër Gjocin etj, janë një plejadë e tërë artistësh. Ky është një profesion që nuk mësohet dot veçmas. Sot kur dëgjoj se të gjithë artistët duhen të rinj, o burra hiq të vjetrit, mendoj se po bëhet një gabim i rëndë. Nëse ne jemi në këtë derexhe është sepse nuk kemi ditur të transmetojmë eksperiencën e atyre që kanë qenë para nesh. Nuk mund të krijohet një teatër nga hiçi. Këtu, kam parë raste kur të rinjtë interpretojnë rolet e pleqve, por mendoj se kjo mund të ndodhë vetëm në raste të rralla. Giorgio Albertazzi është mbi 90 vjeç, por ai punon dhe interpreton ende në teatrin italian. Ky është teatër ku nuk ka moshë, por ka vetëm forcë dhe energji.
Në punën tuaj si artist, përveç lavdërimeve duhet t’ju kenë bërë edhe kritika. Cila është kritika që ju ka ngel më gjatë në kujtesë?
Unë nuk kam pasur ndonjë kritikë të ashpër në punën time. Por mbaj mend se te drama ime e parë “Tymra që pastrohen”, Sandër Prosi një ditë më tha: “Edmond, përse nuk merresh me shkrime ti?”. Përse i them, ti mendon se unë nuk mund të bëhem aktor? “Jo, por je shumë i mirë në shkrime”, më tha. Më pas unë bëj një xhiro me Prokop Mimën, i cili më pyet pse isha i trishtuar. I tregoj dhe ai më thotë: “I dashur Edmond, Sandri ka gabuar me ty”, ti je një aktor shumë i mirë dhe te “Tymra që pastrohen” ndonëse në atë rol nuk je shumë mirë, por ama ka momente që ti ke një zjarr që është gati të të shpërthejë përbrenda”. Më vonë kur bëra “Luiza Miler”, Sandër Prosi më tha: “Edmond a të kujtohet se çfarë të kam thënë, unë tani të kërkoj ndjesë”. Këto janë kritika, nga të cilat kam mësuar shumë. Kam ndenjur me kollozët e teatrit, prandaj sot eksperiencën e tyre e kam brenda meje.
Thuhet se duan të rikthejnë një teatër repertori?
Flasin, por të gjithë flasin kot, sepse asnjëri nuk e njeh se çfarë është teatri i repertorit. Asnjë prej këtyre që flasin nuk e kanë jetuar. Të gjithë kërkojnë shfaqje çdo natë, por teatri kërkon një impenjim total që nuk mund të bëhet me ca kontrata 6 mujore. Ka nevojë për vazhdimësi, për një grup që të pasqyrohet. Pastaj kjo ndodh në të gjithë teatrot e europës. Nuk mund ta marrësh një artist dhe ta lësh në rrugë, se t’u mbush mendja për të hequr. Këto gjëra i lënë shkas edhe abuzimit, sepse duke mos pasur një personalitet të fortë, në momentin më të parë ai personalitet i lë shkas abuzimit dhe korrupsionit. Në këtë aspekt është e pamundur të bëhet, pastaj secili ka mendjen e vet.
“Vetëm nëna nuk të tradhton asnjëherë”
Prindërit tuaj janë me orgjinë nga Korça. Ju në ç’periudhë të jetës keni jetuar atje?
Kam lindur në Tiranë, por në Korçë kam jetuar nga viti 1961 deri në vitin 1971, sepse babi im ka qenë oficer dhe u transferua me punën. Kam mbaruar atje tetëvjeçaren dhe gjimnazin. Korça për mua është në qytet që më ka dhënë shumë nga ana artistike. Që të vegjël mblidheshim me katër shokë, kishim një kitarë dhe këndonim. Shkonim dhe vidhnim libra në bibliotekë dhe i kalonim dorë më dorë. Nuk di çfarë të them. Në Korçë kam qenë edhe te Pallati i Pionierit. Mbaj mend se shfaqjen e parë e kam bërë me shokët, Vladimir Muzhën dhe Dhimitër Dishon. Asokohe bëhej një konkurs për në teatër dhe menduam përse të mos merrnin pjesë edhe ne. Bëmë një shfaqje, konkurruam dhe çuditërisht fituam çmimin e parë. Drejtor i teatrit ishte Nazif Sula, nuk ia harroj asnjëherë emrin. Isha vetëm 11 vjeç, kur më tha që të shkoja dhe të bëhesha pjesë e teatrit. Vajta në tetor kur kishin filluar provat. Do të luanin për Vitin e Ri dhe Vitin e Vjetër. Llami Trako më jep një pjesë që ta interpretoj dhe më thotë: “Ti do të jesh plaku i Vitit të Ri”.
Bashkëshortja juaj, Sonja, është italiane? Si jeni njohur me të?
Me Sonjën jam njohur kur shkoja në Kinostudio për të xhiruar dhe dubluar filma. Sonja punonte në Arkivin e Kinostudios dhe natyrisht tek ajo unë shikoja misin. Ishte më e mira, prandaj dashje padashje më ngelnin sytë tek ajo. E mesa duket as unë nuk isha aq antipatik, prandaj dhe asaj i ngelën sytë tek unë (qesh). Njëherë më ftuan të shikoja një film, dhe aty pamë se midis nesh kishte komunikim.
Sa ju ka mbështetur ajo gjatë punës suaj?
Regjisorja Drita Agolli ka qenë shumë e ashpër me mua. Unë rrija deri në pesë pasdite me xha Iljazin, ishte roje në TK. Ai më mbyllte në një studio e unë punoja individualisht, nga ora 14.00 deri në 17.00. Por ajo më thoshte: “Ti je fshatar, nuk je princ siç është Ferdinandi”. Kjo më bënte të vuaja shumë, sepse punoja edhe pas provave. Kur Sonja kthehej nga Kinostudio, ne takoheshin te Pedonalja. Kur i tregoja se çfarë më kishte thënë Drita më thoshte: “Nuk ka nevojë që të luash për të qenë Ferdinandi, ti je Ferdinand. Prandaj vazhdo të punosh, mos u shqetëso”. Fjala e saj u vërtetua, kur unë bëra premierën. Pas shfaqjes te reklama e teatrit më priste një burrë rreth 80 vjeç. Ishte Skënder Luarasi, përkthyesi i “Luiza Miler-it”, një nga kollozët shqiptarë, i cili kishte një mendje të ndritur. Më thirri dhe më tha: “Ferdinand, ti je Ferdinand?”. I thashë, profesor ai është personazhi im. “Ore unë nuk jam i rrjedhur. Ferdinadi je ti, edhe më shumë se ai i pari”. Naim Frashëri e kishte luajtur para 20 vjetësh. Nga ai moment pata një miqësi me të, më ka dhënë librat që kishte në shtëpi për teatrin, më ka treguar letërkëmbimin e Fan Nolit me Petro Ninin etj., derisa u nda nga jeta. Kjo periudhë imja me Sonjën ishte shumë e bukur, ndoshta se atëherë gjërat ishin të fshehta dhe kishin bukurinë e tyre.
Cili është momenti më i bukur që keni kaluar?
Kam kaluar momente të vështira dhe të lumtura. Në momentin që kapërcehet një vështirësi ai ngelet moment i bukur. Këto i kam pasur gjithmonë. Kam ndier kënaqësi të pafundme nga duartrokitjet e publikut, në shfaqjen e fundit “Nata me hënë”. Më pas realizimi i filmit “Letra ere”, ishte një kënaqësi shumë e madhe pas një periudhe shumë të gjatë vuajtjeje. Kur shtypi italian shkruante me superlativa, kjo më ka dhënë shumë kënaqësi. Një nga kënaqësitë familjare ishte kur fisi nuk donte që unë të merrja Sonjën. Më thanë: “Po e more ne nuk do të flasim”. Madje një ditë përpara se ne të shkonim dhe të bënim celebrimet mamaja më thotë: “Shpirti i mamit, unë të kam djalë, nuk mund të rri pa të folur. Bëj ç’të duash”. Ka qenë kënaqësi, sepse e kuptova që më kuptonin. Sido që të jetë, nëna nuk të tradhton asnjëherë. Keni ndonjë gjë për të cilën jeni bërë pishman? Peng më ka mbetur momenti kur sime mëje i them mbylle skype-n se do të flasim nesër, por të nesërmen ajo nuk ishte më. Përsa i përket jetës artistike nuk është se kam ndonjë peng, por kam dëshirë të realizoj gjëra të tjera.
"Mall këtu ke për çdo gjë, nganjëherë edhe për pisllëkun"
Keni një rol, të cilin do të donit ta ribënit nga e para…
Unë do të doja t’iu rikthehesha të gjitha roleve të mia nga e para. Sepse sa herë i shikoj, aq herë gjej gabime. Tani kam mundësi që të bëj më mirë gjërat që janë bërë mirë, por që për një arsye ose një tjetër mund të ishin bërë edhe më mirë. Unë jam kritik ndaj asaj çka bëj vetë.
Cili është dramaturgu apo shkrimtari që lexoni më tepër?
Unë lexoj përherë. Për shembull pardje më dhuruan “Mbretin Lir”. Sa herë që kthehem në shtëpi e lexoj dhe e rilexoj. Më fut makthin, se kam frikë mos më lind dëshira ta realizoj (qesh). Ismail Kadarenë e lexoj me shumë dëshirë, sepse nga pikëpamja teatrale është i jashtëzakonshëm. Ka shumë shfaqje nga veprat e tij që janë vënë në skenë, sepse ai e ka shumë të fortë simbolin. Kadareja është gjithmonë një frymëzim i madh për teatrin. Tek Kadareja gjej diçka që më nxit.
Çfarë projektesh keni në duar?
Do të pres derisa të shpallet konkursi nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe do të mbyll një skenar, me të cilin do të konkurroj, përpos kësaj do të kërkoj edhe nga privatët nëse është e mundur.
Si ju duket Shqipëria kësaj here?
Të them të drejtën unë u ktheva me shpresën se Shqipëria do të ndryshonte, por mesa duket do të vazhdojë akoma ashtu siç ka qenë.
Për çfarë ju merr më tepër malli kur largoheni nga Shqipëria?
Mall këtu ke për çdo gjë, nganjëherë edhe për pisllëkun, për marrëzinë, për raportet njerëzore, të cilat në Itali nuk i gjen mes shokësh dhe mes miqsh. Por edhe për bisedat pafund që edhe pa bukë të mbajnë gjallë. Më merr malli për çdo gjë, qoftë në Tiranë apo edhe në Korçë ku unë kam jetuar. Në çdo qoshk të Korçës kam një kujtim, në çdo rrugë të Tiranës kam kujtime, që janë brenda meje dhe nuk do të vdesin asnjëherë. E kam jetuar Tiranën në çdo orë të ditës dhe të natës dhe sa herë që vij edhe ajri më jep një tjetër kënaqësi. Era e luleve dhe e detit kanë një aromë tjetër nga ajo e Italisë.
Teatri
Ku ishte teatri ynë para viteve ’90 dhe ku është sot?
Ne, me gjithë propagandën që ka pasur ai sistem, teatrin e kemi pasur shumë të mirë. Tani jemi nga faza e dhjetë nga ku kemi qenë, në minus 100. Arsyet janë për shkak të politikës, sepse shteti shqiptar në këto 20 vjet nuk ka investuar në kulturë. Të gjitha qeveritë e kanë parë kulturën si dora e fundit, prandaj edhe sot shikohet kështu. Vendet e botës janë zhvilluar, sepse kanë investuar në kulturë. Ato vende që nuk investojnë në kulturë janë të destinuara të mbesin në fund.
Çfarë mendoni, kur thonë se aktorët s’duan të punojnë?
Kur thonë se aktorët s’duan të punojnë, mua më ngrihen nervat, sepse nuk ka aktor që s’do të punojë, por ka të aftë dhe të paaftë. Çdo aktor ka dëshirë të punojë. Ky pasion, më bëri mua që në Bassano del Grappa, të punoja jo vetëm si punëtor i thjeshtë, por edhe si artist. Së fundmi kam xhiruar një film zviceran, ku kisha rolin e një personazhi turk. Diku në skenar ishte shkruar se, këtë frazë personazhi e thotë në turqisht. Unë e pashë dhe shkova e përktheva për ta mësuar në turqisht. Kur i them regjisorit, më thotë se s’ka rëndësi dhe mund ta bëja edhe italisht. Por unë e bëra në turqisht. Kur e dëgjoi iu duk një kryevepër. Prandaj them se, nuk ka artist që nuk do të punojë.