Sot ne të gjithë jemi më të varfër nga një ikje! Ka pak njerëz në botë për të cilët flitet njëlloj, edhe kur janë në jetë, edhe kur vendosin të ikin prej saj. Ka edhe më pak njerëz në botë për të cilët, edhe kur janë në jetë, edhe kur vendosin të ikin prej saj, përmendet kënga e përcillen me këngë. Janë të rrallë njerëzit që merituan me jetën e tyre vetëm duartrokitje, duartrokitje në jetë dhe në ikje! Ka pak njerëz në botë që shumë përpara se të vendosin të ikin, shndërrohen në mit.
Për ta flitet edhe kur nuk janë, ata dëgjohen edhe kur heshtin, ata meritojnë pafund heshtje nderimi kur na thonë lamtumirë dhe kur me dhembje u detyrohemi një lamtumirë zemre! Vaçe Zela, kapriçioja e mrekullueshme e muzikës shqiptare është një nga këta njerëz të rrallë. Ikona e papërsëritshme e këngës, shënoi një epokë në epokën e saj, i dha zë asaj dhe do t’i japë zemër dhe së nesërmes.
Për gati katër dekada, në atë kohë të ashpër e të varfër, Vaçja ishte pjesë e ushqimit të zgjedhur shpirtëror, ishte një shkëndijë gëzimi e pamunguar, ishte një rrjedhë në këngë dhe ligjërime, ishte valsi ynë i lumturisë së trishtuar. Vaçe Zela u linte takim shqiptarëve të cilët prisnin të merrnin prej saj pak drithërimë shpirti më shumë, pak më shumë dritë në terr; i këndoi dhe dhembjes për të sjellë në takim me shqiptarët pak më shumë gëzim. Vaçe Zela e ndërtoi vetë piedestalin e saj, në të cilin qëndroi dhe do të qëndrojë si mbretëresha moderne me kurorë kënge. Fëmija i shkëlqyer i muzikës, e fortë dhe e brishtë, e brishtë, sepse ishte e fortë, kjo fytyrë e shkëlqyer e të shkuarës sonë të ngrysur, la trashëgim për ne interpretimin e shumë këngëve të muzikës popullore e të lehtë, balada e romanca e madje, edhe shumë këngë nga më të mirat e thesarit botëror. Sakrifica e fisnikëron njeriun dhe Vaçja ishte fisnike e papërsëritshme.
Sot nuk është më. Ka pothuaj dy dekada që Vaçe Zela u tërhoq në heshtjen e saj e rrethuar nga dashuria e Pjetrit dhe Irmës, bashkëshort e bijë, në një trekëndësh familjar të nderuar të shtrirë në dy kohë shqiptare, në atë anë dhe këtë anë të lirisë. Por Vaçja bën pjesë në atë pakicë fatlume njerëzish të lirë për të cilët flitet edhe kur nuk janë, flitet shumë edhe kur vendosin të ikin.
Vaçja është nder i kombit tonë, ndaj nderimi, mirënjohja dhe falënderimi për të është respekt edhe për të shkuarën dhe të nesërmen tonë, është respekt për kujtesën! Ikja e Vaçe Zelës na bën të gjithëve më të varfër, sepse ajo na kishte pasuruar të gjithëve në shpirt. Lamtumirë, Vaçe Zela, lamtumirë me duartrokitje! Njëlloj si atëherë kur ishe në skenë me zërin tënd të papërsëritshëm, njëlloj edhe tani! Duartrokitje për heshtjen tënde nga piedestali yt i fundit për të vazhduar të na drithërosh sërish me këngët e tua!