Dublohet Skenderbeu

Dublohet 'Skenderbeu'
Aktori Rikard Ljarja dublon Skënderbeun, Roza Anagnosti Donikën, Tinka Kurti nënën, Robert Ndrenika, Sulltan Muratin e kështu me radhë. Regjisori i dublimit, Esat Musliu thotë se është zgjedhur një kastë prej 60 aktorësh nga më të mirët. Premiera do të shfaqet para 28 nëntorit.

Milkani: Nuk e kemi prekur origjinalin 

Pas 59 vjetësh, filmi “Skënderbeu” vjen me të tjerë zëra. Regjisori Piro Milkani, nismëtar i kësaj sipërmarrjeje, tregon se përveç restaurimit u pa e domosdoshme që filmi të dublohej për ta sjellë në një cilësi më të lartë. Aktori Rikard Ljarja dublon Skënderbeun, Roza Anagnosti Donikën, Tinka Kurti nënën, Robert Ndrenika Sulltan Muratin e kështu me radhë. Regjisori i dublimit, Esat Musliu thotë se është zgjedhur një kastë prej 60 aktorësh nga më të mirët. Aktualisht, filmi gjendet në Itali ku po punohet për figurën, për të pastruar gërvishtjet dhe njollat që kanë shkaktuar vitet, por edhe për të plotësuar të tjera efekte të munguara si përplasja e shpatave apo rrëzimi i kuajve. Regjisori Milkani thekson se filmi “Skënderbeu” do të vijë në parametra shumë më të mirë teknikë dhe të interpretimit, ndërkohë që thekson se nuk është prekur në strukturë asgjë nga origjinali i realizuar në vitin 1953 nga regjisori rus, Surgei Jutkeviç. Që në fillimet e idesë, “DigitAlb” ka dhënë mbështetjen për restaurimin, ndërkohë që edhe Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin ka lëvruar të tjera fonde.

Zoti Milkani, pse lindi nevoja e restaurimit të filmit “Skënderbeu”?

Nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për një prodhim rreth 60-vjeçar, dhe shumë elementë të tij janë realizuar duke pasur parasysh kushtet e kohës. Jo vetëm në vitin 1953 kur është luajtur ky film, por deri në vitin ’80, të gjitha prodhimet kinematografike kishin një pistë optike, vetëm mono. Ne menduam që ky film ia vlen të restaurohet dhe atëherë menduam se puna duhej bërë në të dyja kolonat kryesore ku mbahet një film, në anën vizuale dhe zërin. Për më tepër, deri më sot kemi pasur vetëm dy kopje me ngjyra të një cilësie shumë të dobët të filmit. Për shkak të një fatkeqësie që ndodhi në vitet ’70, ku u dogj magazina e kinofikimit ku kishte qindra filma, erdhi një urdhër i prerë që të gjithë filmat të zhduken. Një ditë të diele, në formë aksioni me kamionë, për të zbatuar urdhrin, ne kemi djegur me duart tona “Skënderbeun”. Rusët e furnizuan Shqipërinë me të paktën 10 kopje me ngjyra dhe ato të gjitha u dogjën. Mbetën vetëm dy kopje të arkivit që pas asaj kohe, në vend që të ruheshin, u përdorën, u shfaqën, u gërvishtën, u copëtuan. Ne do ta kemi të rinovuar këtë pasuri kombëtare.

Çfarë do të vijë ndryshe nga ky film?

Varianti origjinal, klasik, shqiptaro-sovjetik i asaj kohe do të jetë jetë e mot. Prej atij varianti ne duhet të përfitojmë një kopje bashkëkohore. E para gjë që është bërë është dublimi. Përfitimi do të jetë i dyfishtë. Aktorët e sotëm kanë më shumë përvojë sesa atëherë, sepse në vitin 1953 kishte vetëm një Teatër Popullor dhe të tjerët ishin në fazë amatore, ndërsa sot kemi një galeri të tërë aktorësh. Regjisori i dublimit ka zgjedhur aktorët më të mirë që u përshtaten roleve. Rikard Ljarja vjen në rolin e Skënderbeut, Tinka Kurti në rolin e nënës, Roza Anagnosti si Donika, Robert Ndrenika në rolin e Sulltan Muratit, Gëzim Rudi në rolin e Sulltan Mehmetit. Cilësia e zërit, e dialogëve, e interpretimit do të jetë më e mirë. Duke kaluar te kolona zanore, muzika e mrekullueshme e kompozitorit rus, Sviridov, dhe Çesk Zadesë është ribërë stereo, në bazë edhe të partiturave që u siguruan në arkivin e Moskës. Do të përmirësohen zhurmat, do të vëmë shumë elementë të munguar si përplasja e shpatave, rrëzimi i kuajve. Dublimi ka përfunduar dhe filmi është dërguar në Itali, në studiot e “Augusta Color” ku po punohet për çdo kuadër. Më pas do ta rikthejmë në studion “NGS Recording” ku është bërë dublimi, për t’u bërë sinkronizimi i figurës me zërin. Në përfundim do të kemi kopjen dixhitale dhe kopjen 35 mm për Arkivin e Filmit.

Në variantin e dubluar ju keni zgjedhur gjuhën letrare. Duket se ka pasur edhe një diskutim mbi këtë çështje…

Gjuha do të jetë shqipja letrare, sepse si çdo gjë në këtë botë edhe gjuha evoluon. Në vitin 1952 unë kam folur korçarçe, por “Skënderbeu” i talon Shqipërisë. Filmi është një vepër artistike. Nëse do të ecnim me parimin e kundërt, i bie që Gjon Buzukun ta vëmë të flasë ashtu siç ai ka shkruar në atë kohë. Edhe në botë, veprohet në të njëjtën mënyrë, Aleksandri i Madh nuk flet greqishten e vjetër, por të sotmen. Këto konvencione duhet të respektohen, por në radhë të parë gjuha letrare shqipe.

Kur do të bëhet premiera?

Do të shfaqet para 28 nëntorit, me një ceremoni ku do të ketë mjaft surpriza. Daniele Baldaci, i cili po ndjek gjithë procesin e restaurimit në Itali, i njohur për xhirimet e filmave shqiptarë “Ballkan Bazar” të Budinës dhe “Shenjtorja” e Eno Milkanit, do të sjellë një formë eksperimentale të formatit 3D pa syze. Në një ekran që do të vendoset në holl do të projektohen emocionet e aktorëve që kanë dubluar filmin e po me këtë teknologji të re do të shohim 3 minuta të filmit “Skënderbeu”, për pamundësi të përballimit të kostove. Në premierë do të shihet që filmit nuk i ka ndryshuar asnjë presje, sepse restaurim do të thotë respekt i veprës së autorit. Çdo gjë do të jetë si në 1953 vetëm me cilësi të lartë dhe në titrat e filmit do të shënohen emrat e atyre që kontribuuan në këtë rast.

Sa ka shkuar kostoja e këtij restaurimi?

Janë pyetje që nuk i interesojnë kujt. E rëndësishme është që në kuadër të këtij 100-vjetorit t’i japësh këtij vendi një film kryevepër. Në këtë iniciativë kemi gjetur mbështetjen kryesore nga “DigitAlb” dhe më tej është gjetur mirëkuptimi në kërkesën që i është bërë Komisionit Shtetëror për Festimet e 100-vjetorit, përfshirë edhe sponsor të tjerë.

Detaje

Filmi “Skënderbeu” ka 3370 metra shirit që përkthehet më 2 orë e 3 minuta. Janë 176 kuadro filmi që kalojnë përpara projeksionit që të krijojnë historinë e filmit e që të gjitha do kalojnë në duart e restauratorëve

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama