Dubrovniku

Dubrovniku
Pas një vizite në Dubrovnik shkrimtari i famshëm irlandez George Bernard Shaw do të shkruante “Ata që kërkojnë parajsën në tokë, duhet të shkojnë në Dubrovnik“.

Sot qyteti më jugor i Kroacisë, me një histori gati 1 mijë vjeçare,  konsiderohet si një prej pikave turistike më tërheqëse në Adriatik. Vija bregdetare me peisazhe idilike, plazhe e gadishuj të pyllëzuar si dhe qindra ishuj të shtrirë si me dorë  përgjatë bregut, na bëjnë të ndihemi paksa xhelozë që natyra e ka favorizuar këtë pjesë të bregut edhe pse ndajmë të njëjtin det .

I quajtur shpesh “Perla e Adriatikut”, Dubrovniku nuk njihet vetëm falë detit të kaltër e të kulluar, por edhe prej trashëgimnisë së vyer historike e kulturore. Qyteti, i kornizuar nga muret antikë, ruan me fanatizëm një traditë të gjallë artistike e cila shihet dhe ndihet kudo që shtrin vështrimin, duke nisur që nga kështjellat mesjetare, kishat, monumentet dhe ndërtesat e Epokës së Rilindjes e të stilit Barok.

Dubrovniku është një harmonizim mes ngjyrave, aromave, kulturës dhe gjallërisë të cilat risjellin Mesjetën dhe Rilindjen në formën e tyre më moderne.

Nëse Dubrovniku bën pjesë në planet tuaja të kësaj vere, ju ftojmë në këtë rrugëtim virtual:

Plazhet e Dubrovnikut:

Bill Gates, Bernie Eccelstone apo famlija Benetton janë vetëm disa prej turistëve të cilët çdo verë ankorojnë jahtet e tyre në brigjet e Dubrovnikut. Edhe ju mund ta shijonini po aq perlën e Adriatikut, pa qenë nevoja t’i merrni rrezet e diellit mbi kuvertën e ndonjë jahti luksoz.

Ja disa prej plazheve publike ku mund të ndaloni:

Banje - më i famshmi në Dubrovnik,  është klasifikuar së fundmi si një prej 10 plazheve më të bukur në Evropë. Plazhi me grualecë e me ujin e kristaltë shtrihet mu në hyrje të Qytetit të Vjetër duke dhuruar një pamje përrallore. Pasi të jeni kredhur në detit e butë dhe të keni marrë rrezet e diellit nën çadrat e Banjes, ju këshillojmë të merrni me qera një varkë me pedale e të përshkoni të gjithë pjesën përgjatë mureve antikë të qytetit, ose të vozisni deri në Lokurm, ishulli magjepsës i cili ndodhet vetëm 10 min larg Dubrovnikut.

 
Lapad – është një gadishull i cili ka fatin të ketë mbi shpinë pjesën më të bukur të mureve rrethues të Dubrovnikut. Të gjitha plazhet e Lapadit janë vendosur në Gjirin Sumratin.  Plazhi i parë që do të hasni pasi të keni përshkuar bulevardin e gjatë të gjirit, është Uvala Lapad ose vetëm Uvala (që do të thotë gji). Plazhi ranor ofron shumë komoditet dhe ka një infrastrukturë të pasur me dushe, tualete, çadra dhe shezlonë. Këto të fundit janë me pagesë.

Ngjitur me Uvalan, shtrihet plazhi i Adriatikut. Është ideal për ata që nuk preferojnë as rërën dhe as guralecët, pasi shezlonët janë vendosur mbi platforma të ngruta prej betoni. Plazhi Adriatikut është tejet i vogël e i mbledhur dhe si i tillë kthehet në pikëpushimin ideal për turistët më romantikë.

Vis I është një plazh me guralcë, i treti në rradhë në gjirin e Lapadit. Zona këtu është e pasur me bare dhe restorante. Plazhi është i njohur për festat e tij të përditshme me koktejle dhe pije, gjë që e bën Vis I të jetë plazhi publik më i frekuentar nga të rinjtë. Për më aventurierët këshillojmë kajakun apo xhirot me kanoe, të cilat mund t’i  merrni me qera për të eksploruar plazhet përreth gjirit.

Spledit , Villa apo Vis II janë disa prej plazheve të tjera që popullohen gjatë verës në këtë gji. Për vizitorët e rinj në moshë ne do t’ju këshillonim plazhin e Villa-s. Tradita e këtij plazhi janë lojrat në ujë. Kushdo është i lutur t’i bashkohet një grupi që po luan, mjafton të zbatojë rregullat e lojës.

Çdo hotel apo resort në Dubrovnik ka plazhin e tij privat, të cilët dallojnë nga ato publikë prej shërbimit, komoditetit dhe infrastrukturës moderne.

Zgjedhja mes plazhit publik dhe atij privat ju mbetet juve në dorë.

Çfarë të vizitoni në Dubrovnik:

Dubrovniku, dikur një qytet-shtet, ka qënë dhe mbetet një metropol i kulturës. Si i tillë vizita në pikat më tërheqëse të qytetit është këshilla që duhet ta ndiqni me çdo kusht:

Pallati i Rektorëve – Më parë Rezidencë e Republikës, sot muze historik, është ndërtesa më e vizituar në Dubrovnik, ku ndërthuret stili gotik dhe ai i Rilindjes. Ashtu si shumë ndërtesa në qytet, edhe ky pallat i ka mbijetuar një të kaluare të trazuar me luftra dhe tërmete. Megjithatë ai ka ditur të ruajë hijeshinë dhe madhështinë që e karakterizon. Hyrja: 40 Kuna, për fëmijët 20 Kuna. Orari 09:00 – 18:00.

Straduni – në të vërtetë quhet Placa dhe është shëtitorja më e dashur për çdo banor të Dubrovnikut dhe për këdo që e viziton atë. Është rruga kryesore që i kalon qytetit mes për mes dhe si e tillë është e mbushur me dyqane për shoping dhe bare. Teksa ecni, sillni ndër mend se pikërisht aty, më parë, ka qenë deti.

Shatërvani i madh i Onofrios – Nëse hyni në qytet nga Straduni (Placa), do tu shfaqet para syve shatërvani i madh i Onofrios. Ai është ndërtuar në shekullin e XV-të si simbol i ndërtimit të ujësjellësit  në qytet më 1438.

Muret mesjetare rrethues – janë tipari dallues dhe pjesa më tërheqëse e Dubrovnikut. Muret zgjatohen 1940 m përgjatë pjesës së vjetër të qytetit dhe sot konsiderohen si një prej fortifikimeve më monumentale të Evropës. Sistemi i frëngjive dhe kullave supozohej të mbronte qytetin në kohët mesjetare, por në ditët e sotme ato përbëjnë thjesht pamjen më piktoreske në bregun e Adriatikut. Kulla Minčeta fiksohet në kujtimet e çdo vizitori që mban në dorë një apart fotografik.

Kështjella Lovrijenac- është fortesa më mjeshtërore dhe më e lartë e gjithë Dubrovnikut. Ky fortifikim është quajtur shpesh “Gjiblartari i Dubrovnikut” dhe është ngritur majë një shkembi 37 metra i lartë. Këtu shkohet më lehtë nga plazhi “u Pilama”, duke u ngjitur përmes një shtegu nga pylli.

Çfarë nuk dini për Dubrovnikun:

Që prej vitit 1979 qendra historike e Dubrovnikun është në listën e vendeve të trashëgimnisë kulturore së UNESCO-s.
Deri më 1909 emri zyrtar i Dubrovnikut ka qenë Raguza, ndërsa emri i kohëve moderne të këtij qyteti rrjedh nga fjala sllave ‘dubrava’, që do të thotë pyll.
Në Mesjetë, Republika e Raguzës u bë i vetmi qytet-shtet lindor që arriti të konkuronte Venecian.
Në gjirin e Dubrovnikut ndodhet ishulli i Lokrumit, ku, sipas legjendës, Rikard Zemërluani ka dalë në breg pas mbytjes së anijes më 1192. Ishulli ka gjithashtu një kala, kopësht botanik, manastir dhe plazhe gati të virgjëra.
Dubrovniku ka një aeroport të tijin ndërkombëtar. Ai ndodhet 20 km larg qendrës së qytetit, afër Cilipi-t.
Monedha vendase quhet Kuna. 1 Kn = 0.1342 €

Për të mos u humbur në Dubrovnik:

Dubrovnik Summer Festival

Qyteti i vjetër mbetet padyshim atraksioni kryesor brenda në qytet, dhe kjo jo vetëm falë mureve shekullorë që mbështjellin qytetin. Nëse e vizitoni Dubrovnikun në verë mos i kurseni vetes momentet magjike të festivalit më të vjetër në Koraci, “Dubrovnik Summer Festival”, Festivali Veror i Dubrovnikut. Çdo vit prej 10 korrikut deri më 25 gusht, shfaqet një program i pasur në fushën e teatrit, baletit, muzikës klasike dhe operas. Versioni i  Hamletit në kullën Lovrijenac është vërtetë magjik.

Një ditë në ishujt “Elaphiti”.

Ky është një arqipelag i cili përbëhet nga disa ishuj të shtrirë në veriperëndim të Dubrovnikut. Elafitet kanë një sipërfaqe totale toke prej 30 km2 dhe janë të pasur me bimësi tipike mesdhetare. Vetëm tre nga ishujt e arqipelagut janë të banuara: Kolocep, Lopud dhe Šipan. Në secilin prej tyre mund të shkohet me anë të tragetit Jadrolinija i cili lundron 4 herë në ditë dhe kushton fare pak. Të tre këto ishuj ofrojnë hotele me bare e restorante.

Si shkohet në Dubrovnik:

Dubrovniku është vetëm 290 km nga Tirana dhe 221 km nga Shkodra, ndaj rruga tokësore është itinerari më i volitshëm për të arritur këtë destinacion. Udhëtimi zakonisht zgjat nga 5 – 6 orë,  megjithatë gjithçka varet nga ndalesat dhe pushimet që do të bëni përgjatë rrugës.

Flamuri Blu për Dubrovnikun

“Blue Flag” apo Flamuri Blu është një program i cili vlerëson një herë në vit plazhet dhe zonat të cilat përmbushin disa kritere të caktuara (të cilësisë së ujit, menaxhimit të mjedisit, sigurisë dhe shërbimeve të ofruara). Një numër i madh plazhesh bë Kroaci ngrenë me krenari flamurin blu. Katër të tillë i gjeni edhe në Dubrovnik, pikërisht në këto resorte:

Hotel Croatia Cavtat (5 km larg Dubrovnikut)
  
Hotel Importanne Resort (brenda në Dubrovnik)
Hotel Osmine ( në gjirin e Slano-s)
Valamar Dubrovnik President Hotel ( brenda në Dubrovnik)



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama