Reali i Madridit dhe Mançester Siti janë një duel miliardash. Saktësisht, të dyja skuadrat kapin së bashku një vlerë të përafërt prej 1.2 miliardësh, duke treguar qartë edhe cilësinë e futbollistëve që kanë në dispozicion.Por, pavarësisht se anglezët kanë investuar shumë në merkato, kanë diferenca të mëdha eksperience me gjigantët spanjollë. Ndërkohë që ekipi i Zidanit është për herë të 26-të në gjysmëfinalet e Champions-it, rivalët e tyre provojnë për herë të parë emocione të tilla. Një element që mund të "zbusë" disi këtë element, është pikërisht kreu i pankinës së madrilenëve. Zinedin Zidan ka vetëm pak muaj që drejton klubin dhe po kërkon që të fitojë sa më tepër eksperiencë. Pavarësisht se ka luajtur në nivele të larta si futbollist, nuk ka treguar ende se mund të bëjë diferencën taktikisht.
- Në precedentët mes dy klubeve, numërohen gjithsej dy ndeshje, të cilat dhuruan shumë emocione. Në njërën fitoi Reali 3-2 në Madrid, kur Benzema dhe Ronaldo përmbysën për tri minutat e fundit anglezët. Ndeshja tjetër kishte përfunduar 1-1 në Mançester.
- Këtë sezon, ekipi i Pelegrinit ka shënuar gjithsej 18 gola, në dhjetë ndeshje të zhvilluara. Një shifër që është vetëm dy gola më tepër sesa ka arritur të realizojë i vetëm Kristiano, i cili po kërkon të përmirësojë edhe rekordin e vendosur prej tij në kompeticion.
- Kristiano Ronaldo numëron shtatë fitore, një barazim dhe tri humbje kundër Sitit, gjatë kohës kur luante me Mançester Junajtid. Portugezi ka arritur t'u shënojë katër herë, të gjitha në ndeshje që kanë përfunduar me fitore. Një prej tyre ka qenë edhe triumfi 1-0 në transfertë, në maj 2007.
- Shumë rrallë ka ndodhur përgjatë karrierës së tij që Ronaldo të dalë nga fusha e lojës me karton të kuq. Por, duket se më shumë se kurdoherë i ka ndodhur pikërisht kundër Sitit. Ndaj rivalëve të Mançesterit, gjatë kohës kur luante në Angli, CR7 është nxjerrë nga fusha para kohe në dy takime, prej arbitrit.
- Serxhio Aguero nuk ka arritur të fitojë dot asnjëherë kundër Realit të Madridit, gjatë pesë viteve që mbajti veshur fanellën e Atletikos 2006-2011. Në 11 ndeshje gjithsej, argjentinasi barazoi tri herë dhe humbi tetë të tjera, duke gjetur rrugën e rrjetës në tre takime.
- Reali është përballur 32 herë me kundërshtarë anglezë, duke pasur një bilanc prej 13 fitoresh, nëntë barazime dhe dhjetë humbje. Ndërkohë, golavarazhi është 47-38.
- Media britanike shpreson që Mançester Siti të ketë fat të ngjashëm me Çelsin. Pas shumë vitesh investime, blutë e Londrës arritën të triumfojnë në Champions në edicionin ku ishin lënë në harresë. Edhe sivjet, "qytetarët" nuk kanë pasur shumë pretendime, duke qenë se në fund të edicionit do largohet Pelegrini dhe vendin e tij do ta zërë Guardiola. Me Çelsin fitoi Di Mateo, që gjithashtu ishte vendosur si i përkohshëm.