Mund të quhet pa frikë një duel milionerësh. Mançester Siti dhe Reali i Madridit janë dy skuadra që dallohen për shpenzimet e çmendura që kanë bërë gjatë këtyre viteve në merkato. Florentino Perez nuk është kursyer asnjëherë për të afruar në ekipin e tij lojtarët më të mirë të momentit, por nuk mbetet pas as sheiku i Sitit. Të dy bashkë kanë shpenzuar afro 1 miliard euro për të pasur këtë organikë me të cilën do të përballen ditën e sotme. Spanjollët kanë shpenzuar 560 milionë euro, ndërsa Siti 515 milionë euro.
Reali
"Galaktikët" nuk kanë shpenzuar për Naçon dhe Hesen, të cilët janë futbollistë të krijuar nga akademia. Për Kasijan, Karvahalin, Arbeloan dhe Vaskesin, Reali i Madridit ka paguar vetëm për rikthimin e tyre sepse më parë kanë luajtur me fanellën "galaktike". Bejl dhe Ronaldo i kushtuan Realit respektivisht 100 milionë dhe 94 milionë euro. Uellsiani Bejl është blerja më e shtrenjtë e madrilenëve. Shpenzime të shumta për Realin janë bërë edhe për të përmirësuar stolin e skuadrës.
Siti Në radhët e "qytetarëve" Sanja dhe Ihenaço nuk kanë kushtuar. I pari u transferua me kosto zero, ndërsa i dyti është lojtar i formuar nga akademia.
Dy lojtarët më të shtrenjtë për Sitin janë De Brujne dhe Sterling. I pari 74 milionë euro, ndërsa i dyti për 68 milionë euro. Sheiku ka bërë gjithmonë lëvizje të çmendura duke shpenzuar miliona euro edhe për lojtarë që nuk kanë qenë shumë të njohur si Otamendi dhe Mangala.
Por, shpenzimet e shumta dhe afrimi i këtyre lojtarëve cilësorë janë një nga arsyet kryesore për Mançester Siti dhe Reali i Madridit janë sot në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, me ëndrrën dhe dëshirën për të shkuar në finalen e madhe të Milanos. Në fushën e lojës këto shifra nuk ndikojnë aspak, sepse të gjithë janë të barabartë përballë njëri-tjetrit.