Sfida Itali-Spanjë mund të ishte finalja e këtij Europiani, por fati e donte që të dyja skuadrat të përballeshin shumë shpejt për të vazhduar rrugën drejt ëndrrës. Dueli italo-spanjoll nuk është diçka e re për futbollin sepse edhe më parë skuadrat janë përballur plot 35 herë mes tyre. Deri tani gjithçka është e barabartë, sepse të dyja skuadrat kanë arritur nga 10 fitore secila dhe 15 barazime. Faqja zyrtare e UEFA-s ka përzgjedhur 5 sfidat e paharrueshme mes Italisë dhe Spanjës.
Kupa e Botës 1934
Italia shpallet kampione e botës, por përpara se të ngrinte kupën fillimisht iu desh të eliminonte Spanjën. Dueli i hekurt i çerekfinaleve dukej se nuk do të kishte një fitues sepse në 90 minutat e para dhe në shtesë asnjëra prej skuadrave nuk po fitonte. Golit të spanjollit Regueiro në pjesën e parë iu përgjigj Ferrari në fundin e 45 minutave. Ndeshja u luajt sërish 1 ditë më vonë dhe "axurrët" triumfuan me golin e Meazës, i cili dërgoi në gjysmëfinale skuadrën e tij. Më pas, Italia u përball me Austrinë në gjysmëfinale dhe Çekosllovakinë në finale.
Europiani 1988
Një betejë taktike në Frankfurt, e cila i buzëqeshi Italisë. 19-vjeçari Paolo Maldini bëri një ndeshje spektakolare duke nxjerrë jashtë loje mesfushorin spanjoll Mishel. Sfida ishte e vlefshme për grupin e parë, në të cilin bënte pjesë Gjermania Perëndimore dhe Danimarka. Italia arriti të triumfonte ndaj Spanjës me rezultatin 1-0 dhe golin e shënoi Xhanluka Viali në minutën e 73-të. Spanjollët nuk patën asnjë shans për të reaguar, madje nuk arritën të kualifikoheshin për më tej.
Kupa e Botës 1994
Duelet e hekurta nuk kanë fund mes Italisë dhe Spanjës. Fati i takoi sërish në Kupën e Botës së vitit 1994, e cila u zhvillua në SHBA. "Axurrët" dhe "Furia e Kuqe" u përballën në çerekfinalet e kompeticionit dhe në gjysmëfinale shkoi skuadra e drejtuar nga Arrigo Saki. Italia fitoi 2-1 falë golave të Roberto dhe Dino Baxhos. Spanja e barazoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë dhe ishte Kaminero, i cili në minutën e 58-të shpresoi te përmbysja. Përpara 54 mijë tifozëve, Roberto Baxho shënon golin e triumfit vetëm 2 minuta nga koha e rregullt dhe Italia siguron gjysmëfinalet.
Europiani 2008
Spanja thyen mallkimin italian. Në çerekfinalen e kampionatit europian, ekipi i Luis Aragones kualifikohet falë penalltive. Pas përfundimit të sfidës, tekniku spanjoll tha se nuk i kishte parë kurrë lojtarët e tij të nervozuar. Pas përfundimit të kohës së rregullt dhe shtesës me rezultatin 0-0, ekipet iu drejtuan penalltive. Nga "ruleta" e 11-metërshave spanjollët tregohen më të saktë dhe sigurojnë gjysmëfinalen kundër Rusisë. Në finalen me Gjermaninë, vendosi goli i Torresit dhe Spanja u shpall kampione.
Europiani 2012
Finalja e mallkuar për Italinë. "Furia e Kuqe" bën dopietë kupash duke triumfuar 4-0 përballë Italisë. Siparin e golave e hapi David Silva, ndërsa më pas shënuan Alba, Torres dhe Mata. Më parë skuadrat u përballën edhe në fazën e grupeve, por aty nuk kishte fitues dhe ndeshja përfundoi 1-1.