Por ndërkohë, pasojat negative të duhanpirjes në shëndetin e njeriut janë të shumta dhe janë zbuluar në sajë të studimeve të panumërta, një ndër të cilët është edhe ai i zhvilluar në Korenë e Jugut, nga ‘Seoul National University Hospital’, i cili u publikua më pas ‘Journal of Neurology Neurosurgery and Psychiatry’.
Studimi provoi se personat që konsumojnë më shumë se 20 cigare në ditë kanë dyfishin e probabilitetit për të pësuar një hemorragji cerebrale, që shkaktohet si rezultat i një aneurizme (dëmtimi i murit arterial).
Aneurizma është një sëmundje shumë e rëndë e arteries, që çon në zgjerimin e saj, çka mund të shkaktojë shumë lehtë një hemorragji cerebrale, gjendje patologjike që jep vetëm 50 për qind mundësi mbijetese.
Kërkuesit koreano-jugorë ekzaminuan 462 raste me hemorragji cerebrale të shtruar në një spital të vendit, duke i krahasuar më pas të dhënat me subjekte të tjera të së njëjtës moshë dhe seks, por që nuk ishin prekur nga e njëjta sëmundje.
Nga rezultatet e ballafaqimit doli në pah qartësisht se jo duhanpirësit janë më pak të prirur për t’u prekur nga hemorragjia cerebrale dhe se rreziku rritet në mënyrë proporcionale me rritjen e numrit të cigareve të konsumuara. Arsyeja e kësaj lidhjeje ka të bëjë me faktin se duhani shkakton dëme të shumta në muret anësorë të arterieve (zgjerim dhe fryrje të tyre) duke çuar në koagulimin e gjakut dhe në transportimin defektoz të tij, gjë që rrit presion. Të gjithë këta faktorë cilësohen si kryesorë në rastin e një hemorragjie cerebrale.