Në një vend të largët dhe të papërcaktuar, hedhur diku, përtej kohës dhe hapësirës, një njeri i çuditshëm, quajtur herë Profet i Zotit dhe herë Mësues, priti për 12 vjet anijen që do e kthente në vendlindje. Teksa shëtiste poshtë e lart kodrës, ndiente një dëshirë në shpirt: para ikjes dëshironte t’u bënte njerëzve të atij vendi dhurata. Por kishte diçka që nuk shkonte në dëshirën e tij: ai nuk zotëronte asgjë për të dhuruar.
Lutjes së turmës, që sa vinte e mblidhej rreth tij për t’u përshëndetur, dhe sidomos kërkesës së një gruaje me emrin Almitra, ai iu përgjigj duke thënë se s’kishte kurrgjë tjetër për t’u thënë, veç asaj që atë çast gjallonte në shpirtin e tyre.
Prej këtej zë fill kuvendimi iKahlil Gibran-it mbi Dashurinë, Martesën, Fëmijët, Dhuratat, mbi Pijen dhe Ushqimin, mbi Punën, mbi Gëzimin dhe Pikëllimin, mbi Shtëpitë, mbi Petkat që veshim, mbi Blerjen dhe Shitjen, mbi Krimin dhe Ndëshkimin, mbi Ligjet dhe Lirinë, mbi Arsyen dhe Pasionin, mbi Dhembjen, mbi Njohjen e vetes, mbi të Mësuarit, mbi Miqësinë, mbi Bisedimin, mbi Kohën, mbi të Mirën dhe të Keqen, mbi Lutjen, mbi Kënaqësinë, mbi Bukurinë, mbi Besimin dhe mbi Vdekjen. Plot 26 sythe, pa hyrjen dhe lamtumirën.
Gjatë leximeve dhe rileximeve të shpeshta të kësaj vepre kam vërejtur se në tematikat e prekura në bashkëbisedimet mes Profetit dhe banorëve të Orfalezës diçka mungon. Është lënë mënjanë apo është anashkaluar kastile nuk e di. Diçkaja që mungon, siç mund ta keni vërë re tanimë, është pikërisht fjala drejtuar vendit të kthimit, “vendit të kujtimeve”. Aty mungon atdheu apo mëmëdheu, siç e quajmë, mungon vendlindja, mungon ishulli, për të cilin ai kishte pritur plot 12 vjet.
Në vepër nuk gjejmë as përkufizime apo përshkrime që do të përligjnin pritjen dhe dëshirën e Profetit për t’u kthyer. Dhe askush nuk e pyet atë se ç’është atdheu, se ç’domethënie ka ai dhe se ç’duhet të kuptojnë ata me këtë fjalë, që zbrazet krejt nëse do ia këpusim lidhjet personale, vetjake, intime.
Ndoshta sepse është thënë kryesorja, më e rëndësishmja, nuk përmendet. Dhe më kryesorja është se ai, pas endjes së gjatë, dëshiron të kthehet në vendin prej nga u nis.
Le t’i shmangemi përkufizimeve të urta dhe të mençura, që na mbërrijnë nga të katër anët e dheut, mbi atë që e trashëgojmë dhe na bëhet atdhe. Kjo, pasi unë besoj se jo dijet dhe njohuritë, por vetëdijet dhe ndjesitë do të jenë ato që mund të na çojnë më shpejt dhe mund të na ndihmojnë më shumë sesa fjalët apo përfytyrimet e idealizuara, më shumë se sjelljet përçmuese dhe sfidat inatçore për të krijuar marrëdhënie aty ku kjo mungon apo na ka mbërritur e cenuar.
I rikthehem tematikës së atdheut, të cilën nuk e prek për herë të parë, pasi vërej se në kontekstin tonë të sotëm gjendja mes shtetasit dhe atdheut është formalizuar dhe reduktuar aq ndjeshëm, saqë ka mundur të ruhet vetëm në një formë: në formën e dhënieve detyruese të shtetasit ndaj atdheut.
A është e trashëguar kjo si e vetmja formë e marrëdhënies që në të vërtetë është vetëm dhënie? A ka diçka për të ndryshuar në këtë mes? Veç kësaj vërej se në gjuhën e komunikimit ka hyrë dhe po përdoret gjithmonë e më shumë të menduarit magjik – si formë groteske dhe fatale e komunikimit publik.
Prekim të parën: atdheun. Në jetë njeriut i takon të krijojë përvoja të ndryshme me vendlindjen dhe me atdheun. Shumë syresh janë përgjithësisht marrëdhënie normale, të mira, korrekte, idilike, të idealizuara, patetike, kritike. Por jo rrallë ato janë edhe mjaft të tendosura, mohuese, zhbirësuese apo atdhemohuese.
Për ne, shtetasi, qytetari është i detyruar të bëjë ndaj atdheut. Atdheu, jo. Në formën e kontaktit që atdheu vendos me ne, përmes shtetit, pushtetit, institucioneve dhe politikave, atdheu nuk njeh detyrim. Ai duket se e ka çliruar veten nga barrat, nga “taksat dhe tatimet”, si të qenkësh një biznes i ri.
Përmes të gjitha formave, shtetasve shqiptarë u është kërkuar dhe u kërkohet rëndom të bëjnë përherë diçka apo shumë më shumë se diçka për atdheun dhe kombin. Atyre u kërkohet të krijojnë me to marrëdhënie dashurie, besnikërie, mospërgojimi, mosrevoltimi, mosreagimi kritik ndaj atdheut, që i servirur në këtë formë s’është gjë tjetër veçse një idealizim i atdhe-tabu – i atdheut lule mosmëprek. Nga ana tjetër, kjo vendos në margjinat sociale këdo që e kalon këtë klon, brenda të cilit atdheu adhurohet pa kushte, ku ata që e respektojnë kodin e lëvdimit përfillen si heronj, ndërsa të tjerët si tradhtarë, moisigolemë, hamzakastriotë e bukëshkalë të pafe.
Qytetari, që të jetë i mirë, nxitet të japë, të sakrifikojë, të brohorasë, të votojë, të mbajë zi, të kërcejë, të këndojë për hir të një qëllimi të madh dhe të lartë – të atdheut virtual, pa e lejuar dhe pa i dhënë kohë të vërejë se ky atdhe virtual ka edhe formën e vet reale. Ky shtetas duhet ta dojë pa kushte, ta dojë kokulur, ta nderojë e t’i përgjërohet, sidomos pa pretenduar të marrë kurrgjë prej atdheut të tij. Përndryshe forma e dashurisë ndaj atdheut zhvirgjërohet, ajo nuk është sa duhet e pastër, ajo ndyhet nga kërkesa për të pasur shkëmbim mes nesh dhe atdheut, gati-gati duket një si farë tregtie me atdheun (i cili nuk është biznes dhe me të cilin nuk bëhet tregti.)
Kjo formë e çuditshme e marrëdhënies ndaj atdheut, përfytyruar siç edhe shprehet në poezinë “Jepni për nënën”, shkruar prej Fan Nolit që më 1917-n, është si biletat vetëm me vajtje, njëkahëshe, që e shtrëngon njeriun të dojë dhe të jetë mirënjohës pikërisht dhe vetëm “Për kto’ male, për këto fusha të gjana. Për këtë vend ku sot të lumtur jetojmë” – pra për marrëdhëniet natyrore dhe jo marrëdhëniet sociale.
Por atdheu ideal, vënë në pikëpyetje dhe në vështirësi që prej Platonit, është si petkat e çmuara: përdoret me raste, rrallë – aq rrallë sa të bëhet të pyesësh nëse të është dashur apo jo me të vërtetë një i tillë dhe nëse kur e do puna të përfaqëson apo jo. Me këtë formë të atdheut ideal takohemi gjithmonë në skaje, në ekzaltime fitoresh e festash apo në gjëma, tragjedi dhe në momente të rënda të historisë.
Veçse për të gjithë tashmë është bërë e qartë se ky atdhe ideal, që për shkak se është i tillë idealizohet gjithmonë e më shumë, ndien nevojë të verifikohet nëse ka edhe një dimension konkret, përfaqësuar nga institucionet, njerëzit e tyre dhe nga shërbimet që ata ofrojnë.
Ky atdhe konkret, i përditshëm, ai që është atdhe-pronë, atdhe-rrugë, atdhe-shkollë, atdhe-dashuri, atdhe-besim, atdhe-punë, atdhe-administratë, atdhe-siguri për jetën, atdhe-drejtësi, atdhe-mirëqenie, atdhe-spital, atdhe-mjedis, atdhe-qeverisje, atdhe-zbavitje, atdhe-varrezë, na avitet përditë, na bën esëll dhe na tregon se ka diçka që nuk shkon në marrëdhënien e idealizuar dhe shtrënguese mes atdheut dhe shtetasit. Shtetasi fillon të kuptojë se atdheu po i merr pa dhënë, thuajse asgjë.
Për nevoja, njerëzit takohen më shpesh me atdheun konkret, me atdheun e përditshëm, të cilin janë në gjendje ta njohin, ta dallojnë dhe ta përcaktojnë përmes shfaqjes së formave të thjeshta – më të thjeshtave fare madje – formave jetike. Në vështrimin e sotëm atdheu gjithmonë e më shumë po merr pamjen e një ofertuesi. Ai ofron, mbase jo gjithçka, por diçka. Ai premton dhe lëviz për t’i mbajtur premtimet.
Janë shtetasit ata që e vlerësojnë nëse do të gjykojnë me zemër apo me mendje. Janë qytetarët ata që duhet të vendosin nëse parapëlqimi, apo oferta e zemrës, që i bie të jetë oferta e atdheut, është aq e mirë sa të bën t’i shpërfillësh gjithë ofertat e atdheve të tjerë, të atdheve dytësorë, atdheve të fqinjëve dhe atdheve më të largët, të cilat prej kohësh na ndjellin dhe na joshin nga larg me shërbimet e tyre.
Thuhet se ne kërkojmë pak, se kënaqemi me pak dhe se magjepsemi shumë. Një nga magjepsjet është edhe virtualiteti apo peshkimi me fjalë modale dhe me mënyra të thëni. Mes tyre më bën përshtypje fakti se prej vitesh arena e komunikimit tonë publik është zaptuar krejtësisht nga modeli i të shprehurit magjik. Këtu nuk e kam fjalën për luftën virtuale që pamë gjatë fushatës së fundit zgjedhore, ku u duk qartë se ata që luftuan për të fituar nuk ishin kandidatët, platformat dhe programet e tyre politike, por programet kompjuterike “Photoshop” dhe “AutoCad”. Photoshopi-i dhe AutoCAD-i ishin fituesit e vërtetë të zgjedhjeve, që na magjepsën me pamjet e një atdheu idilik, futurist dhe më të adhurueshëm se ai që na paraqet me vargje Naim Frashëri te “Bagëti e Bujqësia.”
E kam fjalën në këtë rast për përdorimin e fjalës “DUHET…”, si pjesë themelore mbi të cilën është ngritur marrëdhënia jonë jo vetëm ndaj atdheut, por edhe ndaj njëri-tjetrit. Jo DUA! DUHET! Mund të jetë vënë re gjithashtu se fjala “DUHET”, nga dëshirore është shndërruar në urdhërore. Fjala DUHET është fjala me përdorimin më të gjerë në fushën e komunikimit publik. Sidomos të atij politik dhe shoqëror. Aq shpesh përdoret kjo fjalë, sa të vjen të besosh se përmes saj po pasurohet fondi i fjalëve magjike që nga “SATOR-ROTAS”, tek “Abrakadabra”, “Hokus-Pokus” “Hapu Sezam”. Të gjithë flasin me “DUHET!” Që nga instancat më të larta të shtetit dhe pushteteve, të opozitës, analistëve dhe të shoqërisë civile, përfshi këtu edhe artikulimin diplomatik, gjenden nën magjepsjen e HOKUS-POKUS-DUHET. Një DUHET si duket do të na shpëtojë! Le të themi DUHET dhe dritë u bë!
Pakkush e di se kujt i drejtohen gjithë këto “DUHET”! Pakkush e di se kush do të jetë zbatuesi i kësaj urdhërese detyruese, që mbase mbart në gji tabutë e lashta dhe të vjetra të të gjitha marrëdhënieve detyruese që kemi krijuar ndër shekuj, si shenjë e autoritarizmit të trashëguar.
Kjo formë e të menduarit dhe e të vepruarit magjik me Photoshop dhe DUHET, që ka pushtuar arenën publike, po zbret deri në qeliën e shoqërisë që këtë marrëdhënie e përkthen si diçka që nuk i përket atij që e thotë dhe që e shpreh, po si një gjë detyruese që kërkohet përtej vetes, te të tjerët. Në të vërtetë duhet të jetë e kundërta.
Dhe meqë e nisëm me parabolën e Khalil Gibran-it, që priti për 12 vjet t’i vinte anija, që do e kthente mbrapsht në vendin e tij, ndoshta na lejohet ta mbyllim po me një përrallë, që rrëfen historinë e dy vëllezërve, të cilëve u ra në hise të merrnin në trashëgim një anije prej druri.
Fillimisht thuhet u gëzuan, se veç shtëpisë do të kishin edhe një anije. Një ditë dy vëllezërit i morën rraqet e shtëpisë dhe i futën në anije. Dy vëllezërit u kënaqën për shumë kohë duke ndier nën këmbë detin dhe grishjen e lundrimit.
Të mësuar me ecejaket mbi tokë, për shumë kohë dy vëllezërit iu gëzuan shëtitjes mbi pupë të anijes. Iu gëzuan lirisë së re që kishin për të ecur lirshëm nga kiçi në bash, nga fundi në majë. Por një ditë, sado të bukura, të reja dhe zbavitëse që ishin, dy vëllezërve iu mërzitën dhe iu bajatën edhe shëtitjet mbi pupën e anijes, iu bë e bezdisur edhe ajo shije e re dhe e paprovuar e të ecurit nga kiçi në bash. Thuhet se vështruan së pari detin. Të tjerë thonë se vështruan më parë litarin që i mbante lidhur. Të tjerë pas këtyre besojnë se filluan të kërkojnë se mos pjesë e trashëgimisë ishin dhe lopatat, rremat e gjatë, që i duhen lundërtarit për të dalë në det dhe për të provuar më shumë veten se anijen. Apo dhe të dyja bashkë. Një mbrëmje, deti u fry si deti dhe i nxori mes dallgëve.
Dikush thotë se i kishin rremat në anije, dikush tjetër jo. Dikush thotë se rremat ishin aty, por ua kishin fshehur dhe dikush tjetër beson se të parët e tyre, me apo pa qëllim, u kishin lënë trashëgim një anije të mirë, por pa lopata. Përralla thotë se vëllezërve u qe dashur të merrnin një vendim. Nuk dihet se cili vëlla i tha tjetrit: “Tani nuk kemi se ç’presim më. Dhe nëse nuk i gjejmë lopatat, DUHET t’u japim krahëve fort, për të shpëtuar.”