Duhet te pergatitemi per me te keqen

Duhet te pergatitemi per me te keqen
Debati mbi klimën spostohet herë pas here nga strategjitë për ta shmangur atë, tek ato për t’ju përshtatur efekteve të saj. Ja çfarë thotë raporti i fundit mbi klimën. Të mbështesim popullsitë e prekura nga thatësira, përmbytjet, ciklonet, si dhe t’i ndihmojnë t’i përshtaten efekteve të ngrohjes globale. Ky është mesazhi i raportit të fundit të komitetit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike, i publikuar më 27 mars të këtij viti. Raporti kontrollon gjendjen e studimeve në bazë të impaktit të ngrohjes globale mbi nëntë llojet e ngjarjeve ekstreme meteorologjike. Po ashtu, eksploron ndërhyrjet e ndryshme për të ulur rreziqet në njerëz dhe sende: nga sistemet e thjeshta të alarmit që sinjalizojnë ardhjen e një cikloni, te ndryshimet e mëdha shoqërore, siç është për shembull arsimimi i grave.

Edhe pse komiteti ndërqeveritar për ndryshimet klimatike po kujdeset prej kohësh për përshtatjen e njerëzve ndaj ndryshimeve klimatike, kjo kthesë rrënjësore është konsideruar nga shumë grupe aktivistësh, si një pashmangshmëri, që largon vëmendjen nga nevoja për të ulur emetimin e gazit serrë. Ndërkaq, sipas studiuesve edhe nëse sot frenohej emetimi i gazit serrë, klima do të vazhdonte të ndryshonte dhe përshtatja është e pashmangshme. “Nuk është e lehtë të zbardhësh tendencat e ngjarjeve ekstreme klimatike dhe të ngrohjes globale”, thotë Thomas Stocker, një shkencëtar atmosferik nga Universiteti i Bernit në Zvicër dhe bashkautor i studimit mbi klimën. Ngjarjet ekstreme klimatike janë relativisht të rralla dhe kërkojnë vëzhgime koherente për një periudhë të gjatë kohore. Të dhënat e mbledhura në 60 vitet e fundit ndihmojnë në studimin e mëtejshëm të problemit.

Kostoja e katastrofave

Në përgjithësi, kostoja e ngjarjeve ekstreme meteorologjike është në rritje. Nga viti 1970 deri në 1989-n, humbjet ekonomike në botë, për shkak të katastrofave natyrore, kanë kushtuar mesatarisht 5 miliardë dollarë në vit. Këtë të dhënë e bën të ditur Mark Way, studiues zviceran. Nga viti 1989, humbjet arritën në 30 miliardë dollarë në vit, gjithmonë duke u bazuar te katastrofat e lidhura me klimën. Në vitin 2012, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, humbjet ekonomike arritën shifrën e 35 miliardë dollarëve, më shumë se gjysma e 61 miliardë dollarëve, humbje të shkaktuara nga klima në nivel global. Në fakt, rritja e kostos varet më shumë nga rritja e popullsisë dhe grumbullimi i pasurisë në zonat e rrezikuara siç janë brigjet, që nga ngrohja globale janë gjithmonë të rrezikuara që të mbulohen nga uji.

Diferencën në këtë mes e bën përgatitja ndaj katastrofave që do të ndodhin, siç tregojnë edhe dy raste në Oqeanin Indian. Në vitin 2008, cikloni tropikal “Nargis” goditi Birmaninë duke u marrë jetën më shumë 138 mijë personave. Para një viti, një ciklon tjetër pak më i fortë goditi Bangladeshin dhe shkaktoi mbi 3400 viktima. Të dyja vendet hyjnë në kategorinë e “vendeve të pazhvilluara”. Gjithsesi efektet kanë qenë krejt të ndryshme. Bangladeshi ka më shumë eksperiencë me këto ngjarje dhe prej vitit 1970 ka bashkëpunuar me organizata të ndryshme ndërkombëtare për të përmirësuar aftësinë e tij në përballimin e stuhive dhe përmbytjeve. Për të paralajmëruar rrezikun janë instaluar sisteme alarmi, janë ndërtuar streha me shumë kate për njerëzit dhe kodra të vogla artificiale për kafshët. Për të mbrojtur brigjet janë krijuar pyje rizoforë. Ndryshe nga Bangladeshi, Birmania ka më pak përvojë, madje disa studime konfirmojnë se regjimi i mbyllur dhe shumë hierarkik e ka ndaluar rreptësisht bashkëpunimin me qeveritë dhe komunitetet lokale që mund të kontribuojnë në përballimin e katastrofave natyrore.

Gjithsesi, në disa raste, përshtatja është e vështirë dhe do të kërkonte veprime më drastike, si braktisja e një vendi ose migrimi i popullsisë. Një shembull i këtij fenomeni është Mumbai. Një pjesë e mirë e qyteteve u mbuluan nga uji gjatë përmbytjes në vitin 2005. Qyteti i madh, me një popullsi më shumë se 20 milionë banorë, ka atë që Rajendra Pachauri, presidenti i komitetit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike, e quan “një sistem tharje të tmerrshëm”. Për të rindërtuar qytetin janë tharë moçalet dhe janë eliminuar rizoforët që mund të kishin mbrojtur brigjet nga stuhitë detare. Për këto vende, “ndryshimet klimatike shtojnë edhe më shumë stresin”, thotë një tjetër studiues. “Zonat që janë pothuajse shumë pranë kufirit, një përmbytje tjetër do t’i bënte të pabanueshme”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama