Elbasani ia ka dalë të marrë tri pikë të arta përballë Dinamos në "Elbasan Arena" me një gol të shënuar nga Endri Duka në pjesën e parë. Një sfidë që është ndjekur nga një person shumë i veçantë.
Në tribunën e "Elbasan Arena"-s, ishte i pranishëm ish-administratori i Juventusit dhe një prej emrave më të rëndësishëm në futbollin italian, Luçiano Moxhi. Ai ka qenë i shoqëruar nga administratori i Dinamos, Ismet Saliaj dhe presidenti i Elbasanit, Arben Laze.
Burime të sigurta pranë klubit blu kanë bërë të ditur se Moxhi do të jetë konsulent i presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj. Ish-administratori i Juventusit ka ndjekur të gjithë sfidën, në një kohë që shumë tifozë i kanë kërkuar fotografi. Ndeshja - Që në fillim nis loja me një Elbasan sulmues dhe që kërkon golin me ngulm.
Është Abazaj që në minutën e 2-të shfaqet rrezikshëm te porta dinamovite, por portieri neutralizon gjithçka. Elbasani vetëm sulmon dhe Dinamo mbrohet, ndërsa verdheblutë shohin që me minutat që kalojnë të humbin edhe raste të pafundme. "Era" e golit po ndihej dhe në të 37-ën është Duka që godet me kokë në zonë pas një krosimi dhe sfera përfundon në rrjetë. 1-0 dhe gëzim i ligjshëm në radhët e skuadrës elbasanase, ndërsa në kampin mik pllakos heshtja.
Fraksioni i dytë i lojës nis me një tjetër ritëm, teksa janë blutë ata që marrin frenat e lojës në dorë. Luhet pothuajse vetëm në një portë, por elbasanasit mbrohen mirë.
VLADIMIR MEMA