Duke kuptuar censuren

Duke kuptuar censurën

.....Vijon nga dje

Ishte një terren ku duhej shkelur me shumë kujdes. Të mos qenit i matur, përveç ndëshkimit të përgjegjësve për lëshimet, mund të sillte një kthim të fortë pas, një humbje të asaj hapjeje që ishte fituar dalëngadalë, me kujdes e duke marrë në sy rrezikime të mundshme, në vitet pas plenumit aq shtrëngues të 1973-shit. Hapje që kishte lejuar të dilej shumë jashtë kornizës fare të ngushtë të përcaktuar nga ky plenum: të botoheshin vetëm “veprat më revolucionare, të autorëve të periudhave më revolucionare”. Hapje që kishte bërë të përmbysej raporti absurd në planifikimin e faqeve të botuara, përcaktuar nga Ministria: letërsia shqipe tri të katërtat, letërsia e huaj një të katërtën!

Është mirë të kujtojmë për lexuesin e sotëm se në ato vite të vështira ndërhyrjet në librat, nga nderimi për tekstin, bëheshin me dhimbje. Sot ndodh që bëhen lehtësisht e pa ngurrim, nga nderimi për fitimin. Dhe më e keqja është se disa ndër përkthyesit më të shqetësuar dikur për heqjet e shkurtimet në librat e letërsisë së huaj, sot duket se e kanë harruar krejt rëndësinë e këtij problemi kaq serioz.

Kjo kumtesë është mbajtur vite më parë në një simpozium për censurën, organizuar nga Instituti i Librit dhe Komunikimit. U nxita ta botoj tani në kuadrin e shkrimeve që po botohen për censurën. Është me vend t’i bëhen të ditur lexuesit të sotëm fakte të së kaluarës, jo thjesht për kureshtje. Por që të çmojë përparësitë e lirisë. Nga ana tjetër të ndërgjegjësohet edhe për rreziqet që e kërcënojnë këtë liri. Siç është ndër të tjera anarkia, shkelja e të drejtave të autorit, dhunimi i kryeveprave.

Dikur heqjet ndiqnin një orientim të detyruar, siç u argumentua më sipër. Por edhe kjo detyrë e mbrapshtë dhe e dhimbshme duhej bërë me seriozitet, në mënyrë që vepra të mos vuante edhe nga mungesë koherence. Në kuptimin që, nëse vendosej të hiqej një linjë e subjektit, ajo duhej hequr kudo, edhe në një fjalë të vetme që do ta dëshmonte ekzistencën e saj, se pastaj teksti do të dukej si përçartje e autorit. Kështu do të jetë vepruar edhe me romanin e Bëlit. Tani, Ardian Klosi pikëpyetjet e tij në shkrimin “Requiem për censurën”, botuar në “Shekulli” dt. 28.09.2008, mund t’i kishte diskutuar, e ndofta qartësuar, me një telefonatë apo e-mail. Por ne shqiptarët vazhdojmë të mbetemi të mbyllur. Dhe dihet se ç’sjell mbyllja. Sjell shpikje të së vërtetës, jo vetë këtë. Në vend që, për t’u qartësuar, të shfrytëzojmë mundësitë e komunikimit që jep e sotmja, parapëlqejmë të turfullojmë në vetmi, duke krijuar ide të gabuara për veten e për të tjerët.

Lidhur me subjektivizmin e Ardian Klosit ndaj personit tim, ky është problemi i tij. Para shumë vitesh, pasi kisha përkthyer romanin Emri i trandafilit, të U. Ekos, ai shprehu dyshimin në shtyp nëse e kisha kuptuar apo jo këtë vepër kaq të vështirë. Duke qenë vetë përkthyes duhet ta dijë se përkthyesin e ndihmojnë vërejtjet konkrete e të argumentuara e jo dyshime të turbullta të nxitura nga ndonjë hatërmbetje e vjetër këmbëngulëse prej fëmije. Nuk iu përgjigja as atëherë e as në simpoziumin për censurën, ku ngrinte pak a shumë të njëjtin problem si në artikullin e sipërpërmendur.

Tani po i referohem këtij artikulli jo me synimin që të hedh poshtë fytyrën artificiale që më vë Klosi. Besoj se kam jetuar mjaft gjatë sa të më njihet kjo natyralja që kam. As për t’iu përgjigjur me të njëjtën monedhë ironisë së tij të sforcuar e absurde me ai-ajo. Do të doja vetëm t`i jap të kuptojë lexuesit të sotëm diçka të rëndësishme: se jeta është më e ndërlikuar nga ç’mendohet. Se edhe nën një diktaturë faktori njerëzor ka gjithnjë rolin e vet për ta bërë më pak ose më shumë të rëndë gjendjen. Kjo është një temë që ka vërtet interes të trajtohet.

Në kohën kur në bibliotekat autorëve u vihej ajo R-ja ndaluese, përfshirë ato të Universitetit e përfshirë vetëcensurën nganjëherë të tepruar në leksionet; kur shtypi letrar, veç në ndonjë përjashtim të rrallë, e kishte marrë fjalë për fjalë udhëzimin: të botohen vepra të autorëve më revolucionarë e të momenteve më revolucionare; kur shtëpia botuese “8 Nëndori” e kishte hequr krejt nga planifikimi letërsinë e huaj politike, historike, sociologjike etj.; kur radioja, teatri, opera, kinemaja i kishin fshirë nga programet veprat e huaja perëndimore e lindore, në këtë kohë pra, në vitet pas atij Plenumit të IV të frikshëm e famëkeq, redaksia e letërsisë së huaj, pa u ndier, me kujdes të madh, i jepte gjithnjë e më me guxim lexuesit vepra që “prishnin natën atë që partia ndërtonte ditën”. Dhe një punë e tillë nuk mund të bëhej pa dashuri. Nuk bëhet pa dashuri të botosh autorë që të tjerët i kanë anatemuar. Nuk bëhet pa dashuri të katërfishosh dalngadalë e nga viti në vit faqet fare të pakta të planifikuara për letërsinë e huaj pas udhëzimeve të Plenumit.

Nuk bëhet pa dashuri të tregosh të gjithë vëmendjen e duhur kur dilnin probleme shkurtimesh, në mënyrë që vepra ta kalonte pragun e të mos shkonte në karton. (Nga ana tjetër ajo duhej ruajtur edhe nga dëmtimet e brendshme, nga heqjet e kota të ndonjë redaktori të paaftë e që i bëhej ferra Brahim). Do të kishte qenë e thjeshtë të veproje ndryshe: të botoje sa më pak faqe, sa më pak libra me “rrezikshmëri”, duke qenë “brenda”, se kështu zbatoje në mënyrë të përpiktë orientimet.

Dukuri të tilla ka interes të shpjegohen për lexuesin e sotëm. Edhe çështja e censurës, e mënyrës si bëheshin heqjet, është me interes të trajtohet. Por duke kuptuar e jo duke keqkuptuar. Duke hyrë në thellësi të çështjes e jo duke qëndruar në sipërfaqe. Duke mos marrë përsipër role mediumesh për “të zbuluar”, më me siguri se një medium, kënaqësi shpirtliga të paqena.

Dhe, sidomos e sa më parë, duhet marrë në shqyrtim si dhe pse bëhen sot cungimet në veprat. Që të parandalohen e ndalohen. Askush nuk po u pret rrugën sot atyre botuesve e përkthyesve të cilët (sa për të sjellë ndonjë shembull të freskët), një vepre të Stendalit, pasi kanë futur në tekstin e atij shkrimtari aq “shpirtëror” duar të fëlliqura nga numërimi i parave, marrin guximin t’ia vulgarizojnë edhe titullin me Dashnorja e Priftit. Ose në romanin E fortë si vdekja të Mopasanit të heqin nga vepra e shkrimtarit të madh ç’t’u thotë ajo mendja e pagdhendur e të shtojnë pasazhe sensuale të një niveli sa më të ulët e t’ia ndryshojnë titullin në Vajza e dashnores sime.

Në shqetësimet e njerëzve të librave, duhet të zënë vendin e parë (ndërsa s’po zënë as të fundit) problemet urgjente, ato dukuri që shfaqin një papërgjegjshmëri të kryer në sytë tanë, kërdia që bëhet një hap larg nesh. Të hidhet ky hap, të kapërcehet distanca nga vetja te bota e madhe, nga përqendrimi në gjënë tënde te shqetësimet e përgjithshme: ky është problemi që s’pret e që duhet të prekë fort ndjeshmërinë tonë.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama