Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit, Vangjel Dule, mori pjesë në një aktivitet në kujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore të zhvilluar në Boboshticë. Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule tek memorialit i ngritur, pranë varrezave të Boboshticës, i njohur për procesin gjyqësor ndaj ish-kreut të OMONIA-s së Korçës, Naum Dishos. Në manastirin e Boboshticës u mbajt mesha përkujtimore për ushtarët grekë të Luftës së Dytë Botërore.
Mesha u mbajt në gjuhën greke dhe më pas të pranishmit, midis të cilëve dhjetëra qytetarë grekë dhe anëtarë të OMONIA-s, bënë homazhe dhe vendosën kurora tek memoriali i ushtarëve grekë. Si për ironi, shumë pak kujdes u tregua për gurët e varreve të vjetër të banorëve të Boboshticës,që rrethojnë memorialin e ushtarëve grekë, të cilat përsëri u shkelën. Ndërtimi i varrezave greke është konsideruar skandal nga pala shqiptare. Skandali u zbulua në tetor të 2010-ës, kur banorët e fshatit denoncuan dhunimin e varreve të të parëve të tyre, me qëllim ndërtimin e një memoriali për ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke të viteve ‘40. Sipas banorëve, në ato varreza nuk ka pasur asnjë ushtar grek të varrosur. Menjëherë prokuroria nisi hetimet, ndërsa dosja me të pandehur kreun e OMONIA-s në Korçë dhe 2 punëtorët u dërgua në Gjykatë, gati një muaj më vonë, në nëntor 2010.
Precedenti
Në atë kohë, prokuroria do të pretendonte se këto punime janë kryer me iniciativën dhe sponsorizimin e kreut të OMONIA-s, Naum Disho, pak kohë para se në këto varreza të zhvillohej ceremonia e përvitshme në memorialin e ngritur për nder të një ushtari grek të vrarë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Disho u dënua me akuzën e dhunimit të varreve për shkak të ndërhyrjes me punime betoni në zgjerim të një platforme prej betoni dhe ngritjen e shkallëve mes për mes varrezave në Boboshticë. Por në maj të vitit 2013, Gjykata e Apelit në Korçë do t’i shpallte të pafajshëm.
Apeli i Dules për Ramën dhe Bashën
Nënkryetar i Parlamentit, Vangjel Dule, i kërkoi klasës poltike të dialogojë sepse një klimë më e qetë politike do të ndihmonte që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, pritshmëri të cilat janë mjaft pozitive pas rekomandimit që ka bërë KE. Z.Dule tha se i takon Kryeministri të vendit, pra mazhorancës që të gjejë gjuhën e bashkëpunimit politik dhe të krijojë dialog me liderin e opozitës, z.Basha. Sipas tij, kjo do të ishte e vetmja mënyrë që do të ndryshonte situatën e tensionuar politike në vend, për tu mos u penalizuar më në procesin e integrimit. “Kryeministri Edi Rama të krijojë dialog me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha për çështje ekskluzive të integrimit europian të vendit”, tha Dule.