TIRANË, 15 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut(PBDNJ), Vangjel Dule u takua pasditen e sotme me shefen e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-t, në zgjedhjet e fundit vendore, Audrey Glover.
Pas takimit, në një deklaratë për mediat, kryetari Dule përshëndeti raportin përfundimtar të misionit për zgjedhjet e 21 qershorit, duke e konsideruar ate si 'më të mirin në radhën e raporteve të misioneve vëzhguese të OSBE-së'.
Dule vlerësoi sidomos propozimin e OSBE-së që komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve të jenë jopartiake. "Për PBDNJ-në përbërja e komisioneve zgjedhore ka qënë gjithmonë rrënja e së keqes", tha Dule.
"Vetëm se kjo punë e nisur nga komuniteti ndërkombëtar, përmes OSBE/ODIHR-t, për identifikimin e problematikave të zgjedhjeve në vendin tonë, domosdoshmërisht duhet të shoqërohet me implementimin absolut të gjithë rekomandimeve, me qëllim një dhe të vetëm, nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve të juridiksionit të OSBE/ODIHR me zgjedhje problematike. Nuk na lejohet të gjendemi dhe ne mes shteteve me zgjedhje qoftë politike apo administrative me probleme", deklaroi kreu i PBDNJ-së.
Në tjetër tjetër problemi, sipas tij, që duhet t'i pritet rruga njëherë e mirë përmes ndërgjegjësimit të votuesve, por dhe masave ndëshkuese, është fenomeni më negativ që mund të ketë një proces zgjedhor, 'shitblerja e votës'. "Në zgjedhje konkurohet me ide dhe alternativa dhe jo kush e blen më shtrenjtë vullnetin e qytetarit", tha Dule.
Ai gjithashtu shprehu dhe shqetësimin që në hapësirat ku jetojnë minoritarë te përdoren fletë votimi me gjuhën e tyre amtare, një praktikë europiane kjo. /a.g/