Durimi - Poezi

Durova,
durova,
sa nuk duron njeri,
as Perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i kombit tim.

Më dhanë armë të vras
vëllanë,
sipas kanunit
të gjakut...
Po s'desha!

Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
popull pa zot -
vend boll...

Po malli i tokës s'më la,
po malli i fushës s'më la,
as gjaku i babës s'më la.

Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim...
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;

në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.

Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri
i kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.

Po dot nga toka s'u ndava
dhe mbeta të jem
ku jam
e ku do të jem.

Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s'më la.
Ah, malli i gjakut s'më la
e mbeta këtu,
rajá.

Ta shemba shqa kufirin
që ngrite ti
në vendin tim e përmbi varr
të babës tim.

Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes
dhe të urrejtjes.

Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë
që s'ka mbarim

Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,

armik - lugat,
armik -xhelat!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama