Kukësi beson te pikët e plota në finish. I këtij mendimi është edhe Klodian Duro, i cili sqaron se skuadra e tij i ka që të gjitha mundësitë që të mposhtë bardheblutë, tashmë të dalë nga gara për Europën.
Gjatë një deklarate të dhënë për "Panorama Sport" pak orë para duelit të fundit për këtë kampionat, trajneri kërkon që zona "Euro" të blindohet që sot.
"Luajmë ndeshjen e fundit të sezonit përballë një skuadre si Tirana, e cila meriton respekt. Por ne besojmë që do t'ia dalim. Kukësi ka kapacitetet e nevojshme për të korrur fitoren. Një stimul më tepër është fakti që luajmë në shtëpi dhe përballë tifozëve tanë. Do të bëjmë gjithçka që në fund të festojmë së bashku sigurimin e vendit të tretë, pozicion që të jep një biletë për në Europë.
Jemi një skuadër e fortë, e cila ka ardhur deri këtu si produkt i punës. Punë kolosale që ka startuar që në Ulqin, në muajin janar. Ka ardhur koha që të marrim frytet e punës sonë", tha fillimisht tekniku. Më tej ai flet edhe për gjendjen e skuadrës, si dhe mungesat e rëndësishme.
"Është e vërtetë që kemi pasur një kalendar të ngjeshur, por ia kemi dalë, madje dhe kur kemi pasur mungesa. Mua nuk më tremb fakti i ndonjë mungese, pasi kemi një grup lojtarësh mjaft të mirë. Kukësi përbëhet nga grupi dhe jo nga individë, paçka se gjithsecili mbart vlera. Jemi të gatshëm të luajmë kundër Tiranës dhe Laçit për finalen e Kupës. Pa më të voglin dyshim, e them që jemi të kompletuar për të qenë të suksesshëm", shtoi Duro.
E shkuara dhe finalja
Klodian Duro vlerëson ish-skuadrën, por në të njëjtën kohë shpreh keqardhje që edhe këtë vit mbeti pa Europë. Megjithatë, e shkuara nuk do ta pengojë, që sot të shijojë fitoren.
"Tirana është një klub i madh, i cili ka fituar plot 24 herë titullin në Shqipëri. Ndaj, më vjen keq që nuk është në elitën e skuadrave shqiptare, pasi nuk është në garë për kampionatin dhe nuk merr pjesë në Kupat e Europës. Si një ish-lojtar i Tiranës dhe një tifoz i saj, uroj që të rikthehet shpjet në maja. Por, në këtë sfidë, për mua do jetë dyfish kënaqësia që ndeshem kundër tyre dhe të festoj me Kukësin pjesëmarrjen në Kupat e Europës", u shpreh trajneri elbasanas. Duro nuk heziton që të flasë edhe për finalen e madhe, por fillimisht kërkon që vëmendja të jetë e gjitha te ndeshja e sotme.
"Të kalojmë me sukses Tiranën, më pas do fillojmë direkt përgatitjet për finalen. Të gjithë së bashku me presidentin, i cili është promotori kryesor i këtij Kukësi të madh dhe me të gjithë stafin, pa dyshim ne lojtarët do japim maksimumin për ta arritur këtë sukses, që të bëjmë që ky sezon të mbyllet me trofe", përfundoi trajneri i Kukësit.
Përgatiti: S.Sulozeqi