Kukësi do të luajë sot në shtëpi 90- minutëshin e dytë të ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit. Fitorja me dy gola e arritur në sfidën e parë të zhvilluar në Vlorë, i jep qetësi ekipit, që pothuajse e ka mbyllur kualifikimin për në finalen e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend.
Megjithatë, nuk është i këtij mendimi trajneri Klodian Duro, i cili në një intervistë për "Panorama Sport" ka bërë me dije se skuadra e tij e ka vlerë- suar kundërshtarin. Duro shkon edhe më tej, duke thënë me bindje se Kupa këtë sezon do t'i takojë ekipit të tij, pavarësisht se kë do të ketë përballë në finale.
Si e shihni ndeshjen ndaj Flamurtarit, duke qenë se jeni me një këmbë në finale?
Kemi hedhur një hap të madh, duke fituar ndeshjen e parë me rezultatin 0-2, por kualifikimi në Kupë realizohet pas 180 minutash lojë, kështu që nuk ka asnjë të sigurt. Megjithatë, unë mendoj se do të vijojmë serinë e rezultateve pozitive të nëntë ndeshjeve të fundit, nga të cilat kemi fituar shtatë dhe barazuar dy.
Ju penalizon fakti që nuk do të keni të gatshëm tre titullarë?
E kam thënë edhe më parë, që në skuadrën time të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Në përbërje kam shumë futbollistë që mund të luajnë pa frikë në të njëjtin nivel si ata që na mungojnë. Për mua si trajner, skuadra nuk ka asnjë mungesë.
Nga kampi vlonjat vijnë mesazhe për përmbysjen e rezultatit. Keni një koment?
Flamurtari është një skuadër që e respektoj, siç kam bërë gjithmonë kur kemi luajtur ndaj tyre. Kështu që mua nuk më intereson aspak çfarë thonë ata, më intereson vetëm Kukësi.
Cili është vlerësimi për këtë takim?
E kemi vlerësuar maksimalisht, pasi është një takim shumë i rëndësishëm duke qenë se jemi një hap larg finales. Personalisht, që në momentin e parë që jam bërë pjesë e Kukësit kam synuar fitoren e Kupës së Shqipërisë. Kjo për faktin se një skuadër e tillë nuk mund të mjaftohet me lojërat e mira, apo duke konkurruar në Kupë dhe kampionat, madje edhe duke shkuar në finale pa marrë trofe. Kukësi është një ekip që duhet të fitojë trofe dhe objektivi im është që të fitojmë Kupën e Shqipërisë.
Sa vendimtar është ky takim për kualifikimin në finale, duke parë se në sfidën e parë keni fituar me rezultat të pastër?
Ne e kemi hedhur mirë hapin e parë, kështu që në ndeshjen e nesërme (sot) duhet të hedhim hapin zyrtar për të kaluar në finalen e këtij kompeticioni. E kemi vlerësuar maksimalisht sfidën dhe mendoj se jemi në rrugën e ndeshjeve dhe rezultateve pozitive, që kemi marrë si në kampionat, edhe në Kupë. Gjithsesi, jemi me këmbë në tokë dhe shumë të uritur për të fituar sërish. Gjithashtu lojtarët janë mjaft të motivuar.
Sa i takon strategjisë së lojës, do të futeni në fushë për të sulmuar e fituar, apo për të mbrojtur rezultatin?
E theksoj se do të futemi në fushë për të vijuar ecurinë e rezultateve pozitive. Do të jemi të përqendruar dhe të motivuar, ndaj i ftoj të gjithë tifozët që ta mbështesin ekipin dhe në fund të gëzojmë e të festojmë së bashku kualifikimin në finale.
Nuk mendoni se Flamurtari mund t'ju surprizojë në shtëpi?
Nuk besoj se surprizat kanë mbetur që të ndodhin në Kukës.
Nëse arrini të siguroni një vend në finale, cilën skuadër do të preferonit si kundërshtare?
Kush ekip është në finale, e meriton të jetë aty dhe në këtë drejtim nuk kam asnjë preferencë. E rëndësishme për mua është që Kukësi të kualifikohet, pastaj këdo të kemi përpara do ta mundim. Unë dua fitimin e Kupës dhe jam i bindur se këtë sukses do ta arrijmë.