Klodian Duro nuk e diskuton fitoren në Durrës. Edhe pse e vlerëson kundërshtarin, ai gjatë një intervistë të dhënë për "Panorama Sport" flet me shumë bindje se ekipi i tij nuk do të njohë ndalesa deri në mbyllje të këtij sezoni. Fitoren me Skënderbeun e quan kulmin e kësaj ecurie, ndërsa thekson se tashmë uria për pikë u është shtuar ndjeshëm. Europën e sheh të blinduar, ndërsa nuk ndien kurrfarë kërcënimi nga Teuta apo Tirana.
Luani përballë Teutës që po ju ndjek hap pas hapi. Si e parashikon Duro këtë transfertë?
Ne kemi një ecuri fantastike. Si në lojë, ashtu edhe në rezultate. Kemi marrë maksimumin në çdo ndeshje dhe normalisht kemi arritur në një pikë kulminante, ku çdo kundërshtar na e ka frikën. Por, kjo nuk na shton vetëkënaqësinë, thjesht na shton detyrimin dhe optimizmin për të pasur vazhdimësi. Synojmë që të punojmë akoma më shumë, për të vijuar me këto rezultate.
Kukësi ka vuajtur në Durrës, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë...
Unë e respektoj Teutën, por nga ana tjetër më intereson veçse skuadra ime dhe vazhdimësia, pse jo deri në mbyllje të këtij sezoni. Jemi të gjithë të përqendruar dhe në Durrës do të shkojmë vetëm për fitore.
Sa përcaktuese është kjo sfidë për zonën "Euro"?
Nuk mendoj që është përcaktuese, pasi, pas kësaj ndeshjeje, luhen edhe 6 javë të tjera. Një gjë është e sigurt, cili ekip do të gabojë më pak do të blindojë vendin e tretë. Dhe unë mendoj që jemi ne ata që do të shkojmë në Europë, madje duke thelluar edhe diferencën me ndjekësit.
Një humbje do t'ju detyronte që të barazoheshit me pikë me Teutën?
Nuk e mendoj fare humbjen. Ne do të futemi në fushë vetëm për fitore. Kjo ndeshje ka të njëjtën vlerë si çdo tjetër, nëse ia dalim, marrim 3 pikë dhe hedhim një hap më shumë për të qenë në Kupat e Europës. Është thjesht një ndeshje radhe, ku ne të marrim tri pikët.
Në Durrës shkoni pa Edon Hasanin, një prej titullarëve më të rëndësishëm për mesfushën. Ju penalizon kjo mungesë?
Hasani është një lojtar i rëndësishëm i Kukësit, këtë e ka treguar në fushën e lojës gjatë gjithë fazës së tretë dhe të katërt. Jo vetëm me lojë, por edhe gola. Por, Kukësi nuk varet nga një apo dy lojtarë, pasi ne jemi formuar për të ecur përpara, duke sfiduar edhe mungesat. Në ndeshje të veçanta na ka munguar edhe Malota, Shameti, Lima apo ndonjë tjetër, por sërish kemi fituar. Ky ekip forcën e vet e bazon te grupi.
Veç Teutës, për vendin e tretë është në garë edhe Tirana. Cili ekip duket më "kërcënues"?
Më të rrezikshëm shoh veçse Kukësin. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, ne nuk do kërcënohemi fare për vendin e tretë. Nuk kemi në plan ta lëshojmë, madje shumë shpejt do ta blindojmë edhe matematikisht.
I druheni euforisë? Mos ndoshta jeni "velur" nga fitorja me Skënderbeun?
Ndeshja me Skënderbeun ishte kulmi i Kukësit, pasi nuk është e thjeshtë të mundesh një skuadër që prej 5 vitesh radhazi është kampione. Po ne ia dolëm, i mposhtëm në çdo aspekt. Por ai takim iku tashmë, megjithatë uria dhe morali ynë që të vijojmë me këto hapa është në nivele të larta ende. Jemi të gjithë me këmbë në tokë dhe e kemi të qartë se me atë trepikësh gjithçka u mbyll. Puna jonë vazhdon, janë edhe 7 javë për t'u luajtur deri në finish. Dhe jam i bindur, këtë e them sërish me këmbë në tokë, që ne do të vazhdojmë rrugën tonë drejt objektivave.
Çfarë ka ndryshuar te ky Kukës dhe cili është sekreti?
Forca jonë e grupit është sekreti ynë. Unë mundohem të jem harmonik dhe i hapur me futbollistët e mi. Jemi si një familje, ecim të gjithë të bashkuar drejt objektivave finale, si një trup i vetëm.
Pasi keni shkëlqyer si futbollist me ekipe të ndryshme dhe me Kombëtaren, beson Duro se edhe karriera si trajner do të jetë po kaq e suksesshme?
Kur e kam nisur këtë rrugë, e kam marrë shumë seriozisht. Punoj shumë, me qëllim që të jem sa më i mirë dhe i aftë në atë çka bëj. Me bindje, vullnet e pasion, besoj se do të eci përpara dhe do të lë gjurmë në këtë profesion. Ky është vetëm fillimi, por kur hapi i parë hidhet i sigurt të shtohet vullneti dhe dëshira për të vazhduar përpara. Do jap dijet, eksperiencën, vullnetin, vizionin tim në këtë punë, kështu që jam i bindur që rruga, edhe pse e vështirë, do të jetë e mbarë dhe e mbushur me suksese.
Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI