Duro kerkonte nje rroge shume te larte. Gjici I ofrova bonuse

Duro kërkonte një rrogë shumë të lartë. Gjici: I ofrova bonuse

Presidenti i klubit të Kukësit, Safet Gjici, në intervistën e dhënë për "Panorama Sport" flet për largimin e trajnerit Klodian Duro, ndarje e cila erdhi pas një kërkesë me parametra të larta financiare nga ana e trajnerit. Klubi e pa si një rritje galoponte të pretendimeve financiare të trajnerit dhe nuk e pranoi atë.

gjici

Presidenti Gjici e quan si të papritur këtë vendim, por nga ana tjetër bën me dije se tashmë Kukësi kalon në një stad tjetër, duke vënë në krye një trajner me eksperiencë si Hasan Lika, por dhe me stafin teknik të kryesuar nga drejtori Dervishi punët te Kukësi do ecin mbarë. Gjici theksoi se projekti i Kukësit të sukseseve do jetë akoma edhe më i fuqishëm.

Z.Gjici, largimi i trajnerit Duro erdhi si një vendim i papritur. Mund ta dimë si qëndron e vërteta?

Nuk ramë dakord për të ardhmen, pasi kërkesa financiare e Duros ishte mjaft e lartë, duhet të them e parealizueshme në kampionatin shqiptar. Unë e falënderoj Duron për punën që ka bërë te Kukësi në këto 6-7 muaj. Sigurisht, që trajneri erdhi te Kukësi pa ndonjë CV si trajner. Tani u bë me CV dhe ka ekipe të tjera ku ai mund të shkojë dhe mbase jep më shumë, gjithsesi unë e dhashë vendimin tim.

Tani që Duro nuk është më trajneri juaj, ndoshta projekti apo merkatoja që ai propozoi dhe ju ia latë në dorë ngeli përgjysmë?

Ju e dini që në Shqipëri ka presidentë fitues dhe jo fitues. Unë hyj tek ata fituesit dhe që nuk dorëzohen kurrë. Ne e kemi treguar me vepra se te klubi i Kukësit vetëm punohet dhe fitohet, ku edhe pse kemi ndërruar shumë trajnerë, prapë kemi fituar. Merkato dhe projekti bëhen nga stafi, trajneri, menaxherët, drejtori i përgjithshëm dhe presidenti. Lojtarët vijnë për klubin dhe kështu ka qenë gjithmonë, pasi ne i kemi trajtuar shumë mirë lojtarët. Kemi qenë korrektë dhe do të vazhdojmë të jemi akoma edhe më të fuqishëm në çdo element tonin, në lidhje me kontratat, kushtet dhe prioritete të tjera. Ne do bëjmë një merkato të fuqishme, do kërkojmë që të kalojmë sa më shumë ture në Kupat e Europës, madje pretendojmë për fazën e grupeve në Europa Ligë. Pastaj do të nisim betejën për titullin kampion.

klodian duro

E keni zgjedhur trajnerin e ri?

Trajner do jetë Hasan Lika, një njeri që e njeh mjaft mirë skuadrën, lojtarët dhe është pjesë e projektit. Natyrisht që do shohim që t'i sjellim një ndihmëstrajner të mirë dhe me eksperiencë, plus që me Dervishin si drejtor dhe me pjesën tjetër të stafit besoj se punët do ecin mirë. Kukësi nuk është varur kurrë nga një person, nga një trajner. Ka ardhur koha që të kalojmë në një stad tjetër, duke pasur njerëz teknicienë dhe me eksperiencë. Do të ecim dhe do jemi koherentë me ato që na presin. Ndërsa për drejtor teknik, ka kohë që të vendosim se kush do të jetë pasuesi i Likës.

Po me lojtarët "e përkëdhelur" të Duros në ekip, çfarë do të ndodhë?

Lojtarët janë të Kukësit, pavarësisht preferencave të ndryshme që trajnerët kanë. Ata paguhen, sepse kanë një kontratë dhe kështu do vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre më së miri, pasi janë profesionistë. Pastaj klubi vendos në bazë të ecurisë së gjithkujt, siç e kam thënë edhe më parë.

E kishit menduar Kukësin me Duron, mendoni që ishte e papritur kjo që ndodhi?

Ishte vendim i papritur në fakt, por në 6-7 muaj punë nuk mund të pretendosh shumë. As Josa, që ka vite kampion me Skënderbeun, nuk besoj t'i marrë, gjithsesi është vendim i tij që e lidh me financat. Unë di që i kam dhënë mundësinë që ai të punojë dhe të krijojë eksperiencë dhe të rritet si trajner te Kukësi. Sa për trofeun, apo sukseset, Kukësi ka 5 vite që punon për trofe, madje kemi arritur shumë suksese si 4 turet në Europa Ligë, apo finalet e Kupës, aq më tepër në kampionat që kemi kryesuar për muaj me radhë, por kemi çaluar në finalizimin e dy kampionateve. Kështu që Kupa erdhi për meritë të kësaj pune, të stafit, të futbollistëve, të trajnerit, të presidentit dhe më shumë të financave, sepse nëse nuk ke financa, nuk merr dot lojtarë dhe pa lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën, si do marrësh trofe?! Trajner i madh dhe me eksperiencë bëhesh kur fiton kampionatin dhe kur ke disa vite eksperiencë mbi kurriz.

A cenohet klubi nga ky vendim?

Absolutisht jo. Klubi do vazhdojë të ecë para me investime dhe koha do t'i tregojë sukseset e Kukësit. Unë e falënderoj Duron për kohën që punoi dhe kontribuoi për Kukësin. I uroj suksese kudo që të shkojë, por koha do ta tregojë se sa ndikim ka pasur klubi dhe sa ka pasur Duro në këtë udhëtim që bëmë bashkë.

Ndoshta ardhja e zotit Dervishi në krye të punëve teknike të skuadrës bëri që Duro të bjerë nga vendimmarrja dhe erdhi vendimi për largim?

Zoti Dervishi është njeri që punon në grup. Nuk ka qenë kjo, por vetëm kërkesa financiare e pakonceptueshme për një trajner, që unë e mora pa eksperiencë dhe i dhashë mundësinë për të punuar, plus bonuseve për kupën dhe kampionatin, kuptohet veç rrogës. Por pretendimet e tij u rritën në një masë mjaft të madhe, gjithsesi është e drejta e tij. Siç ju thashë, i uroj më të mirën, pasi kemi bërë një punë korrekte të përbashkët.

Si po shkon Kukësi me merkaton dhe a keni ndonjë emër konkret?

Kukësi do bëjë merkato të fuqishme. Siç e dini, ne duam lojtarë që bëjnë diferencën dhe shumë shpejt do kemi të reja. Jemi në diskutime dhe bisedime që presim t'i konkretizojmë para fillimit të Kupave të Europës. Kukësi do jetë i kompletuar dhe i gatshëm për të bërë hapin e madh.

Po në lidhje me doktorët e ekipit, çfarë po ndodh?

Jemi duke vëzhguar dhe studiuar disa doktorë të mirë në treg, kështu që edhe këtë çështje do ta mbyllim shumë shpejt.

Diskutimet për rrogën

Biseda e djeshme mes presidentit Safet Gjici dhe trajnerit Klodian Duro kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi palët janë prishur në "pazar". Biseda ka pasur të bëjë me kushtet e rinovimit të kontratës së re të trajnerit Duro te Kukësi. Burime pranë bisedës bënë të ditur për "Panorama Sport" se presidenti Gjici i ka ofruar një kontratë njëvjeçare Duros me një rrogë 5 mijë euro në muaj.

Por që këtu ka nisur mosmarrëveshja, pasi trajneri ka pretenduar 10 mijë euro rrogë mujore, pasi sipas tij suksesi i ekipit erdhi si rezultat i punës së tij në krye të skuadrës. Përveç kërkesës financiare, mësohet se presidenti i ka kundërshtuar edhe meritat që Duro ia atribuoi vetes në suksesin që ekipi arriti në sezonin e fundit, vendi i tretë në kampionat dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Mësohet se përveç rrogës mujore, presidenti Gjici i ka ofruar edhe disa bonuse të tjera Duros. Për çdo kalim turi në Europë, trajneri do të përfitonte një premio 10 mijë euro. Bonusin më të madh Duro do ta përfitonte në rast se Kukësi dilte kampion. Në këtë rast, Klodian Duro do të përfitonte 30 mijë euro, ndërsa 20 mijë euro do të ishte bonusi në rast të fitimit të Kupës. Por Duro nuk i ka pranuar kushtet e ofruara dhe në fund ka ardhur divorci i pashmangshëm me Kukësin.

Skerdilaid Sulozeqi



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama