Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të ditës sotme në qytetin e Durrësit. Dy gra të moshuara janë lidhur dhe mbytur me qese plastmasi në banesën e tyre. Gjinovefa dhe Elsa Vava, përkatësisht 70 dhe 75 vjeç, jetonin në katin e dytë të një shtëpie dykatëshe në lagjen 11 të qytetit. Dy viktimat, kunata me njëra-tjetrën, janë gjetur me duar të lidhura nga pas dhe me qese plastmasi në kokë. Nga këqyrja e trupave të tyre rezulton se vdekja u ka ardhur nga asfiksia.
Në katin e parë të shtëpisë jetonte një tjetër e moshuar në gjendje të paralizuar, e cila, sipas burimeve nga grupi hetimor, ka deklaruar se nuk ka parë dhe as dëgjuar gjë gjatë orëve të natës kur ka ndodhur dhe ngjarja e rëndë që ka shokuar opinionin publik. Pas krimit hetimet janë përqendruar në pistat e vrasjes për motive pronësie dhe të grabitjes, ndërsa në cilësinë e personave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes janë thirrur për të dëshmuar dhe shumë të afërm dhe fqinj të dy viktimave. Shtëpia dykatëshe, që ndodhet në një nga lagjet e vjetra të Durrësit, ka qenë mollë sherri midis familjeve me lidhje gjaku e krushqie mes tyre, që kanë jetuar në të.