Durres kapet ngjala e rralle 25-kilogrameshe

Durrës, kapet ngjala e rrallë 25-kilogramëshe
Një ngjalë e gjatë 165 cm dhe me një peshë rreth 25 kg është kapur në ujërat e detit Adriatik nga një anije peshkimi. Ngjala e rrallë u kap nga peshkatari i vjetër Qemal Beu, i cili rrëfen se një gjë e tillë e ka habitur shumë dhe madje ka dërguar kampione në Itali, në mënyrë që të kuptohet se ç'lloj ngjale është. Peshkatarët thonë se ajo është rreth 3 herë më e gjatë se gjatësia normale e këtyre llojeve që nuk i kalon 40 cm, ndërsa në peshën normale ajo shkon deri në 4 -5 kg. Po ngjala ka vazhduar që t'i habisë, pasi i janë gjetur vetëm putarga në bark, rreth 5 kg.

Qemal Beu thotë se kjo lloj ngjale në raste të rralla shkon në gjatësi deri në 70 cm, ndërsa e kapura ka një gjatësi prej 165 centimetrash. Ishte rasti i dytë në të gjithë periudhën e tij si peshkatar që kapte një gjah të tillë dhe thuajse në të njëjtën zonë. "Siç duket këtu kanë gjetur ndonjë vend të përshtatshëm zhvillimi, - thotë ai, - pasi kjo nuk mund të ketë shpjegim tjetër". Ai tregon se kur janë tërhequr rrjetat, mes peshqve të ndryshëm, sytë e peshkatarëve u përqendruan në një lloj ngjale të rrallë. Ngjala me peshë 25 kg dhe gjatësi 165 cm është kapur 40 milje në perëndim të brigjeve të Durrësit. Qemal Beu thotë se "bëhet fjalë për një rast unikal, ngjala kishte vezë në bark (afro 5 kg putarka) por ajo nuk shumohet në Adriatik, por afër Kubës në detin e Saragaseve, ndaj kjo është diçka e pashpjegueshme. Unë kam 30 vjet peshkatar dhe është hera e dytë që më rastis diçka e ngjashme. Për të zbardhur këtë mister të biologjisë detare kam dërguar 300 gramë vezë në institutin e peshkut në Pulia (Bari) në mënyrë që ta studiojnë kampionin e vezëve të ngjalës".

Ai shton se edhe specialistëve të Barit ky fenomen u është dukur si i pabesueshëm. Kjo ngjalë është një rekord i gjuetisë së këtij lloji për Adriatikun, pasi sipas biologëve detarë, ngjala me emerin shkencor "anguilla anguilla" nuk mund të kalojë 2 - 4 e maksimalisht 6 kg dhe në gjatësinë 40 cm. Kjo lloj specie ka një madhësi mesatare 30-40 cm. Ajo jeton nga Balltiku, në Skandinavi, nga Deti i Zi në Detin e Bardhë, nga veriu i Atlantikut në brigjet e Afrikës Perëndimore, por unikale dhe misterioze e bën këtë specie fakti se për t'u shumuar lundron me saktësinë e një busulle të pagabueshme 4000-5000 milje detare për të shkuar në detin e Saragaseve. Jetëgjatësia e saj mund të arrijë deri në 88 - 100 vjet dhe ekzemplari i kapur në Durrës sipas specialistëve është i një ngjale të moshuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama