Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku 2 persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Policia bën me dije se ngjarja u shënua mëngjesin e sotëm rreth orës 7:00, ku një person ka hapur zjarr drejt një autobusi që ishte në lëvizje. Dëshmitarët thonë se nuk e kanë parë personin, pasi ishte me një motor dhe në kokë kishte skafandër.
Në momentin e ngjarjes autobusi ishte duke ecur në rrugën e re të Kënetës dhe transportonte punëtorët drejt ndërmarrjes së rrobaqepësisë ‘Filanto’. Si pasojë, kanë mbetur të plagosur rëndë shoferi i autobusit Albert Gjeci dhe mjekja Xheni Doka, e cila ka marrë plagë të lehta në krah. Sipas dëshmitarëve të traumatizuar që kanë parë gjithë skenën autori i plagosjes, pasi ka qëlluar në drejtim të autobusit është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, ku mësohet se gjendja e drejtuesit të mjetit Albert Gjeci, 47-vjeç lindur në Spitallë dhe banues në lagjen 4 është e rëndë, pasi ai është shtruar me urgjencë në reanimacion, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ndërkohë, mjekja Xheni Doga ndodhet në gjendje më të mirë pasi ka marrë plagë të lehta në krah. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes dhe objektivi i të shtënave me armë, ndërkohë policia ka nisur hetimet për kapjen e autorit.