Një urim publik për ditëlindjen e njeriut të shtrenjtë. Kjo ishte mënyra që kishte zgjedhur një i ri durrsak për t’i përcjellë urimin të dashurës së tij. Durrsakët janë zgjuar mëngjesin e së martës me një surprizë të këndshme. Shumë kalimtarë apo drejtues automjetesh që nxitonin për në punë, nuk kishin se si të mos shihnin urimin e formuar nga tullumbace shumëngjyrëshe e ekspozuar në rrugën tregtare, shumë pranë Bashkisë së qytetit. Një zemër e kuqe që shoqëronte urimin “Gëzuar ditëlindjen!”, të linte të kuptoje se ishte një dedikim special dhe mjaft i veçantë për një person të shtrenjtë. Me sa duket, surpriza për vajzën është vendosur gjatë natës, pasi vetëm në mëngjes ajo është vënë re nga kalimtarët e shumtë.