Dvornekovic Dua te fitoj Kupen me Kukesin

Dvornekoviç: Dua të fitoj Kupën me Kukësin
mici dvornekovic

Mici dhe Dvornekoviç

Matija Dvornekoviç ishte njeriu i ndeshjes në fitoren që Kukësi mori ndaj Flamurtarit në transfertë. Sulmuesi kroat arriti të shënonte golin e fitores për verilindorët, që tani janë një hap para rivalëve në garën për vendin e tretë. Në një intervistë për "Panorama Sport", Dvornekoviç ka folur për objektivat e skuadrës, por edhe të ardhmen e tij sezonin e ardhshëm.

Sa i kënaqur je për faktin që arrite të shënoje ndaj Flamurtarit një gol trepikësh?

Ishte gol i të gjithë skuadrës dhe jo vetëm i imi. Të gjithë kanë meritë në realizimin e tij dhe normalisht që të gjithë janë të kënaqur. Por, natyrisht që unë jam më shumë i lumtur, pasi kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme.

Ke një dedikim për këtë gol?

Para së gjithash është një gol për familjen time, që më mbështet në çdo situatë, të vështirë apo të lehtë. Ata janë gjithmonë pranë meje dhe për një gjë të tillë dua t'i falënderoj.

Jua vështirësuan ndeshjen me vlonjatët mungesat që kishit në këtë përballje?

Ishte një ndeshje e vështirë, por ne ishim të përgatitur për një gjë të tillë që në fillim. Të gjithë së bashku dhamë maksimumin për të siguruar këtë fitore dhe arritëm ta merrnim.

Flitet se je një nga lojtarët më të mirë që janë afruar te Kukësi gjatë merkatos së janarit...

I falënderoj të gjithë ata që kanë këtë opinion për mua dhe jam i kënaqur që jam bërë pjesë e Kukësit. Mendoj se kam bërë një lëvizje të mirë dhe më vjen mirë që gjërat kanë ecur në rrugën e duhur. Por, gjithashtu, jam i bindur se ky është vetëm fillimi.

Kush ishte personi që të afroi në këtë skuadër?

Trajneri Klodian Duro kishte kontakt me menaxherin shqiptar, Mentor Stafa, dhe ata më bënë pjesë të Kukësit.

Sezonin e ardhshëm, Dvornekoviç e sheh veten afër apo larg Kukësit?

Kam një kontratë që më mban të lidhur me klubin deri në verën e vitit të ardhshëm. Por, më parë dëshiroj që klubi të arrijë objektivin, pra të renditet në vendin e tretë në kampionat dhe të fitojë Kupën e Shqipërisë. Më pas do të ulem me presidentin dhe do të flas për të ardhmen.

Mendon se janë të arritshme këto dy objektiva nga ekipi?

Mendoj se jemi shumë afër realizimit të tyre, por për t'i arritur duhet vetëm që të fitojmë në ndeshjet e mbetura. Hapi i parë do të jetë fitorja ndaj Vllaznisë, ndeshje të cilën e luajmë në shtëpi. Trepikëshi është detyrim për ne në këtë përballje dhe jam i sigurt se do ta arrijmë.

Nuk duhet të harroni se luani ndaj një skuadre që rivalizon për mbijetesë...

Natyrisht që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por ne do të bëjmë maksimumin tonë për të siguruar fitoren për të qenë afër objektivave, por edhe për tifozët tanë.

Në garë për vendin e tretë janë edhe Tirana e Teuta, si i shihni këto dy kundërshtare?

Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshjet tona dhe duam që t'i fitojmë ato, pa u interesuar se si dalin kundërshtarët tanë. Gara është e fortë, por Kukësi është një hap përpara tyre, si në lojë, ashtu edhe në rezultate.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama