Dy anonime per erotiken

Dy anonime per erotiken
Në "Onufri 2010" konkurruan dy punë anonime me imazhe të guximshme. Bashkë me ciklin e Heldi Pemës ato krijojnë në sallën e ekspozimit një dialog për erotikën dhe dilemat ekzistenciale. Kuratorja Varvarica për reagimin e publikut: "Është një stad pranimi shumë më i lartë se në vitet kur tema të trajtuara me imazhe të tilla konsideroheshin tabu në sallën e ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve."

Dhe një i tretë fton Jackson Pollock

Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Pamor "Onufri 2010" mbyllet nesër. Fituesit u shpallën. Juria i vlerësoi për ndjeshmërinë që shfaqnin ndaj aktualitetit, një refren që ka bërë fole në gojën e cilitdo që merret me art. Janë edhe disa një merren me një këngë të përhershme. Mund të quhej këngë mbin trupin e njeriut, mbi erosin, këngë mbi çlirimin e krijimit. Ka individë që kur flasin për këtë nuk e ndjejnë nevojën të fshihen. Ka të tjerë që anonimati ua shton guximin. "Onufri" kishte dy pjesëmarrës anonimë: "Anon" quhej njëri, "Një Njeri" quhej tjetri. Anoni paraqet një imazh fotografik të kodrës së Venusit, të dubluar, dhe të formuar si një ishull i izoluar mes këmbëve. Mban titullin "Me mend në cock - Me këmbë në tokë". Nga kuratorja Suzana Varvarica Kuka, mësojmë se autori/autorja nuk jeton në Shqipëri. Përgjigja e tij/e saj për temën e diskutimit të ekspozitës, "Unë jam Arti-st" tregon se njeriut i diktohen lëvizjet dhe i lejohet të mendojë shumë pak, njeriut i mësojnë të jetojë një jetë konvencionale me të mira dhe të këqija, pa provuar asnjëherë të mirat dhe të këqijat e mëdha.

Anonimi që e ka quajtur veten "Një Njeri", në 69 fletë e paraqet lojën e sekseve si spektakël, me shenja të larmishme, me humor dhe ironi, në trajtë reale, sureale, të abstraguar. Kuratorja e edicionit të 17-të të Onufrit, që këto dy vjet është konceptuar vetëm si ekspozitë e artit pamor mbarëshqiptar, e shpjegon në intervistë se ajo e kishte menduar qëllimisht prezantimin pranë e pranë të punëve të dy autorëve anonimë plus një cikël në media mikse të Heldi Pemës, për të krijuar një rrymë dialogu mbi tema që nuk kanë zënë vend sa dhe si duhet në mes tonë. Të trija punët, thotë ajo, janë një mënyrë e të shprehurit figurativ dhe baza që i nxit është thellësia e natyrës së brendshme të njeriut. Varvarica mundohet të japë në shpjegim për reagimin e publikut para lakuriqësisë dhe e cilëson një stad pranimi shumë më të lartë se në vitet kur "tema të trajtuara me imazhe të tilla konsideroheshin tabu në sallën e ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë."

Intervista

Në "Onufri 2010" na kishin tërhequr vëmendjen dy punë anonime. Ju e shtytë më tej interesin tonë: bashkë me ciklin e Heldi Pemës ato krijojnë në sallën e ekspozimit "nyjet në vijë të drejtë" të lidhura nga erotika dhe dilemat ekzistenciale.

Çfarë përbën ky thelb në ekspozitën që keni kuruar?

Është një vijë horizontale që e pret tërthorazi informacionin e "Onufrit" të sivjetëm, që provokon dhe i sugjeron publikut pamje më konkrete të individit. Kam dëshiruar që kjo linjë ta intrigonte mendjen e vizitorit dhe pashë se ishte një matës i mrekullueshëm i nivelit të edukimit të publikut shqiptar për të qëndruar ballazi veprave të tilla, i interesuar që të njohë idenë e artistit dhe veten përmes saj. Pashë që instrumentet e një mentaliteti të "turpit" ende ndikojnë te shikuesit. I shkaktojnë atij turbullira.

Duke biseduar me njerëz me formim të ndryshëm kulturor e qytetar, kam mbetur e befasuar nga idetë e tyre për këto tri punë.

Të trija kanë në situatën e tyre krijuese aktin e të menduarit, aktin e kënaqësisë intelektuale, aktin e pavarur ekzistencial të artit. Të tre artistët vlerësojnë çastin e krijimit si pjesë e ideve dhe sipas mendësisë së kohës sonë, ata na kanë dhënë nudo impresive, duke na sugjeruar njëherësh për të qenë të hapur e tolerant, për ta pranuar këtë dialog mbi ekzistencën tonë, si pjesë e pandarë e thelbit për të cilin ju pyesni.

Anonimi i parë, Anon, shqetësohet për humbjen e forcës së vetëdijes, që vendin e saj e ka zënë trupi, një masë mishi që dikton një jetë po aq konvencionale sa mungesa e lirisë.

Ju si e komentoni fotografinë "Me mend në cock - Me këmbë në tokë"?

Është një nga veprat që më ka tronditur sapo e kam parë, jo për zhveshjen totale, as për organizimin e një pubisi të dyfishtë, por sepse në vetvete vepra është provokative për përmbajtjen, mendjen dhe syrin tonë të brendshëm, të cilat i fshehim. Ishte dëshirë e tij apo asaj që jeton jashtë Shqipërisë që të mbetej anonim në këtë ekspozitë.


Ai ose ajo e bën këtë, për të qenë palë dhe njësh me veprën e krijuar. Këmbët e kontraversuara janë shenja të kuptimeve të shumëfishta. Ai ose ajo na fton të mendojmë me mendjen e kokës, pra me arsyen e zhvilluar në mesin e tolerancave njerëzore dhe jo me mendjen e cock-ut, pra me mendjen e molepsur e të ngushtë të një individi. Unë e kam parë dhe pranuar veprën e ANON-it si simbol i një njeriu me personalitet të formuar mirë, të çliruar moralisht nga opinionet skematike.

Anonimi i dytë e prezanton veten si "Një njeri". Ndryshe nga Anon, me 69 fletët e ditarit, ai paraqet një obsesion: çlirimi i energjisë seksuale si të ishte një e drejtë e nëpërkëmbur.

Kjo është një përqasje korrekte, por unë do ta anashkaloja paksa atë "të drejtën e nëpërkëmbur" që thoni ju.

Unë pranoj që "Një njeri" na ka treguar se në çastet e 69 vizatimeve është plotësisht i qartë, i lirë, i kënaqur, i shpenguar, i pashqetësuar, është me veten e tij, luan dhe gëzon si një fëmijë dhe një i rritur di. Më e natyrshmja është se me lojën e tij njerëzore ai nuk provokon, por na jep mundësinë e informimit të çasteve më intime të artistit, të njeriut.

E kam vendosur këtë punë në një linjë me dy të tjerat sepse e justifikon mënyrën e pranimit të dimensionit erotik nëpërmjet cilësisë së lartë artistike të 69 fletëve të titulluara "Artisti është një njeri".

Ç'rëndësi ka emri dhe mbiemri i artistit si te ANON, si te Një Njeri?

Tek vizatimet-instalacion, në zhvillim e sipër, "kriza" e Një Njeri flet me gjuhën e sloganit të një fushate publicitare për pijet energjike: Çliroje bishën tënde. Fluturo.

"Një Njeri" mendon se anonimati e mbron prej asaj atmosfere false që ende serviret nga sisteme të cilat e bartin fshehtaz moralin në një kuti. Një moral të ndarë nga përballja me zgjuarsi dhe tolerancë me mendjen e hapur dhe syrin e brendshëm të cilat ANON na sugjeron t'i përdorim në vëzhgimet dhe gjykimet tona.

"Një Njeri" dëshiron të tregojë lirinë e kënaqësisë seksuale si një lojë e bukur, vitale dhe aspak e fshehtë e njeriut të përditshëm. Ai apo ajo nuk provokon me negativen, tabunë, nuk kritikon, nuk gjykon. Ai udhëzon për të pranuar shijimin e kënaqësisë sublime të lindur me njeriun dhe të përmbushur bashkë me të.

"Një njeri" e ka vendosur objektin e shqetësimit te tij prej "njeriu pa cilësi" në faqet e një kalendari religjioz, katolik. Pse thoni ju?

Fletët e kalendarit kristian të përdorur nga Një Njeri, janë vetëm një pjesë në pirgun e fletëve te punëve të tij. Sa shumë mund të flitet rreth këtij fakti? Së pari, kompozimi i çdo flete vizatimi të instalacionit kërkon këmbëngulje për ta shijuar dhe vëmendje për ta ndjekur fletë për fletë.


Çka është më e domosdoshme, kërkohet që vizitori të qëndrojë e të survejojë me kërshëri çdo figurë simbol apo shenjë e vizatuar, për të zbuluar informacionin e gjerë artistik dhe ideor që përcjell vepra. Asnjë prej simboleve nuk izolohet, por kërkon të shoqërizohet duke e dhënë të qartë qëllimin e instalacionit.

Do ta pranonit idenë time po t'ju thosha se artisti ka dashur të tregojë që ideologjia kristiane dhe seksualiteti i njeriut kanë jetuar dhe do të jetojnë ballë për ballë deri në fundi? Apo të thosha se një fletë e kalendarit kristian është e barabartë me një burrë apo grua me veladon të cilit artisti i kujton ekzistencën seksuale? Por natyrisht mund të thosha edhe se artisti as nuk e ka vënë re se ku ka vizatuar, pasi fletët janë të shumëllojta, e kjo ka ardhur rastësisht.

A është flagrante natyra e imazhit të punëve aq sa dy autorët mos të "guxojnë" të identifikohen me emrin e vërtetë?

Jo. Nuk kam këtë ide. Imazhet janë flagrante për ata që ende tremben nga trupi i tyre i zhveshur. Anonimati i dy pjesëmarrësve në "Onufri 2010" lidhet me shkrirjen e artistit tek njeriu. Pra ata sugjerojnë se artisti është një njeri si gjithë të tjerët, i cili në të dy rastet ka marrë përsipër ta afrojë këtë njeri të zakonshëm tek artisti, ta nxjerrë jashtë nga kutia e tij e errët dhe e ftohtë.

Heldi Pema i referohet një përkufizimi personal të Xhekson Polok mbi të pavetëdijshmen në pikturën e ekspresionizmit abstrakt. Sipas jush ç'lidhje reflekton ky cikël i punëve të Pemës me natyrën e artit, harmonisë dhe erotikës?

Heldi Pema është artisti më i pavarur i ekspozitës. E them këtë pasi ai krijon duke qenë i lidhur ngushtësisht me zinxhirët e procesit krijues. Ekzistenca e Pemës është e lidhur vetëm me natyrën e artit, pra me vetë artin.

Gjithsesi ai kërkon të shformojë situata duke formuar situata të reja. Këto situata të reja janë përshtatje figurative harmonike me gëlltitje aty-këtu erotike, por jo plotësisht të tilla. Cikli i tij figurativ përball tek shikuesi një kompleks situatash racionale përmes një veprimi irracional, plot kreativitet në elemente të shpallura shpejtë, momentale dhe jo narrative. Aftësia krijuese e artistit iu ka dhënë harmoninë.

Ju e përmendët pak reagimin e publikut...

Reagimet dhe opinionet kanë qenë të ndryshme dhe intriguese. Kam parë të çliruar para veprës së Anon-it një grua të respektuar, plot dinjitet e të mbuluar me veshje muslimane, e cila e vështronte me kujdes si çdo punë tjetër të ekspozitës. Kishte të tjerë që i largoheshin sapo e vinin re zhveshjen.

Disa nuk kanë arritur ta kuptojnë këndvështrimin artistik të Anon-it. Disa kanë buzëqeshur, duke ndjekur një pas një 69 vizatimet e Një Njeri. Disa kanë pëlqyer delikatesën figurative të Pemës. Por askush nuk u revoltua, as nuk u zhgënjye prej linjës së ndërtuar me veprat e këtyre tre artistëve në "Onufri 2010".

Me çfarë e pasuron Onufrin kjo "trio"?

Të gjithë shtrirjen figurative të "Onufrit" e pasuron me pika të nxehta emocionale. Ato janë një mënyrë e të shprehurit figurativ dhe baza që i nxit është thellësia e natyrës së brendshme të njeriut. E pasuron me disa figura të cilat duan të tregojnë se janë dhe do të jenë të pranishme në mënyrë krejt të natyrshme.

Nga ana tjetër, jo më pak e rëndësishme, këto punë shprehen për një gjendje të normalizuar dhe për një stad pranimi shumë më të lartë se vite më parë, kur tema të trajtuara me imazhe të tilla konsideroheshin tabu në sallën e ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Dhe së fundmi, ato janë aty pasi janë kërkesë dhe domosdoshmëri e një grupi artistësh që dëshiron të bashkëbisedojë me shoqërinë njerëzore përmes gjeneve, shqisave dhe ideve që tentojnë të shkatërrojnë kutitë e ngushta të mendjes njerëzore, për të na bërë të vetëdijshëm, pra lirë, të ndryshëm dhe me dinjitet.

Diçiturë:

Me mend në cock-Me këmbë në tokë
2010
Fotografi
25 x 170 cm

Teksti shoqërues i ciklit të Heldi Pemës:

"Kur unë pikturoj, nuk jam i ndërgjegjshëm se çfarë po bëj. Nuk kam frikë të bëj ndryshime, të shkatërroj imazhin, etj., sepse piktura ka një jetë të sajën, të pavarur. Unë përpiqem ta ndihmoj që të vijë në jetë. Vetëm në ato raste kur unë humbas kontaktin me pikturën, rezultati del i rrëmujshëm. Përndryshe ka harmoni totale, një marrëdhënie të lehtë, dhe piktura del mirë." -

J.Pollock
"Pa titull"
2010
Mixed Media
30 x 40 cm

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama