Xhonsoni kthehet sikur ta ketë goditur njeri me shuplakë. Të mbjellësh trëndafila e pemë mund të konsiderohen si huqe xhentëlmenësh, por të pastrosh me grabujë është punë që u takon shtresave të ulëta të popullsisë.
Por lulishtari nuk ka ndër mend të heqë dorë nga e tija. Xhonsoni, emri i të cilit është Aleksander Boris de Pfefel Xhonson, i duhet të ngjitet përgjatë një shtegu dhe të grumbullojë gjethet e kalbura e degët e thara që gjenden përdhe. Pasi e bën këtë vëren se edhe pantallonat e stofit i janë bërë për të ardhur keq. Por, të paktën për herë të parë, nuk fajëson për dëmin 62-vjeçarin Ken Livingston, kryetarin e Bashkisë së Londrës për këto tetë vjetët e fundit. Llangosja e pantallonave është ndoshta i vetmi problem për të cilin Xhonsoni nuk fajëson kundërshtarin e vet, "Redin e Kuq (apo Red Kuqin)" gjatë fushatës aktuale për postin e kryetarit të bashkisë.
Xhonsoni deri tani ka bërë ç‘i ka ardhur ndoresh për të bërë përgjegjës Livingstonin për çdo problem që vërehet në qytetin më të madh dhe më të shtrenjtë të Evropës Perëndimore. Lista është e pafundme.
Shtrihet nga vrasjet mes adoleshentëve, të cilat shkaktuan 26 viktima vitin që shkoi dhe 11 deri tani që po flasim, deri te autobusët e rinj super të gjatë, të cilët, sipas Xhonsonit, nuk kanë vend në Londër, por "në ndonjë aeroport të Skandinavisë". Në listë nuk mund të mungojnë edhe rënia e mundësisë për blerjen e shtëpive, si edhe taksa e përditshme 25 sterlinëshe (49 dollarë) të cilën kryebashkiaku aktual kërkon t‘ua ngarkojë të gjithë drejtuesve të fuoristradave të mëdha, të njohura nga londinezët si "traktorët e Çelsit" (për shkak të lagjes së pasur të Çelsit).
Pastaj vijnë rrugët për biçiklistët. Xhonsoni është i njohur për faktin se shkon në punë me biçikletë, duke bërë përpara me vështirësi mes rrugëve të mbushura me makina e deri tani me autobusët tipikë dykatësh. Thotë se duhet më shumë hapësirë për biçiklistët. Kërkesa që duken disi të pabesueshme kur thuhen nga goja e dikujt që gjatë një fushate elektorale është shprehur: "Po të votosh për konservatorët, gruaja jote do ketë gjinj më të mëdhenj, ashtu si do kesh edhe shanse më të mëdha për të ngarë një BMW M3".
"Kjo fushatë nuk është aspak ndonjë show televiziv e tipit ‘Big Brother‘", paralajmëroi kryebashkiaku Livingston në fillim të betejës elektorale. Ndërkohë që beteja për kreun e bashkisë së këtij qyteti të klasit të parë është kthyer tamam në një "reality TV show" ku sharjet bëhen me fjalë të përzgjedhura me kujdes. Nga njëra anë qëndron Xhonsoni, një burrë që e ka bërë publik emrin e vet falë batutave e romuzeve në ekranin e televizionit. Nga ana tjetër qëndron Livingstoni, ish-rebeli majtist, i cili e ka menaxhuar qytetin me sukses të pabesueshëm që nga çasti kur vuri këmbë në zyrë në vitin 2000 - por që njëherësh është kthyer në një figurë aspak popullore.
Ose e thënë në një formë tjetër: nga njëra anë kemi Xhonsonin, produkt i shkollave të shkëlqyera Iton dhe Oksford, stërgjyshi i të cilit, Ali Qemali, shërbeu në rolin e ministrit të Brendshëm në Perandorinë Otomane, dhe me një stërgjyshe skllave të blerë si e tillë nga i shoqi. Nga ana tjetër qëndron Livingstoni, bir i një detari dhe një artisteje cirku, i cili nuk i lejoi as Margaret Theçer dhe as Toni Blerin ta nxirrnin jashtë nga politika, dhe që madje ka edhe ndër mend të organizojë një festë gjigante në sheshin "Trafalgar" të Londrës për nder të 50-vjetorit të marrjes së pushtetit nga ana e diktatorit kuban, Fidel Kastro.
Fëmijë jashtë martese
Kryeministri britanik, Gordon Braun, ka shumë të ngjarë t‘i presë me ankth të fortë zgjedhjet e 1 majit. Nëse konservatorët shtien në dorë zyrën e kryetarit të bashkisë për herë të parë pas 27 vjetësh, me shumë gjasa sot arrijnë të dëmtojnë rëndë edhe popullaritetin e Kryeministrit. Si mund të arrijë partia e tij të mbajë pas vetes votuesit nëpër zonat e largëta kur këtë nuk është në gjendje ta bëjë as në kryeqytetin kozmopolit?
Rruga "Kilbur Haj" e Londrës është një zonë ku kulturat e ndryshme përplasen, jetojnë krah për krah e ndonjëherë edhe ndahen. Është një vend ku funksionojnë kartat telefonike të Karaibeve, ku flokët krihen sipas modelit indian, ku gëlojnë zyrat irlandeze të basteve dhe shihen shumë të dehur, madje edhe në orën 11 të paradites. Ndërsa Ken Livingston ecën rrugës i shoqëruar nga oficer policie, një grua e re xhamajkane del me shpejtësi te dera e parukerisë së saj dhe i thotë me zë të lartë: "Ngjatjeta, Kryetar, kur do vini t‘ju bëjmë biond"?
Livinstoni i kthen një buzëqeshje të lodhur. "Më kanë mbetur shumë pak flokë, kam frikë se nuk do mund të bësh ndonjë gjë të madhe", i thotë.
Livingstoni ka ardhur në këtë distrikt për prezantimin e një konference të quajtur "Policia në Londrën e shekullit 21". Por nuk ka pasur shumë fat. Rudi Xhuliani, ish-kryetari konservator i Bashkisë së Nju Jorkut përbënte modelin ku bazohej për çdo gjë ka arritur deri sot analogu i tij majtist në Britani: Krimi është ulur me 20% që në vitin 2004. Rastet e krimeve janë ulur me 28 për qind. Janë punësuar me mijëra policë të rinj. E megjithatë, asnjë nga këto arritje nuk duket të ketë vlerë të veçantë - votuesit, megjithatë, kanë frikë. Një natë më parë, një 14-vjeçar u godit me thikë për vdekje vetëm pak qindra metra nga vendi ku po kalon Livingstoni.
"Ku ka gjak ka edhe lajme në faqe të para të gazetave", thotë me zemërim. Livingstoni reflekton mëri. Po humbet mbështetjen e shtresës së mesme të të bardhëve, e cila e konsideron arrogant dhe të vështirë për t‘u mbajtur nën kontroll - si një lloj autokrati ekscentrik që e konsideron postin si të tijin dhe se nuk duhet ta lëshojë sa të jetë gjallë.
Nuk i pëlqejnë pyetjet. Disa kohë më parë nisi të shfaqej para Këshillit të Qytetit të Londrës në orën dhjetë të mëngjesit me gotë uiski në dorë. Thoshte se i nevojitej për të lagur fytin gjatë sesioneve të gjata pyetje-përgjigje. Kritikave iu përgjigjej duke iu referuar huqeve të Uinston Çurçillit. "Kur nuk e pengoi atë në shkatërrimin e forcave më të errëta që ka parë njerëzimi", tha, "nuk do më pengojë mua të vazhdoj të drejtoj londinezët".
Por gota e uiskit në dorë nuk është çudia e vetme e administratës së Livingstonit. Këshilltari i tij i superpaguar për çështjet e minoriteteve është një tjetër. Li Xhasper i dhuroi rreth 100 mijë euro nga fondet publike një gruaje të martuar dhe shoqatës së saj përpara - sipas "Times" dhe gazetave të tjera - përpara se të bënte të qartë përmes një e-mail-i se kishte raporte shumë të afërta me të. "E dashur, dua të të shijoj në ndonjë ishull të shkretë", shkruhej në mesazhin që solli dorëheqjen e Xhasperit, ku vazhdohej me fjalët "dua të të ndez dalëngadalë, përpara se të hidhemi në përqafimet e nxehta".
Po kështu, me mjaft habi u prit edhe fakti se - tamam në mes të fushatës - Livingstoni kishte edhe tre fëmijë nga ç‘kishte pranuar deri në atë çast.
Ndoshta jo rrënim për Londrën
Ndërkaq, ajo që mund të thuhet mbi njeriun që ka ndër mend të "pastrojë" Londrën është se ka njëfarë talenti për rregullin.
Në ambientin aristokrat të Boris Xhonsonit "rregulli" mund të përkufizohet si mungesë imagjinate. Kështu, nga kandidati i zjarrtë mund të pritet një mandat jo i zakontë në postin e kreut të bashkisë. Hoqi dorë nga puna e parë në detyrën e konsulentit të menaxhimit vetëm një javë pasi kishte filluar. "Mendojeni pak vetë", kishte shpjeguar më pas, "Nuk mund të kem para syve një projekt shpenzimesh e fitime dhe të mos më bjerë të fikët".
Vullneti i tij për të thyer tabu e ndërmarrë rreziqe e kanë kthyer Xhonsonin në një yll televiziv. Për njëfarë kohe publikoi të përjavshmen konservatore "The Spectator" ku u përfshi në një aferë të shumëpërfolur me një gazetar. Kjo i kushtoi edhe largimin e përkohshëm nga kabineti i konservatorëve, por arriti të kthehej përsëri në vitin 2005. Njihet si orator brilant dhe autor i batutave aq të goditura sa edhe cinike. Gjatë një takimi në kuadrin e fushatës, tha se metroja e Londrës, me turmat që shkonin e vinin pa pushim, është "një ferr ku të mbyt era e sqetullës".
Sondazhet e deritanishme tregojnë se mania për të ruajtur traditën e Xhonsonit, kombinuar me mosbesimin që kanë londinezët ndaj Livingstonit, mund të bëjnë që Xhonsoni të jetë kandidati më i mundshëm për të fituar postin. Ka pak të ngjarë që ta rrënojë qytetin, ku kryetari i bashkisë gëzon autoritet të pakufizuar vetëm mbi çështje transporti publik dhe forcat e rendit.
Por mund të rrënojë partinë e vet. Fitorja e Xhonsonit pritet me aq padurim sa edhe me frikë nga konservatorët - duke qenë se çudirat e tij nuk kanë reshtur kurrë dhe duke parë as që ka ndër mend të heqë dorë, frika nga ndonjë proçkë e mundshme rrezikon të dëmtojë shanset e partisë në zgjedhjet e përgjithshme kundër Gordon Braunit.
Por duket se titulli i kryetarit të Bashkisë së Londrës është diçka që Xhonsoni nuk e ka me ndonjë qejf të madh. Tregohet një histori, sipas së cilës, një prej anëtarëve të stafit të vet i tha që më 24 gusht duhet të shkojë në Pekin për të marrë flakën olimpike, e cila duhet të udhëtojë në Londër, duke qenë se qyteti do presë Lojërat Olimpike të vitit 2012. Xhonsoni rendi menjëherë te kalendari dhe pasi e këqyri për disa çaste me vëmendje tha: "Por gjatë asaj jave do jem në Toskanë!"
Nga Gazeta Shqip