Nuk është afër, por edhe jo aq larg sa të mos shikohet me sy të lirë, pasi gjendet 640 vjet dritë larg Tokës. Ai do të transformohet në një supernova, një shpërthim jashtëzakonisht energjik, i cili përbën fazën finale të evolucionit të një ylli. Rasti i Betelgeuse, i cili ndodhet relativisht afër nesh, do të jetë i dukshëm edhe ditën. Sidoqoftë, ekziston një largësi e madhe mes Tokës dhe këtij ylli. Mjafton të mendosh që drita e diellit arrin në planetin tonë për 8 minuta, ndërsa dritës që vjen nga Betelgeuse, tani dhe gjatë supernovës, do t'i duhen 640 vjet.
Kjo dukuri ka ndodhur edhe më parë. Kështu, në vitin 1054, kinezët panë të shndriste në qiell një yll gjigant. Në 1572, danezi Tycho Brahe observoi një të tillë dhe gjithashtu edhe Kepleri e Galilei në 1604 e kishin ndjekur me sy të lirë këtë fenomen.
Ku përfundon materia yjore? Një sasi e jashtëzakonshme neutrinesh shpërndahet me shpejtësinë e dritës në të gjitha drejtimet dhe vjen në Tokë pa pengesa. Elementët kimikë dalin jashtë, por në rastin e Betelgeuse, nuk do ta arrijnë kurrë planetin tonë sepse lëvizin me një shpejtësi më të vogël se ajo e dritës. Në tokë do të arrijnë rrezatime energjike, rreze gama, rreze X dhe ultravioletë, por para se të prekin sipërfaqen e tokës, ato do të përthithen nga atmosfera. Por, përtej shkencës së astronomisë, për kushedi të satën herë ky lajm lidhet me të ashtuquajturin apokalips të vitit 2012. "Ngjallja e panikut është mënyra më kriminale për të përhapur shkencën" , sugjerojnë shkencëtarët.