Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj, kanë folur sot për herë të parë para mediave pas marrjes së detyrave të rëndësishme. Të përfolura shumë në media për shkak të moshës së re dhe mungesës së eksperiencës në administratë ato kanë kërkuar besim dhe kanë garantuar se do të luftojnë korrupsinin. Fjalimet e tyre ngjanin shumë dhe kishin nota emocionale në kërkesën për tu mos paragjykuar për detyrën që u ishte ngarkuar nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Brisida Shehaj, drejtoreshë e Tatimeve, bëri një prezantim të vetes. “Besimi i investuar tek unë është shumë i madh. Jam rritur në një familje njerëzish të zakonshëm, dhe i kanë shërbyer me korrektesë shtetit shqiptar. Dhe unë këto i kam mësuar. Kam mbaruar studimet për administrim binzes, dhe kam punuar në sistemin bankar. Deri para dy ditësh isha në atë detyre, por aty kam mësuar shumë. Kam ndjekur zhvillimet ekonomike e politike në vend. Po kështu kam ndjekur mënyrën sesi ka ecur biznesi gjatë këtyre viteve.” Ajo paralajmëroi ndryshime në administratë. “Do të ketë ndryshime në administratën tatimore, dhe këtë mund ta realizojmë së bashku. Detyra ime që të vendos administratën tatimore në funksion të biznesit. Për këtë nevojitet dialog dhe partneritet”, u shpreh Shehaj.