Ndodh edhe kështu. Pas vetëm tri jav ësh bashkëpunim, FSHF ka larguar nga detyra e ndërlidhëses për marrëdhëniet me publikun të Kombëtares (enkas për mediat ndërkombëtare) austriaken Karin Vitasek.
Kjo ndërprerje bashkëpunimi mësohet se ka ardhur për shkak të dyshimeve që ka pasur institucioni i futbollit shqiptar për informacionet që austriakja u servirte gazetarëve të huaj në lidhje me skuadrën.
Burime të "Panorama Sport" pranë Kombëtares tregojnë se Karin Vitasek jepte informacione më shumë seç duhej për mediat ndërkombëtare dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Xhani De Biazi, e gjithashtu drejtuesve të FSHF-së.
Dekonspirimi i disa informacioneve që lidheshin direkt me skuadrën në stërvitje, e veçanërisht te mediat zvicerane, ka bërë që nga dje austriakja të mos jetë më pjesë e stafit që merret me marrëdhëniet me publikun të Kombëtares në rezidencën e përkohshme në Francë.
Në fakt, vetë FSHF-ja nuk e ka prezantuar asnjëherë specialisten e marrëdhënieve me publikun që vinte nga Austria.
Megjithatë, fakti që ajo është shfaqur në konferencat për shtyp pas ndeshjeve ka shtuar kuriozitetin se pse është bërë së fundmi pjesë e Kombëtares.
Vetëm dy ditë më parë, Vitasek ka qenë në sallën e konferencave pas ndeshjes me Zvicrën, duke qëndruar në krah të trajneri De Biazi dhe përfaqësuesit të zyrës për shtyp në institucionin e futbollit, Tritan Kokona. Austriakja kishte një kontratë të përkohshme, por dyshimet e fundit të drejtuesve të FSHFsë bënë që marrëveshja të ndërpritej para kohe.
FSHF hesht - Gazeta ka kontaktuar dje zyrën për shtyp të FSHF-së për të marrë një reagim në lidhje me këtë çështje.
Por interesimit për arsyen e largimit të austriakes, askush nuk i është përgjigjur. Gjithashtu institucioni i futbollit nuk ka bërë asnjë njoftim në faqen zyrtare në internet, ndërkohë që dje lajmi ka qarkulluar në rrjetet sociale.
Specialistja e "PR" (marrëdhënieve me publikun) është larguar nga rezidenca e kuqezinjve gjatë ditës së djeshme, në një kohë që burime pranë FSHF-së i thanë gazetës se palët kanë rënë dakord për të mos bërë asnjë njoftim në lidhje me këtë lëvizje.
Ndoshta gjithçka është lënë në heshtje për të mos i prishur imazhin austriakes, që erdhi në ndihmë të Kombëtares për të plotësuar stafin administrativ, duke qenë se për herë të parë skuadra merr pjesë në Europian dhe në këtë situatë të re i nevojiteshin specialistë të marrëdhënieve me publikun. Kjo ishte e domosdoshme për raportet me mediat e huaja.
ENIAR IBRO