E braktis i fejuari ajo e denoncon si te marre peng

E braktis i fejuari, ajo e denoncon si të marrë peng
Ngjarja është njoftuar dy net më parë në Tiranë dhe deri paraditen e djeshme mendohej si rrëmbim i pastër. Burimet policore shpjeguan se në orën 02:30, një vajzë, e cila është prezantuar me emrin Lola Oruku, 22 vjeçe, ka telefonuar në sallën operative dhe ka rrëfyer se dy persona kanë rrëmbyer të fejuarin e saj, Ardian Oruku. Vajza e re ka treguar në telefonatën e saj se jetonte në një banesë private pranë godinës nr. 22, në Qytetin Studenti.

 Me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e grupit të gatshëm në postën e policisë të Qytetit Studenti, të cilët kanë marrë kontakt me vajzën e re. Ajo është shoqëruar në ambientet e policisë dhe është marrë në pyetje nga një oficer i policisë gjyqësore. Sipas denoncimit, ajo ka qenë duke ndenjur bashkë me të fejuarin e saj në banesën e marrë me qira. Më tej ka treguar se kishte pak kohë që kishte ardhur në Tiranë. Me të "rrëmbyerin" ishte fejuar para pak kohësh dhe një javë më parë kishin nisur të bashkëjetonin. Sipas 22-vjeçares, lindur dhe banuese në fshatin Rukaj të Burrelit, rreth orës 02:30, në banesën e tyre, kanë ardhur dy persona që nuk i njihte.

Ata kanë marrë të fejuarin e saj, Ardian R. 22 vjeç (identiteti i plotë nuk publikohet për arsye hetimore) dhe me një makinë janë larguar nga aty. Në këto kushte, policia ka rrethuar gjithë zonën dhe ka nisur kontroll për personat e dyshuar mbi këtë ngjarje. Por, gjatë gjithë natës nuk ka dalë në dritë asnjë fakt i ri. Ndërsa paraditen e djeshme, patrullat e policisë kanë mundur të gjejnë personin e denoncuar si të rrëmbyer dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ai është marrë në pyetje nga një oficer i policisë gjyqësore nga seksioni kundër krimeve seksuale dhe lirisë së personit, por ka deklaruar se nuk ishte rrëmbyer.

Ai ka shpjeguar për uniformat blu se ishte larguar me dëshirën e tij dhe kishte vendosur që të ndahej me të fejuarën, sepse nuk e donte më. Por, sipas policisë, meqë ai jetonte në të njëjtin fshat me të fejuarën, kishte vendosur mos t‘i tregonte për ndarjen. Versioni i dhënë nga ky person nuk i ka bindur uniformat blu, kështu që është urdhëruar edhe shoqërimi i vajzës denoncuese për të zbardhur të vërtetën.

Kjo e fundit, e identifikuar si Eriola D., ka deklaruar në polici se nuk ishte në dijeni të një fakti të tillë dhe se kishte menduar se e kishin rrëmbyer të fejuarin e saj. Përballë këtyre dëshmive, policia e ka pushuar çështjen e rrëmbimit, megjithëse mbeten ende dyshuese rrethanat e ngjarjes. Policia tha se pas sqarimit, materialet i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama