E bujshme, Armando Sadiku mund të firmosë për Gallatasarajin. Burime të sigurta të "Panorama Sport" treguan dje se sulmuesi kuqezi ka arritur një marrëveshje me ekipin e famshëm turk dhe tashmë pritet vetëm konkretizimi i transferimit.
Zyrihu kërkon të paktën 4 milionë euro nga shitja e Sadikut, në një kohë që pak ditë më parë presidenti i klubit zviceran ka deklaruar se sulmuesi vlen 9.5 milionë euro. Megjithatë, gazeta mëson se gjatë orëve të fundit ka pasur negociata të avancuara mes përfaqësuesve të dy klubeve dhe është gjetur gjuha e përbashkët. Sadiku ka munguar në seancat e ditëve të fundit stërvitore me Zyrihun, pasi është nisur me urgjencë drejt Turqisë.
Mendohet se sulmuesi ka kryer edhe testet mjekësore për t'i hapur rrugën transferimit. Nuk dihen ende detajet e kontratës, por gjithsesi në orët në vijim do të mësohet më shumë nëse do të realizohet ky kalim i bujshëm i sulmuesit të Kombëtares në klubin e madh turk. Dje ka qenë e pamundur të kontaktoje me elbasanasin, edhe pse gazeta u mundua t'i merrte një reagim.
Nga sa mësohet, klubi turk është bindur për vlerat e Sadikut në Europianin e Francës, ku sulmuesi shënoi edhe golin e vetëm të Shqipërisë në fitoren ndaj Rumanisë. Ndërsa për të hedhur hapin e madh, palët kanë negociuar pak ditë më parë, kur Zyrihu luajti një miqësore kundër Gallatasarajit dhe u mund me shifrat 3-0. Në këtë test Sadiku nuk u aktivizua dhe kjo krijoji jo pak habi. Si mediat turke, ashtu edhe ato zvicerane, nuk dhanë asnjë detaj nëse mes dy klubeve kishte bisedime për shqiptarin. Edhe vetë klubi i Zyrihut ka preferuar të mos japë asnjë të dhënë për të ardhmen e sulmuesit.
Gjatë kësaj periudhe kanë qarkulluar emrat e shumë skuadrave që kërkojnë sulmuesin, por me sa duket kanë qenë turqit, ata që së pari kanë bindur Zyrihun, që disponon kartonin e Sadikut. Në kampionatin turk aktivizohet edhe sulmuesi tjetër i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, pikërisht në një prej skuadrave të Stambollit, Istanbul Basaksehir. Tashmë pritet që dy sulmuesit kuqezinj të jenë si rivalë në Turqi.
Olsi Tujani