"Pol Pogba shkon nga Juventusi te Mançester Junajtid". Mediat ndërkombëtare raportojnë se pas tërheqjes së Realit të Madridit, marrëveshja mes klubit anglez dhe atij italian është gati.
Sipas "Sky Sports", bardhezinjtë do të përfitojnë 100 milionë euro, ndërsa 23 milionë të tjera janë bonuse dhe pjesa që do të përfitojë Mino Rajola për marrëveshjen e lidhur.
Palët duket se kanë rënë dakord për një kontratë katërvjeçare dhe Pogba nga ana e tij do të fitojë 14 milionë euro në vit.
Shifrat e çmendura kanë bërë xhiron e mediave ndërkombëtare dhe në vijim pritet zyrtarizimi i marrëveshjes.
Gazeta italiane "Corriere dello Sport" shkruan se kalimi i Pogbasë te Junajtid është një marrëveshje që në tërësi shkon në shifrat e 200 milionë eurove.
Më herët, mediat angleze kanë bërë të ditur se skuadra e Real Madrid ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga gara për të blerë Pol Pogba. Klubi spanjoll kërkonte mesfushorin francez të Juventusit, por nuk mund të paguajë shifrën e çmendur të kartonit të tij.
"Sky Sports UK" ka bërë të ditur se Florentino Perez ka udhëzuar stafin e klubit që të mos vazhdojë më negociatat si me palën italiane, ashtu edhe me menaxherin e futbollistit, Mino Raiola, pasi nuk ka ndër mend që të paguajë shifrat e larta që përfshin një marrëveshje e mundshme.