E bukura e valleve tona qendron te emocioni

E bukura e valleve tona qendron te emocioni
Vallëzimin popullor shqiptar, si një art ku shkrihen lëvizjet, plastika koreografike, fjala poetike, drama, muzika, Riselda Sejdia e ka bërë objekt studimi në librin Etnokoreologjia e folklorit shqiptar (Botimet Pegi, 2012). Autorja, pedagoge e koreografisë në Universitetin e Arteve, krahas shfrytëzimit të burimeve në Arkivin e Etnokoreologjisë, ka bërë një punë kërkimore në terren, në Tiranë, Kavajë, Gjilan, Gostivar. Ajo i referohet traditës së regjistrimeve etnokoreologjike në Shqipëri, që zënë fill me ekspeditën gjermano-shqiptare të vitit 1957, dhe me ekspeditat shqiptarorumune më pas. Sejdiu (1984) është autore e librave “Danci Modern dhe Lëvizjet Bazike” (2011), “Danci modern në pedagogji” etj..

Kur flasim për vallet popullore, më së pari, çfarë është për t’u veçuar?

Kur flasim për vallet, karakteri i tyre i brendshëm sinkretik gjithmonë duhet parë i lidhur ngushtë me fillimet muzikore e poetike. Kostumet, ngjyrat, ekspresiviteti, plastika e zhdërvjellët, janë elemente falë të cilave emocioni merr rrol të veçantë. Them se emocioni është ajo që duhet veçuar në vallet shqiptare. Ndërkohë që historia zhvillohet, së bashku me të ndryshojnë traditat e zakonet e popujve si pjesë e pandarë e historisë, por në thelb dhe në synim vallet, këngët, muzika dhe kostumet, si elemente të pandara të folklorit të çdo populli të çdo krahine, mbeten të njëjtat.

Si do ta përkufizonit “të bukurën” në koreografinë folklorike?

Folklori ynë ka pasur dikur dy funksione të qarta: funksionin artistik dhe atë praktiko- utilitar. Ky i dyti ka ardhur duke u rrudhur në dobi të funksionit artistik që ka për qëllim ta përcjellë të bukurën në valle si një përjetim emocional. Por e bukura është e shumanshme dhe e gjithëpranishme. Duke nisur që nga momenti në të cilin je duke krijuar një koreografi, duke e realizuar këtë lëvizje koreografike në momentin dhe në kohën e caktuar. Hapat, lëvizjet e duarve, të këmbëve, të kokës, mimika e fytyrës, plastika trupore dhe dinamizmi shpirtëror, të gjitha këto udhëhiqen nga “bukuria”.

Libri juaj i kushton një kapitull më vete Nexhat Agollit. Cili është kontributi i tij në pasurimin e vlerave etnografike shqiptare?

Nexhat Agolli njihet si një ndër specialistët e fushës së etnokoreologjisë, jo vetëm për sa u përket regjistrimeve në terren, por dhe për realizimet e tjera shkencore, studime, monografi, gjithnjë në këtë fushë. Krahas kësaj, Agolli është marrë dhe me zhvillimin e festivaleve folklorike në nivel lokal dhe kombëtar. Regjistrimet e para në Shqipëri në fushën e etnokoreologjisë janë realizuar në vitin 1957, nga studiues shqiptarë dhe gjermanolindorë. Më pas në vitin 1959 u realizua ekspedita shqiptaro-rumuno. Falë këtyre bashkëpunimeve Nexhat Agolli kryen një kurs specializimi në Bukuresht dhe ai kthehet në Shqipëri me një përvojë të pasur mbi regjistrimin e valleve popullore. Falë kontributit të tij sot ne kemi një arkiv të etnokoreografisë. Agolli ka regjistruar në terren në Lumë të Kukësit, në Librazhd, Dibër, Fier, Lushnjë, Gramsh, Elbasan, Shkodër etj.

Folklori mbetet i njëjtë thoni ju, por brezat ndërrojnë, ndërron edhe qëndrimi i tyre ndaj pasurive të traditës. Ka diçka për t’u komentuar në raport me zhvillimet e sotme?

Duhet thënë se brezat e rinj janë të përfshirë nga socializimi, i cili krijoji një kulturë të re, me epërsi të shumanshme. Kjo kulturë, bashkë me funksionet e saj bashkëkohore, ka mënjanuar mjaft elemente të kulturës popullore tradicionale. Megjithatë, nuk mund të themi që ky lloj funksionimi është mohim i kulturës popullore, por mbështet dhe trashëgon traditat e saj ekzistuese.

Si pedagoge në UA, sa të interesuar i shikoni studentët për këtë pasuri folklorike?

Sot kushtet për të mësuar e për t’u informuar janë kaq të sofistikuara e të larmishme, por për fat të keq janë fare pak ata që e marrin seriozisht studimin. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama