“Jam shumë e kënaqur që jam këtu. Në fakt nuk mund të mos bie dakord me gjithçka që Kryetari i Bashkisë, z. Basha tha. Jemi këtu, për të festuar këto ditë arti të cilat janë të shkëlqyera. Unë jam Eliza Dushku, jam aktore ndërkohë që jam një qytetare mjaft e re shqiptare, vetëm vitin e kaluar unë kam marrë nënshtetësinë. Do të doja t’ju thoja se kjo është një përvojë mjaft e re. Unë kam ardhur këtu sëbashku me familjen time, sëbashku me fotografin e nderuar z. Fadil Berisha, në mënyrë që ne të festojmë dhe në fakt ky është një festim. Jemi shumë të kënaqur të shohim këtë lloj ndërthurje të artit, arkitekturës dhe të festës që ne bëjmë këtu.
Në fakt, jemi këtu për të festuar Tiranën dhe jam këtu gjithashtu për të treguar premierën e dokumentarit tonë, “E dashur Shqipëri”, letra ime e dashurisë për këtë vend. Është shumë kënaqësi të them se kemi marrë mbështetje edhe nga vende të ndryshme të rajonit, Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera të cilat do ta shfaqin këtë premierë në të gjithë kinematë e tyre, ndaj do të doja t’ju thoja se për mua është vërtet një emocion i jashtëzakonshëm dhe jam jashtëzakonisht e kënaqur që gjendem këtu dhe të festojmë sëbashku”,-tha Dushku.
Sakaq ditët e para të muajit tetor e kanë shndërruar kryeqytetin shqiptar në qytetin e artit, modës, urbanistikës dhe arkitekturës. Bashkia e Tiranës tha se shpirti i së bukurës simbolizon më së miri kryeqytetin e shqiptarëve.
Në sheshin “Skënderbej” janë mbledhur së bashku aktorë të Hollivudit, fotografë, modele e stilistë me famë botërore e arkitektë të njohur, e gjitha me iniciativën e Bashkisë së Tiranës, për t’i dhënë këtij qyteti atë që meriton, më të bukurën në art, arkitekturë dhe urbanistikë. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i shoqeruar nga aktorja me famë botërore Eliza Dushku, fotografi Fadil Berisha modelja Lu sierra, Ema Savah, e me përfaqesues të studios “Grimshaë”, kanë parë nga afër punimet e bëra nga arkitektë vendas dhe të huaj, për terminalin e ri të pasagjerëve.
“Sot, në këtë pjesë të sheshit “Skënderbej” ndërthuret arti, arkitektura, kinematografia, pra shpirti i së bukurës i cili simbolizon më së miri kryeqytetin e shqiptarëve. Nga njëra anë kemi eskpozitën e mbi 40 punimeve të Universitetit “Polis” dhe partnerëve të tij ndërkombëtarë, për terminalin e ri të pasagjerëve, terminal i cili do të nisë të ndërtohet brenda një kohe të shkurtër, në partneritet me korporatat më të mëdha evropiane dhe BERZH dhe do i hapë rrugë projektit tonë madhor, bulevardit të ri të Tiranës dhe atij të tramit. Së bashku me ne kemi dhe përfaqësuesin e “Grimshaë” i cili sot edhe dje ka prezantuar para Bashkisë së Tiranës konceptet për profilin e bulevardit dhe për aspekte të tjera të këtij projekti madhështor, shpresojmë që ashtu siç kemi rënë dakord, brenda fundit të vitit, ne të demostrojmë para qytetarëve se si do të duket ky bulevard dhe të bëjmë përgatitjet, për të nisur punën në muajt e parë të vitit që vjen”,- tha Basha.
Sakaq bashkia njofton se sot kanë startuar dhe 24 aktivitetet e “Tirana Art Days”. Bashkia e Tiranës tha se Eliza Dushku, Blerim Destani, Fadil Berisha, Lu Sierra, Marigona Dragusha, Anxhela Martini, Ema Savah, Krenare Rugova, Feyzie Camer kanë mbërritur në kryeqendrën e shqiptarëve, për të ndarë me ne, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, suksesin, famën dhe talentin e tyre. Sipas saj të apasionuarit pas fotografisë, pikturës, skulpturës, arkitekturës, muzikës, historisë, kinematografisë, do të gjejnë atë që duan, në 24 aktivitetet që do të zhvillohen në datat 4, 5 dhe 6 tetor, në Tiranë.