Kryeministri çek, Petr Nekas, ka dhënë dje dorëheqjen pas deklaratave se shefja e stafit të tij, njëkohësisht e dashura, ka rekrutuar agjentë të qeverisë për të përgjuar gruan e Kryeministrit. Nekas, 48 vjeç, është përfshirë në një sërë skandalesh që kanë të bëjnë me kreun aktual dhe ish-kreun e Agjencisë Sekrete Ushtarake dhe tre ish-politikanë të partisë së tij, i akuzuar për ryshfet apo keqpërdorim pushteti. Skandali që e “fundosi” atë, ishte arrestimi i asistentes së tij më të ngushtë dhe shefes së stafit të kabinetit, Jana Nagyova, e cila akuzohet se ka urdhëruar shërbimet sekrete të përgjojnë tre persona, përfshirë gruan e Nekas. Kryeministri tha se nuk kishte dijeni për përgjimin, por tashmë dorëheqja e tij ka rrëzuar të gjithë qeverinë.