Vend të veçantë në diskutim ka zënë dhe një klauzolë e propozuar nga Komisioni Europian, e cila i jep të drejtë një enti të caktuar që të tërhiqet nga një shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të autorit, kur nuk është I kënaqur me të, duke administruar vetë këto të drejta ose duke ia kaluar një shoqate tjetër. Pothuajse të gjithë diskutantët pohuan se një gjë e tillë do të krijojë pabarazira dhe deformim të konkurrencës ndërmjet subjekteve të vogla dhe atyre të mëdha e më të fuqishme. Gjithashtu u diskutua gjerësisht lidhur me marrëdhëniet ndërmjet shoqatave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të autorit në vende të ndryshme të Europës.
Në këtë panel, kërkesa e përbashkët e pjesëmarrësve ishte që Komisioni Europian të konsultohet më mirë e më shumë me grupet e interesit dhe t’i shohë me frymë më praktike aspektet e ndryshme përpara se të hartojë e miratojë direktiva e rregulla të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat, përfitimet dhe rreziqet e artistëve.
Në një panel tjetër të posaçëm u diskutua për ndikimin e rregullave të konkurrencës mbi artistët e vetëpunësuar. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, përfaqësuesi shqiptar Ibrahimi foli mbi punën e bërë mbi mbrojtjen dhe përfaqësimin sa më të mirë të të drejtave të artistëve shqiptarë. Duke iu referuar mungesës së traditës në këtë fushë për shkaqe tashmë të njohura të trashëgimisë moniste, ai përmendi përpjekjet që bën sindikata me institucionet e ndryshme shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, e sidomos rritjen e nivelit të pagës gjatë tetë viteve të fundit.