Në rastin e ngadhënjimit të Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që për mua paraprakisht nuk vihej kurrsesi në dyshim, mëvetësia dhe pavarësia e Shqipërisë, për mendimin tim ishin të siguruara. Të dy këto Fuqi, të cilat qysh nga lindja e Shqipërisë, kanë mbajtur një qëndrim miqësor ndaj saj dhe kanë marrë përsipër solemnisht mëvetësinë e Shqipërisë, do t'i mbanin edhe në të ardhmen premtimet e tyre. Mposhtja e Fuqive të Boshtit, sipas bindjes sime, kishte kuptim të njëjtë me ndarjen e Shqipërisë mes Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Në shpalljen time drejtuar popullit shqiptar, unë i pata premtuar atij që, qoftë larg apo afër, do të kisha vetëm një shqetësim, dhe kjo do të ishte puna e mëtejshme për mirëqenien e atdheut tonë shqiptar. "Unë as kam hequr dorë ndonjëherë nga froni i Shqipërisë, e as kam shprehur qoftë edhe mundësinë e një dorëheqje të tillë." Gjatë luftimeve në Perëndim dhe në Lindje, mendimet e mia janë vërtitur paprerë rreth Shqipërisë.
Jatë periudhës që nuk ndodhesha në front, kam punuar për vendin tim me aq sa e lejonin kushtet dhe jam përpjekur që të mos i shkëpus lidhjet me të dhe me shqiptarët me banim jashtë vendit.
Mbas mësymjes së parë austro-hungareze kundër Serbisë në pranverën e vitit 1915, gjatë kohës kur po planifikohej një mësymje tjetër me përkrahjen gjermane, unë nëpërmjet letrës sime të datës 24 shkurt 1915, i drejtova Lartmadhërisë së Tij Perandorit Gjerman kërkesën për t'u përfshirë në komandën e lartë të armatës që do të caktohej për të luftuar kundër Serbisë.
Me këtë rast parashtrova se u kisha premtuar shqiptarëve që vazhdonin të qëndronin besnik sepse, sapo të më krijoheshin mundësitë, do të rikthehesha në Shqipëri. Këtë premtim të dhënë, për aq sa do varej nga forcat e mia, unë do të kisha dëshirë ta mbaja. Duke patur parasysh se në gjithë vendin atmosfera e përgjithshme anonte nga ana ime, teksa edhe kundërshtarët e mi të mëparshëm ishin kthyer në favorin tim, mirëpo rruga detare vazhdonte të ishte e bllokuar për mua, kisha dëshirë që në kuadrin e suksesit të padiskutueshëm të ofensivës së re, të rikthehesha në Shqipëri nëpërmjet rrugës tokësore që kalonte nëpër Serbi. Hulumtimet e bëra pranë Ministrisë së Jashtme Austriake kishin treguar që ajo miratonte plotësisht planin tim.
Në vazhdën e hulumtimeve të mia pranë Qeverisë gjermane, mësova që në këtë vështrim Gjermania do t'i përshtatej qëndrimit austriak. Ndërkohë, e në mënyrë të veçantë gjatë ditëve të para të marsit 1915, marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Italisë u përkeqësuan aq shumë, saqë pritej fillimi i luftës midis këtyre vendeve e prandaj hëpërhë as që mund të bëhej fjalë për një mësymje të dytë kundër Serbisë. Në këto rrethana Lartmadhëria e Tij Perandori, qe i mendimit që tani për tani dërgimi im pranë ushtrisë austriake nuk do të ishte dobiprurës.
Ndërsa më vonë, kur u vendos përnjimend mësymja gjermano-austro-hungareze, gjatë një sondazhi që bëra rishtas për të saktësuar qëndrimin ndaj planeve të mija vura re që tani për tani Qeveria e monarkisë danubiane, nuk ishte e prirur për t'i pranuar ato. Mirëpo, në anën tjetër, nuk qeshë në gjendje të mësoj se cilat ishin pak a shumë planet e saj të ardhshme për sa i përket qëndrimit ndaj Shqipërisë.
Unë nuk njoh ndonjë shkak për të shpjeguar këtë qëndrim kundërshtues të asokohshëm të Austrisë, i cili bie ndesh me qëndrimin e saj të mëparshëm e që ndërkohë mund të mbështetet vetëm në hamendësimin e ndonjë pale të informuar jo mjaftueshëm ose gabimisht, në mënyrë të paplotë ose të pasaktë, e cila nuk e njihte qëndrimin tim besnik ndaj monarkisë danubiane.
Prandaj, me gjithë pikëllimin tim, isha i detyruar të hiqja dorë hëpërhë nga dëshira ime (që ishte njëkohësisht edhe dëshira e zjarrtë e pothuajse të gjithë shqiptarëve), për të marrë pjesë në mësymjen kundër Serbisë e për t'u rikthyer kështu në vendin tim. Mbas pushtimit të plotë të Serbisë dhe të pjesës më ta madhe të Shqipërisë, një rrymë e përdokohshme në Austro-Hungari për shkak të shoshitjeve apo hamendjeve, siç theksova edhe më sipër, të panjohura prej meje, por gjithsesi të gabuara, mbajti një qëndrim akoma më të përmbajtur ndaj meje.
Kjo gjë është përshkallëzuar deri sot në një masë të atillë, saqë jo vetëm janë bërë përpjekje për të ndërprerë, nëpërmjet censurës e sipas mundësive, plotësisht çdo lloj kontakti me shkrim apo telegrafik të shqiptarëve me mua, sundimtarin e tyre të ligjshëm, por edhe për të penguar kontaktet e mia me shkrim e të drejtpërdrejta me shqiptarët me banim në Austro-Hungari dhe Bullgari.
Unë kam marrë, megjithatë, në rrugë të tërthorta mesazhe me shkrim dhe me gojë, të cilat dëshmojnë në mënyrë të përsëritur besnikërinë e palëkundshme, jo vetëm të shqiptarëve të shquar, por edhe të vetë popullit ndaj meje.
7 marsi, dita e mbërritjes sime në Shqipëri, është kremtuar posaçërisht në të gjithë vendin. Në anën tjetër, një numër i madh telegramesh e letrash, që më ishin dërguar me këtë rast, janë ndalur nga censura.
Shqiptarë, të cilët vinin tek unë drejtpërdrejtë nga Shqipëria, për të më sjellë letra e për të dëgjuar prej meje dëshirat e planet e mia, më kanë thënë që "dëshira e njëzëshme që mbizotëronte në Shqipëri, ishte rikthimi im". Portreti im ishte përhapur në gjithë vendin e gjithkund bisedohej për hapat që duheshin ndërmarrë për rikthimin.
Kjo gjendje shpirtërore e popullit tim besnik shqiptar, njihej më së miri edhe prej organeve austro-hungareze. Njerëzit ankoheshin përgjithësisht që Austria nuk u kishte dhënë ende shqiptarëve asnjë përgjigje për të gjitha pyetjet që kishin të bënin me të ardhmen e vendit.
Si rrjedhim shumëkund shqiptarët, të cilat ç'është e vërteta i kishin përkrahur me të gjitha mënyrat trupat austro-hungareze dhe me mijëra kishin luftuar krah për krah tyre kundër armikut të përbashkët, kishin filluar të humbisnin tashmë besimin te Austro-Hungaria. Në thirrjen drejtuar shqiptarëve, të lëshuar prej komandantit të trupave pushtuese austro-hungareze me rastin e përvjetorit të parë të futjes së trupave në Shqipëri, ushtria perandorake dhe mbretërore cilësohet si mike dhe çlirimtare e Shqipërisë.
Në këtë thirrje, ç'është e vërteta, miratohet e drejta e vetëqeverisjes, ndonëse mungon çdo referencë ndaj pavarësisë e mëvetësisë së Shqipërisë nën qeverisjen time, të garantuara në fakt asokohe solemnisht në vendimet e Fuqive të Mëdha, përfshirë edhe Austro-Hungarinë. Mirëpo shí këtë gjë dëshiron të dëgjojë populli i etur për liri dhe liridashës shqiptar. Përmbajtja e kësaj thirrjeje duhet kuptuar padyshim vetëm në frymën që Austro-Hungaria, duke u mbështetur në detyrimet e marra përsipër prej saj, dëshiron ta cilësojë si diçka të vetëkuptueshme, të drejtën e shqiptarëve për ekzistencën e tyre vetjake kombëtare, por jo se don ta cenojë këtë mëvetësi shtetërore, pra të shkelë fjalën e dhënë.
Gjithsesi për sa kohë që Austro-Hungaria nuk do të theksojë në një mënyrë plotësisht të kuptueshme edhe për shtresat e popullit të thjeshtë, se kjo thirrje nuk përbën ndonjë sulm mbi të drejtat e mia të sundimtarit të një principate të pavarur të Shqipërisë, shqiptarët do të vazhdojnë të hedhin vështrimin plot shqetësim drejt një të ardhmeje të pasigurt e nuk do të mund të kapërcejnë kurrsesi mosbesimin e krijuar. Mosbesimi, një mosbesim që dëmton vetëm çështjen e Fuqive të Boshtit dhe u ofron armiqve të tyre tema të reja për zhvillimin e propagandës në vend, mund të ishte mënjanuar me lehtësi të madhe! Gjithsesi në fakt edhe sot jemi ende në kohë për kapërcimin e këtij mosbesimi.
Fuqitë e Boshtit kanë nevojë për ushtarë. Në Shqipëri mund të sigurohet lehtësisht një numër shumë më i madh ushtarësh se deri tashti, të cilët po të jenë të ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për lirinë dhe mëvetësinë e vendit të tyre dhe të drejtën e sundimtarit të tyre të ligjshëm, do të luftonin me entuziazëm kundër forcave të Antantës.
Mirëpo, në këtë rast, parakushti kryesor është që shqiptarët të jenë të sigurtë se mbas luftës nën drejtim tim, e princit të tyre të ligjshëm, do të krijojnë sërish një vend të pavarur. Prandaj lind nevoja që unë të rikthehem në vendin tim, ose të paktën, të kem marrëdhënie të patrazuara me nënshtetasit e mi, për të patur mundësi t'iu zotohem për garancinë e marrë prej të dy Perandorive, që Shqipëria jonë do të jetë sërish e pavarur nën qeverisjen time. Në interes të sigurimit të paqes në Gadishullin Ballkanik, do të ishe tejet e dëshirueshme që të dyja Fuqitë Perandorake të më garantonin qysh tani zyrtarisht, që në konferencat e ardhshme të paqes, kur këto të kenë të bëjnë me vendet e Ballkanit, unë do të jem i përfaqësuar nga një njeri i autorizuar prej meje.
Dëshiroj të theksoj edhe njëherë këtu shprehimisht se në vitin 1913, jam caktuar prej gjashtë Fuqive të Mëdha si Princi i Shqipërisë dhe mbas mbërritjes sime në Shqipëri, jam njohur prej tyre dhe nga një numër i madh shtetesh të tjera. Ndërkohë, si pasojë e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, i detyruar për t'u larguar përkohësisht nga vendi im, nuk kam hequr dorë nga asnjëra prej të drejtave dhe kërkesave të mia dhe NUK jam i prirur të heq dorë prej tyre. Kur u largova nga Durrësi, unë premtova të rikthehem sapo të më krijohet mundësia dhe të punoja për të mirën e vendit tim, kudoqoftë që të ndodhem. Me gjithë pëshpëritjet e kundërta që u fryjnë në vesh, qindra-mijëra njerëz kanë besim te fjala e Princit të tyre, mbajtjen e së cilës unë e konsideroj detyrimin më të lartë për nderin tim.
Nëse ne i akuzojmë armiqtë tanë për faktin se në ditët e sotme, fjala e një mbreti ose princi nuk ka më asnjë vlerë, unë gjithsesi nuk dua t'i zgjeroj akoma më tepër radhët e këtyre zotërinjve, por dua të mbaj një qëndrim të atillë, që të më lejojë të shoh lirisht në sy secilin prej nënshtetasve të mi deri në fund të jetës sime. Mbas çlirimit të Polonisë të dyja Perandoritë, janë posaçërisht të interesuara t'i japin një shtysë të mëtejshme famës së tyre si mbrojtëse të shteteve të vogla, duke e rivënë sa më shpejtë që të jetë e mundur Shqipërinë si shtet të pavarur në udhëheqjen e Princit të saj të ligjshëm.
Ky vend, që me simpatitë e tij është rreshtuar qysh në fillim përkrah Fuqive të Boshtit, e më vonë ka ndihmuar aktivisht për të përzënë jashtë kufijve të tij pushuesit e Aleancës Katërshe, e meriton një gjë të tillë më tepër se çdokush tjetër. Asgjë nuk do ta përforconte më tepër besnikërinë ndaj çliruesve të tij, se sa lufta sup më sup me ta deri në ngadhënjimin përfundimtar të çështjes së përbashkët dhe "për lirinë dhe mëvetësinë vetjake".
Kështu dot nxiten dhe përforcohen vyeshëm lidhjet e ngushta me Fuqitë e Boshtit. Lufta e përbashkët kundër italianëve, do të mbrujë tejet ngushtësisht lidhjet e simpative për Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë. Ruajtja miqësore e këtyre lidhjeve, do të përbëjë synimin e përpjekjeve të mia më të fuqishme. Pjesë nga Denkschrift über Albanien, përkthyer nga gjermanishtja nga Pjetwr Rodiqi
Promemoria e Vilhelm Vidit
Ndërkohë që iniciativa private po merret me ideimin e një agjende aktivitetesh kushtuar dy njëqindvjetorëve mjaft të rëndësishëm historikë, vjen për herë të parë në shqipe, Promemoria e Princ Vidit për Shqipërinë.
Vilhelm Vid (Wilhelm Wied, 1876-1945) u zgjodh mbret i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Për gjashtë muaj ai pati qendrën e mbretërisë së tij në Durrës, mars-shtator 1914.
Problemet e shumta me qeveritë lokale dhe pengesat që në mënyrë të veçantë i solli "turkoshaku" (siç e quan në kujtimet dhe promemorien e tij Vidi) Esat Pashë Toptani me të tijët myslimanë që kishin pozita të forta në Shqipërinë e Mesme, ishin nga faktorët kryesorë që e shtynë Princin të largohet "për pak kohë nga vendi" pa u dorëhequr kurrë, në prag të Luftës së Parë Botërore.
Promemoria është një tekst i shkurtër dhe i ngjeshur për nga pikëpamjet e Princit mbi mbështetjen e Fuqive të Mëdha që duhej të gëzonte Shqipëria e tij, po edhe për nga shpresa, dyshimi dhe mosbesimi që ai shpreh për të ardhmen e vendit.
Analizon situatën para zgjedhjes së tij, gjendjen e kufijve në fillim të vitit 1914.
Ai ndërthur kujtime dhe përshtypje vetjake kur përshkruan Ismail Qemalin, Esat Pashë Toptanin, krerë të qeverive lokale dhe skicon këtë tablo: "Në ç'mënyrë princi i ri, pushteti dhe përkrahja e të cilit, mbështetej vetëm në famën që gëzonin Fuqitë e Mëdha dhe në frikën nga vullneti i tyre i fortë dhe i njëzëshëm, do të mund të vendoste rendin në një vend të shpartalluar e pa kurrfarë rregulli, kur qysh në fillim të dy këtyre faktorëve u ishin lëkundur themelet!"
Po botojmë një pjesë nga promemoria (Skanderbeg Books, 2010), e përkthyer nga Pjetër Rodiqi prej origjinalit Denkschrift über Albanien, botuar në Berlin më 1917. Pavarësia, nderi, besnikëria, fjalë që mbreti për gjashtë muaj i shqiptarëve i pikëlluar pret t'i përligjë nëse një ditë do të kthehej në atdheun e tij Lindor.