E drejta nderkombetare sublimim i integrimit europian

E drejta nderkombetare, sublimim i integrimit europian

Autori bën kirurgjinë mendore të marrëveshjeve të Esat Toptanit me Pashiçin dhe Jovanoviçin, si dhe të marrëveshjes së Zogut me Pashiçin. Por substanca kryesore e librit të Krisafit, lidhet me ngjarjen më tronditëse që njihet si Pakti Detar, një akt më i rëndë se pazaret diabolike të Zogut dhe dajës së tij, Esat Toptanit...

Ksenofon Krisafi është një personalitet i vërtetë i rrafsheve politike, historike dhe juridike. Mund të shtoj se ngrihet mbi shumë të tjerë për kohezionin moral dhe shkencor, për vizionin dhe qartësinë. Dituria e tij universalizohet si konceptualizim i kulturës juridike.

Qytetërimi modern është në thelb qytetërim juridik. Kjo është optika e Krisafit. Mekanizmi mendor i ideve dhe i artikulimeve ballafaquese. Libri i tij Për Tokën dhe Detin e Shqipërisë është pa dyshim – e them me bindje të thellë këtë gjë – një nga librat më të rëndësishëm të këtyre 20 viteve të fundit në Shqipëri.

Rëndësia është predikat dhe perspektivë e temës madhore, e integritetit gjeografik dhe shtetëror të Shqipërisë. Temë me përparësi të padiskutueshme. Temë e rëndë testamentale për sot dhe për tërë gjeneratat.

Përtej çdo retorike folklorike, Krisafi parashtron, nyjëton, strukturën e ndërlikuar të problematikës me një kthjelltësi përfundimtare dhe të paepur, të logjikës përcaktuese juridike, sidomos të së drejtës ndërkombëtare, ku ai spikat si njohës i thellë dhe mjeshtër i analizave komplementare mbi çdo boshllëk, trillim dhe doktrinë të rreme antishqiptare.

Ky libër i vërtetë dhe i mrekullueshëm merret me historitë e trishta (do të nënvizoja edhe të tmerrshme) të shekullit XX të cedimeve (padrejtësive) të territoreve shqiptare. Kjo është një çështje kapitale, asnjë indiferencë, intrigë, apo komplot i kuintave apo prapaskenave të sofistikuara, nuk ka tagër mbi të! Absolutisht jo!

Është e pabesueshme të mendosh se si ndaj kombit shqiptar janë tjerrë pezhishka merimangash, përbindësha, për të alambikuar “teori” të rreme dhe kriminale kundër ekzistencës së kombit shqiptar, të copëtimit prokustian të trojeve shqiptare.

Ksenofon Krisafi i denoncon këto shtjellime groteske antishqiptare me çiltërsinë, me të vërtetën e pambuluar dot të djalit që tha mbreti është lakuriq!. Dhe nuk jemi në përrallën e famshme të Andersenit, por në realitetin e egër dhe të rrezikshëm të shekullit XX.

Autori bën kirurgjinë mendore të marrëveshjeve të Esat Toptanit me Pashiçin dhe Jovanoviçin, si dhe të marrëveshjes së Zogut me Pashiçin – ndoshta ndër dokumentet më të turpshme në historinë europiane të politikës, ku formulat antishqiptare dhe antikombëtare të të ashtuquajturave “nene juridike” (në fakt antijuridike) të këtyre marrëveshjeve të kobshme konceptualizonin zhdukjen, apo zhbërjen e kombit shqiptar dhe për më tepër të institucionit të shtetit shqiptar, që historia jonë, identiteti ynë i shekujve të formalizohej si antihistori dhe si antiidentitet.

E pabesueshme! Por në këtë betejë ekzistenciale dhe mendore shqiptarët nuk u mposhtën – mbijetuan! Historia e shekullit XX megjithatë është historia reale, ndonëse e ndërlikuar, e shtetit shqiptar si afirmim konkret, realitet juridik kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në librin e çmuar dhe të domosdoshëm të Krisafit, flitet edhe për luftën italo–greke dhe absurdin e ligjit grek të luftës me Shqipërinë, duke iu referuar librit të Arben Putos Lufta italo–greke, diktatorë dhe kuislingë – një nga librat më të rëndësishëm të historiografisë sonë.

Aty flitet edhe për disa të vërteta për incidentin e Kanalit të Korfuzit – 65 vjet më parë. Autori operon me të drejtën ndërkombëtare si një e drejtë institucionale dhe universale. Por substanca kryesore e librit të Krisafit, lidhet me ngjarjen më tronditëse që njihet si Pakti Detar, një akt më i rëndë se pazaret diabolike të Zogut dhe dajës së tij, Esat Toptanit.

Ky i ashtuquajtur Pakt i Detit, një cenim i rëndë i kufijve jugorë të Shqipërisë, u skualifikua nga Gjykata Kushtetuese dhe është një gjë epokale, një triumf i së drejtës.

Mendimtari francez, Paul Valery, ka thënë se historia ciklon tautologjitë. Pakti Detar qe një tautologji e vonuar. Por edhe e dështuar. Dhe duhet thënë se në strukturimin e të dhënave juridike, kontributi i Ksenofon Krisafit ka qenë real, substancial, ndonëse për këtë vepër ai, me modesti, i është larguar protagonizmit të bujës mediatike. Por ky libër është scripta manent.

Ky libër sintetizon zhvillimet aktuale në vështrimin juridiko-ndërkombëtar, flet për Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të 22 korrikut 2010, që u shpreh në favor të së drejtës së Kosovës për shpalljen e njëanshme të shtetit të vet të pavarur, e cila ishte një ngjarje me përmasa të jashtëzakonshme për të ardhmen e popullit shqiptar.

Ai flet për shkeljen e konventave ndërkombëtare nga ana e Maqedonisë për vënien dorë në ujërat e lumit Radika, duke prekur kështu interesat e shqiptarëve, për aspektin juridik të blofit, iniciativës false dhe ireale për dhënien e shtetësisë të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, si dhe për aneksimin rus të Krimesë në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare.

Libri i Krisafit është libri i polemikës së madhe. Jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen, kundër falsifikimeve historike.

Në shekullin XVII dijetari i madh shqiptar, Frang Bardhi, shkroi si polemikë madhështore dhe model të polemikës shkencore, librin e tij për Skënderbeun, kundër atyre që e mohonin shqiptarësinë e heroit tonë kombëtar.

Frang Bardhi thotë se në histori kanë rëndësi dy gjëra: metoda dhe e vërteta. Ai e shkencëzon historiografinë, e zhvesh nga mitet dhe fantazmagoritë dinake dhe shoviniste. Libri i Frang Bardhit krijoi epokë. Vizionarizimi i tij është dhe në qenien e çdo shqiptari të vërtetë si dhe në qenien intelektuale të Ksenofon Krisafit.

Është diçka e pashmangshme. Krisafi ka botuar disa libra në këtë hulli. Jo libra çikërrimash, jo libra për veten, por libra për shkencën dhe Shqipërinë. Këto janë libra që i shërbejnë integrimit emancipues europian, një integrim që parakupton edhe dinjitetin dhe personalitetin historik të shqiptarëve.

E drejta ndërkombëtare kështu konceptohet, si sublimim i këtij integrimi, si një histori e vërtetë, larg tërë klisheve të vjetra dhe të gënjeshtra. Qytetërimi juridik dhe demokratik është e vetmja kahje e zhvillimit dhe e progresit modern.

Shqiptarët si komb dhe si kulturë lëvizin drejt kësaj kahjeje. Ata nuk mund të ecin kuturu, ose të jenë të paditur. Padituria ka qenë një e keqe e humnershme dikur për shqiptarë. Por në Mijëvjeçarin e Tretë, shqiptarët përjetojnë një histori të diturisë dhe të dinjitetit, për të qenë shqiptarë dhe njëkohësisht qytetarë të lirë të Europës dhe të botës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama