E kishin masakruar barbarisht i kishin demtuar edhe organet gjenitale

'E kishin masakruar barbarisht, i kishin demtuar edhe organet gjenitale'

Kushëriri i viktimës: Dyshojmë se Kudretin (Ilian) e vranë gjatë transportimit nga njëri burg në tjetrin

Vrasja e gardianit - Me aq sa kemi dëgjuar, gardiani që vrau, e lidhte dhe e qëllonte herë pas here Detin. Dënimi që i kishin dhënë pa e ditur, izolimi që i kishin bërë, duke mos e lejuar të takonte nënën për vite me radhë, duket se e kanë detyruar të vrasë gardianin që ishte kthyer në një makth për të.

Së bashku me hallën e Kudretit, ka qenë edhe djali i dajës së tij, Mevlan Muça, që ka shkuar në Greqi për t’u kujdesur për marrjen e trupit të pajetë të të dashurit të tyre. Mevlani ka treguar për mediat se Kudreti është torturuar dhe shpërfytyruar deri në vdekje dhe ngre dyshimet se transferimi është bërë me paramendim, për të pasur mundësinë që ta vrisnin. “Nuk kanë kursyer asnjë pjesë të trupit, e kanë masakruar kudo. Kudo ka shembje, thyerje dhe djegie. Madje i kanë dëmtuar edhe organet gjenitale. Kanë qenë barbarë ata që e kanë masakruar Detin në këtë mënyrë”, ka pohuar Mevlani. Ai ka shtuar se ata që e kanë bërë këtë krim, kanë pasur edhe mjetet e duhura, sepse e kanë vendosur në karrige elektrike të ndjerin. Madje Mevlani ngre dyshimet se transferimi që i është bërë Kudretit nga njëri burg në tjetrin, nuk ka pasur si qëllim sigurinë e jetës së tij, ashtu siç është thënë, por se ai është torturuar e vrarë gjatë rrugës.

 

Në mediat greke është thënë se transferimi i Kudretit nga burgu i Malandrinos në atë të Nigritas në Serres është bërë për t’u mbajtur në izolim dhe për mbrojtje. Por, në fakt, aty ai u gjet i masakruar. Ju thanë se ku mund ta kenë torturuar deri në vdekje Kudretin?

Ndonjë gjë të saktë nuk dimë. Por ne dyshojmë se qëllimi i transferimit ka qenë ajo që i bënë. Ne dyshojmë se Kudreti ka mbërritur i vdekur në burgun e Nigritas. Dyshojmë se ai është torturuar deri në vdekje gjatë rrugës nga njëri burg në tjetrin.

 

Keni ndonjë informacion të sigurt për këto dyshime?

Ne nuk kemi informacione të sigurta, por dyshojmë që gjithçka është kryer jashtë burgjeve, pasi burgjet janë të pajisura me kamera sigurie dhe ata që e kanë bërë, do të kishin frikë. Ndërsa në kohën që ai është nxjerrë jashtë burgut të Malandrinos dhe derisa është transportuar në burgun tjetër, nuk ka pasur këqyrje nga kamerat. Nisur nga kjo gjë, dyshojmë se ata e kanë torturuar Kudretin gjatë kohës që e kanë transportuar nga njëri burg në tjetrin. Pastaj, ata kanë përdorur edhe pajisje si karrige elektrike. Mjeku ligjor na tha se është torturuar edhe me rrymë të lartë energjie elektrike që i ka djegur edhe pëllëmbët e duarve. Këto pajisje torture nuk e di nëse lejohen në burg. Edhe kraharorin ia kishin shtypur në anën e majtë, i kishin thyer kockat. Nuk mund të thyhen kockat me grushte, duhen pesha të rënda që të shkaktohen dëmtime të tilla. Për këto arsye, ne dyshojmë se gjithçka ka ndodhur gjatë transportit.

 

Cili mendoni se ka qenë shkaku që Kudreti e ka varë gardianin?

Unë mendoj se ka qenë i detyruar dhe nën stres të madh kur e ka bërë. Ai e kishte mbaruar dënimin, por nuk e kishin nxjerrë akoma nga burgu. Pa ditur gjë, e kishin dënuar edhe me tetë vjet e gjashtë muaj të tjerë burg, për diçka që nuk e kishte bërë. Me aq sa kemi dëgjuar, ky gardiani e lidhte dhe e dhunonte herë pas here. Gjithashtu, Kudreti kishte kërkuar gjithmonë leje që të vinte e të takonte të ëmën. Por, kur ka mësuar për dënimin tjetër që i është bërë padrejtësisht dhe nga shqetësimet që i ka sjellë gardiani, duket se nuk ka duruar dot më dhe e ka vrarë. Ende nuk dihet e gjithë e vërteta, por mendoj se nuk ka duruar dot më, se ndryshe nuk kishte pse ta bënte një gjë të tillë.

 

Cili është apeli juaj?

Ne kërkojmë vetëm drejtësi. Kushëriri im, edhe nëse e ka vrarë gardianin e burgut, duhej të dënohej ashtu siç e kërkon ligji. Atë e kanë masakruar në mënyrën më barbare të mundshme dhe ne kërkojmë që shteti shqiptar të bëjë pjesën e tij për zbardhjen e së vërtetës. Të hetohet dhe të gjenden autorët dhe e vërteta e kësaj masakre.


 

Poezitë

Kudreti gjithmonë fliste për nënën me të afërmit e tij në Facebook

Edhe pse për familjarët mbetet ende e paqartë arsyeja që e ka shtyrë Kudret Kumen të vrasë një prej gardianëve të burgut të Malandrinos në Greqi, një gjë është e sigurt, që ai ka pasur një lidhje të veçantë me nënën e tij, të cilën nuk e shikonte që prej vitit 2006 dhe për të cilën kishte mësuar se ishte e sëmurë e kishte kërkuar leje që ta takonte. Madje, edhe në profilin e tij të Facebook-ut ai i shkruan poezi nënës së tij. I kushton një vëmendje të veçantë nënës së tij të moshuar Resmies, e cila, edhe pse kishte kërkuar disa herë mundësinë për ta takuar të birin në burg, nuk e kishin lejuar. Ndërkohë, familjarë e të afërm të Kudretit shprehen se gardiani që vrau e shqetësonte shpeshherë dhe se mund të kishte gisht në dënimin tjetër që i kishin dhënë pa pasur asnjë lloj dijeni. Ata shpjegojnë se Kudreti ishte dënuar më parë për vjedhje në Greqi dhe në vitin 2006 kishte dalë nga burgu e ishte kthyer në shtëpi. Kishte qëndruar disa muaj dhe kishte ndërruar emrin nga Kudret Kume në Ilia Kareli dhe ishte larguar sërish në Greqi. Aty kishte rënë sërish në burg për grabitje dhe ishte duke e përfunduar dënimin. Por edhe pse duhej të dilte këtë vit, nuk e kanë nxjerrë nga burgu dhe i kanë komunikuar se kishte marrë një tjetër dënim me tetë vite e gjashtë muaj burg. I ndodhur në këto kushte, ai ka kërkuar leje që të takonte nënën e sëmurë, por ia kanë mohuar një gjë të tillë. Familjarët mendojnë se Kudreti i ndodhur në këto kushte, ku i mohohej të takonte nënën e sëmurë dhe i dënuar pa dijeninë e tij ka dyshuar se gardiani që e shqetësonte, ka pasur gisht në këtë gjë. Sipas tyre kjo mund të ketë qenë arsyeja pse e ka vrarë gardianin, duke humbur kështu qetësinë e tij. Ata ngulmojnë në faktin se për këtë gjë që kishte bërë, Kudreti duhej të ishte dënuar dhe jo të torturohej deri në vdekje. Të afërm dhe banorë të fshatit shprehen se Kudreti ka qenë një djalë punëtor dhe se nuk ka qenë kurrë i identifikuar si një person që sillte shqetësime në fshat.

 
Një prej poezive që Kudret Kume i ka kushtuar nënës së tij në profilin e Facebook-ut

MË PYETËN: A E DO ATË?

U PËRGJIGJA: ME ÇMENDURI!

MË PYETËN: A ËSHTË E BUKUR?

U PËRGJIGJA: MË SHUMË QË MUND TA PARAMENDONI!

MË PYETËN: KU ËSHTË AJO?

U PËRGJIGJA: NË ZEMRËN DHE BRENDËSINË TIME!

MË PYETËN: SI ËSHTË EMRI I SAJ?

U PËRGJIGJA: NËNË… DHE AJO ËSHTË DRITA E SYVE TË MI!

ME SHUMË-SHUMË DASHURI E DHEMBSHURI PËR NËNËN E PAVDEKSHME

“DETI”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama