Është nga Vlora. Jeton në vendin fqinj që prej 1997-ës. Romani i saj është publikuar nga "Enaudi", një prej shtëpive më të mëdha botuese në Itali. Shkrimtares iu deshëm vetëm katër muaj për të shkruar romanin që e bëri të njohur... Tashmë kanë kaluar gjashtë muaj nga publikimi, e megjithatë që në javët e para, "E kuqe si një nuse" është renditur ndër librat më të shitur italianë, vetëm dy muajt e parë u shitën 30 mijë kopje. Është vlerësuar nga kritika, po aq sa është vlerësuar nga publiku i gjerë, e ky i fundit ka më shumë rëndësi për Anildën. Pas publikimit në muajin maj të këtij viti, romani është vlerësuar me dy çmime, "Corrado Alvaro" dhe çmimin e narratives. Ndërkaq, ai është në publikim e sipër në Gjermani. Gjatë Panairit të Librit në Frankfurt, i cili u zhvillua në muajin tetor janë shitur për botim të drejtat për shumë vende të tjera të Evropës. Duket se Anilda ka goditur në shenjë...
Në "Rosso come una sposa", Anilda ka zbërthyer një sagë familjare që përshkon thuajse të gjithë ‘900-ën, përfshi regjimin e mbretit Zog e atë të Enver Hoxhës. Protagonistet janë gjenerata nënash, gjyshesh e bijash. Është një epikë kushtuar femrave. Ngjarjet janë vendosur në një fshat pranë malit, thuajse jashtë syve të botës. E megjithatë, Kaltra (emri i fshatit), nuk kursehet nga transformimet që i ndodhin vendit: lufta, pushtimi i pepinove (italianët), librat e ndaluar prej regjimit... Është një roman i ngjizur me pasion e urtësi, me përjetime personale, por edhe me ngjarje historike. "Rosso come una sposa", përkthen kujtimet e një populli në një rrëfim delikat dhe epik. Aty protagoniste janë gratë. Melihaja, e dashuruar me të shoqin, një grua e fortë që ka kaluar shumë në jetë. Saba, vajza e saj, një thuajse e parritur mirë, që është e detyruar të martohet me një burrë, që nuk ka për ta dashur kurrë, ai është vejani i së motrës. Pastaj është edhe Esmaja, motra që rrezaton një bukuri të rrallë, e cila është e lidhur deri në çmenduri pas të shoqit, kolonelin. Ajo i kalon ditët duke krehur flokët e gjatë dhe duke pritur që ai të kthehet në shtëpi. Është edhe Klementina, një grua e heshtur, që i arratiset deri edhe trishtimit të saj, por është edhe Dora, vajza e Klementinës, mbesë e Sabasë. Ajo është dëshmitare e një Shqipërie moderne, por që ruan me kujdes kujtimet e familjes së saj, të Ballkanit, për t‘i rrëfyer më pas në një mënyrë të thjeshtë dhe të kujdesshme. Saba do të kthehet në një pikë referimi për këto gra energjike. Të gjitha këto rrëfehen në "E kuqe si një nuse". Histori delikate, të mbushura me dashuri. Nëpërmjet këtyre ngjarjeve, Anilda Ibrahimi rrëfen një histori që ndeshet mes traditës dhe lirizmit....
Kush është Anilda Ibrahimi?
Jam një person normal me një jetë më se normale, të paktën në atë kuptim që unë përdor fjalën normale. Kam lindur në vitin 1972, në Vlorë. Kam mbaruar fakultetin filologjik, dega gjuhë letërsi në vitin 1994. Po këtë vit kam ikur në atë që unë e quaj emigracionin tim të parë, në Zvicër, nga ku jam kthyer për pak muaj në fillim të 1997-ës. Asaj kohe kam punuar për dy-tre muaj për "Koha jonë", ku ndiqja ngjarjet e Vlorës. Në mars të 1997-ës, jam larguar përfundimisht nga Shqipëria dhe jetoj në Romë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi. Tani, mendoj për emigracionin tim të tretë. Kam kureshtje të filloj nga e para diku tjetër. Antropologjikisht më duket interesant fakti i një të ardhmeje diku, ku teknikisht do të jem thjesht një shtetase italiane. Do të vazhdoj të shkruaj histori thellësisht shqipe, por në italisht si tani, apo do shkruaj histori italiane në anglisht? Apo vetëm histori shqipe në anglisht? Nuk e di... Të treja bashkë ndoshta?
Si do ta përkufizoje këtë lidhje me letërsinë?
Të gjitha lidhjet unë i quaj rastësore. Jam gjendur në rrethana të tilla që ndoshta më kanë ndihmuar të shpreh këtë predispozitë ndaj letërsisë. Nuk jam nga ata tipa që thonë: pa letërsinë do vdisja! Nuk shkruaj ditë e natë! Pa letërsinë kam jetuar dhe kam qenë e lumtur, gjithsesi në një mënyrë tjetër. Jam mësuar ta shoh letërsinë si hobi. Nuk arrij akoma ta shikoj si profesion të vërtetë. Madje, problemi im i tanishëm është që duke pasur një kontratë që më lidh për 10 vjet me shtëpinë botuese "Enaudi", duhet të ulem e të shkruaj rregullisht, gjë që unë nuk e bëj dot. Miqtë më thonë që jam me fat. Pak veta arrijnë të transformojnë pasionet në profesione dhe gjithashtu pak veta arrijnë të jetojnë duke shkruar. Ndoshta ende nuk kam marrë konfidenca me statusin tim të ri!
Çfarë ju shtyn të shkruani?
Po ta dija ndoshta nuk do shkruaja më! Jemi mësuar të shikojmë vetëm anën romantike të letërsisë. Nuk emocionohem kur shkruaj, madje mundohem të jem sa më gjakftohtë. Pasi e shkruaj një kapitull e lë mënjanë për disa ditë, pastaj e rimarr dhe e rilexoj. Jam e terrorizuar nga retorika dhe nga patetizmi. Ndoshta për shkak të prejardhjes tonë. Një nga kënaqësitë e mia më të mëdha është që unanimisht kritika italiane e quan mënyrën time të të shkruarit, "të zhveshur". Kur shkruaj huazoj thënien e stilistes Coco Chanel, dhe e aplikoj në letërsi. E di ç‘këshillë jepte Coco klienteve të saj për të qenë elegante? Tre fjalë: "Hiq, hiq, hiq!".
A keni botuar më parë ndonjë libër tjetër?
Po, në Itali jam bashkautore e disa vëllimeve në poezi, "Cittadini della poezia", "Lingue di terre, lingue di mare". Në Shqipëri kam botuar në vitin 1996, një vëllim me "Eurorilindjen" (ekziston akoma?) "Kristale pikëllimi". Kushedi nëse ka akoma ndonjë kopje të këtij libri..., po ndoshta më mirë kështu, nuk jam më e interesuar ndaj poezisë.
Si lindi "Rosso come una sposa"? Prej sa kohësh punonit për të?
Kam punuar vetëm katër muaj! Jam dembele e madhe. Botuesja ime thotë që po ta merrja më me seriozitet, kushedi çfarë mund të bëja! Unë kam idenë time që mënyra e të shkruarit tim është origjinale se është direkte, po të punoja më tepër do bëhej e zakonshme.
Pse vendose të shkruaje në gjuhën italiane?
Nuk kam vendosur të shkruaj në italisht. Gjithçka ka ardhur në mënyrë natyrale. Në jetën e përditshme përdor këtë gjuhë, raportin, intimitetin gjithçka për momentin e kam me këtë gjuhë. Si mund të përdor shqipen? Janë gati 15 vjet që nuk jetoj me gjuhën shqipe, e ndërkohë gjuhët evoluojnë. Në 15 vjet, gjuha shqipe patjetër ka evoluar, hyjnë fjalë të reja, domethëniet ndryshojnë, ndoshta në faktin që nuk përdor shqipen duhet të lexoni respektin tim për këtë gjuhë. Nuk mund të mendoj se gjërat kanë ngelur siç i kam lënë unë dhe mjaftojnë 15 ditë në vit që unë vij në Shqipëri për ta kuptuar atë. Shqipëria ka shkrimtarët e vet të talentuar, që jetojnë aty dhe sigurisht e rrëfejnë më së miri edhe pa mua letërsinë. Gjëja më rëndësishme që një qenie njerëzore duhet të kuptojë është që nuk jemi të pazëvendësueshëm, që bota ecën përpara edhe pa ne. Unë, personalisht, kur kuptova këtë, u gjenda duke ecur me hapin e botës. Mundohem t‘jua mësoj fëmijëve të mi.
Pse "Rosso come una sposa" ("E kuq si një nuse")?
"Rosso come una sposa" ishte fjala që unë e kisha ruajtur në kompjuter romanin. Kur e dërgova në shtëpinë botuese, ata menduan se ishte titulli përfundimtar dhe u mrekulluan
. "Është titulli i këtij libri, më thanë, dhe sikur ta kishe kërkuar s‘do ta kishe gjetur"!
A ishte i vështirë botimi i librit mbi të gjitha nga një shtëpi botuese siç është "Enaudi"?
Botimi s‘ishte i vështirë. Në vitin 2005, fitova një konkurs në Rai për formimin dhe perfeksionimin e skenaristëve (RAI SCRIPT - Corso di Formazione e perfezionamento per sceneggiatori) dhe lashë përfundimisht punën time si këshilltare për shtypin në Këshillin Italian të Refugjatëve. Pasi mbarova kursin, u punësova në një shoqëri prodhimi, "Premiosolinas", ku merresha me seleksionimin e materialeve kreative në rizbulimin e traditave gojore për zhvillimin e projekteve multimediale. Aty, më lindi ideja e librit dhe çdo darkë, kur kthehesha në shtëpi, ulesha para kompjuterit dhe shkruaja. Pas katër muajsh e kisha mbaruar. Nuk e dija akoma ç‘vlerë kishte ajo që kisha shkruar, por e vetmja gjë që doja ishte që libri të arrinte në shtëpinë botuese "Enaudi". Ndoshta këtu manifestohet natyra ime shqiptare, një italian me romanin e parë do kishte menduar të fillonte me botuesit e vegjël, ndërsa unë me më të madhin, edhe pse isha e panjohur. Gjeta në internet adresën elektronike të "Enaudit" dhe e nisa. Pas 20 ditësh më mbërriti telefonata e kryebotuesit të narratives italiane: "Komplimente, të ofrojmë një kontratë menjëherë!", më tha.
Si u vlerësua libri në momentet e para?
Libri u vlerësua jashtëzakonisht mirë dhe kënaqësia më madhe ishte që nuk ishte vetëm kritika që e priti mirë. Në dy muajt e parë libri shiti më se tridhjetë mijë kopje dhe ende vazhdon të jetë në 20 librat e parë më të shitur. Ai arriti te publiku i gjerë, dhe jo vetëm tek ai i specializuar që zakonisht interesohet për argumente të Ballkanit apo letërsi të huaj.
Keni folur për komunizmin në librin tuaj, në ç‘aspekt e keni sjellë këtë pjesë të historisë së Shqipërisë? Çfarë keni dashur t‘i tregoni lexuesit?
Nuk dua të merrem me polemika mbi historinë. Në Itali kanë kaluar rreth 60 vjet dhe akoma nuk është e mundur të flitet me qetësi për Musolinin. Në Shqipëri ka kaluar shumë pak kohë nga komunizmi në vetvete dhe plagët që la. Zëri im në libër është asnjanës. Sigurisht tregoj izolimin e një diktature të hekurt që e transformoi Shqipërinë në një burg. Megjithatë, tregoj me tonet dhe mënyrat e mia, duke evituar patetizmin dhe përzierjen time emotive që zakonisht është e vështirë të mënjanohet, ndoshta unë kam arritur ta bëj ngaqë jetoj larg...
Diku ke përdorur "aromën e fëmijërisë", sa ju mungon ajo dhe sa e keni përcjellë atë në librin tuaj?
Aroma e fëmijërisë u mungon të gjithëve, si atyre që jetojnë në vendin e tyre si të tjerëve që janë larg. Nuk ka aspak të bëjë me një nocion gjeografik. Aromat e fëmijërisë janë të papërsëritshme. Dhe të paarritshme sigurisht.
Si e gjen veten në Itali sa i përket krijimtarisë?
Nuk di si të përgjigjem, e ndjej veten në vendin e duhur, me duket se po korr atë që meritoj, dhe sigurisht ndihem me fat, sepse është fakt që nuk ka asnjë raport të drejtpërdrejtë midis talentit dhe suksesit. Ndryshe si shpjegohet suksesi i shumë njerëzve mediokër në të gjitha fushat e jetës, në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri apo në Itali.
A do të vijë edhe në gjuhën shqipe "Rosso come una sposa"?
Nuk e kam idenë, edhe nëse s‘vjen nuk është ndonjë humbje e madhe. Në fund të fundit, është vetëm një libër që nuk ka asnjë fuqi për të ndryshuar jetët e njerëzve. Janë larg kohët kur gjenitë ishin në gjendje të ndryshonin fatet tona. Shqipëria, si dhe Italia kanë problemet e tyre jetësore, janë kohë të vështira. Një libër është vetëm një libër, dhe nuk duhet të dalë nga ky kontekst.
nga : Gazeta Shqip