E-mail mania

E-mail mania
Por, ka vite që shumë e nisin ditën me inatet për e-mail-et. Po ndryshon marrëdhëniet midis njerëzve, thoshin dje, ndërsa sot thonë se të bëjnë të humbasësh kohë. Është e vërtetë. Na detyrojnë të kalojmë para ekranit të kompjuterëve orë të tëra, duke kontrolluar me kujdes mesazhet që kanë ardhur, për të fshirë ata që nuk duam dhe sigurisht për t‘iu përgjigjur më të rëndësishmëve.

E po të bënim një llogari të thjeshtë, miliona ditë pune në të gjithë botën anulohen nga kjo praktikë e përditshme. Në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Londrës flasin edhe për "infomani", shqetësim ky që po infekton ngadalë një pjesë të madhe të popullsisë tashmë skllevër të mesazheve të ndryshëm në postën elektronike. Në Britaninë e Madhe, sipas një studimi të kryer nga "Hewlett Packard", thuajse tre vjet më parë, 62 për qind e personave i kontrollonin e-mail-et pas pune, madje edhe kur ishin me pushime. Por tani situata ka ndryshuar krejtësisht, sigurisht për keq. Të paktën kjo është ajo që raportohet në spanjollen "El Pais". Rreth 83 për qind e amerikanëve i kontrollojnë e-mail-et jashtëzakonisht shpesh, duke humbur kështu kohë dhe përqendrimin nga puna, ndërsa 53 për qind e tyre edhe në shtrat para se të flenë. Situra nuk është më mirë edhe në Evropë, edhe pse në shumë vende të saj, përqindja më e madhe e atyre që përdorin e-mail-e, është mes të rinjve më pak se 30 vjeç. "E-mail-et më shumë se sa përparësi apo lehtësim në punë po kthehen në problem", ka deklaruar Luis Gallardo, drejtor komunikimi i "Delloitte Touche Tohmathosu", një ndër ndërmarrjet më të mëdha shërbimeve, konsulencës dhe revizionimit në botë me 162 mijë punëtorë të shpërndarë në 142 vende të botës. "Te ne, mesatarja është rreth 200 mesazhe në postën elektronike çdo ditë.

Mjafton të llogarisësh kohën që i duhet çdo punëtori për t‘i lexuar, përgjigjur dhe fshirë të gjitha këto e-mail-e, atëherë do të thosha se bëhet fjalë për një problem vërtet të rëndësishëm", shton ai. Por a është i rëndësishëm ky problem? Këtë e ka shpjeguar psikologu Cary Cooper, profesor i "Orgazinational Psychology and Halth" në "University of Mangment School" në Lankaster. Sipas tij, anglezët, për faj të e-mail-eve humbasin çdo vit rreth 14 milionë ditë punë. Kështu, ndërsa "Google", kërkon ta qetësojë situatën, duke hedhur në treg një aplikacion të quajtur "E-mail Addict", që i detyron përdoruesit të bëjnë herë pas herë 15 minuta pushim nga mesazhet e postës elektronike, kompani të tjera të fuqishme si "Microsoft" dhe "Intel" kanë formuar grupe studimi për të gjetur një zgjidhje që mbron ditët e punës së vartësve të tyre nga rritja e paimagjinueshme e numrit të e-mail-eve të ardhura në postën elektronike. Në këtë pikë duhet pyetur se si është e mundur, duke parë që posta elektronike rrezikon të përkeqësojë cilësinë e jetës sonë, të punosh pa të. Ndërkaq ka të tjerë që llogarisin një tjetër efekt anësor të këtyre mesazheve që qarkullojnë në rrjet. Këtë ka bërë edhe IDC, një shoqëri e njohur që kryen kërkime në treg në një investigim të shkurtër, por shumë domethënës të quajtur "The diverse and exploding digjital universe". Ajo ka llogaritur ritmin e shtrirjes së botës dixhitale. Sipas saj, në 2007-ën, çdo banori të planetit i përkisnin rreth 45 gigabajt. Por të dhënat që prodhojmë rriten me 60 për qind çdo vit dhe në 2011-ën do të arrijnë përmasat e paimagjinueshme të 1800 miliardë gigabajt. Praktikisht do të ketë më shumë bajt (bite) se yje në kozmos.

Problemet

Sot një e-mail i padëshirueshëm ose me virus mund të dërgohet në çdo adresë edhe nga ndonjë adresë që mund ta sajosh në moment. Të dërgosh këto e-mail-e false nuk kushton asgjë. Kështu që zgjidhja për të eliminuar fillimisht këto e-mail-e të padëshirueshme është që të zbulohet nëse adresa e dërguesit është e saktë dhe së dyti të vihet një taksë për postën anonime. Kjo gjë do ta bëjë këtë metodë joekonomike dhe e-mail-i do të kthehet më në fund në një instrument përdorimi siç ka qenë një herë e një kohë letra. Prej vitesh gjen në postën elektronike më shumë se 20 e-mail-e të padëshiruar (me virus) në ditë, mes tyre spekulime financiare, "vjedhje" identiteti, ilaçe të falsifikuara dhe lajmërime të rreme të sigurisë. Në Bashkimin Evropian, dërgimi i e-mail-eve të padëshirueshme është i jashtëligjshëm, ose më mirë është i ndaluar nga një direktivë e komunitetit, edhe pse ajo nuk ka pasur asnjë ndikim. E vetmja gjë që mund ta ridimensionojë është ndalimi i klikimit të linkeve që mund të mbajnë e-mail-e të dyshimta. Ky problem do të zhduket atëherë kur të mësojmë që të mos u përgjigjemi këtyre e-mail-eve të padëshirueshme, të cilët mund të jenë joshës ndonjëherë nga titulli, ashtu siç jemi mësuar që të mos t‘u japim kartën e kreditit të huajve.

Fjalëkalimi

Një tjetër problem që lidhet me e-mail-et janë edhe fjalëkalimet (password). Sa herë që bëni një regjistrim online ju kërkojnë një sërë të dhënash mbi veten tuaj dhe ndër to kërkojnë edhe një fjalëkalim. Shpesh, për lehtësi zgjidhet vetëm një fjalëkalim, i cili përdoret në të gjitha vendet e tjera. Por në shumë raste ato mund të jetë shumë të lehta për t‘u zbuluar, kështu që ekspertët këshillojnë që të gjeni numra dhe shkronja të vështira për t‘u gjetur dhe për t‘i kujtuar. Ligjet e shumë vendeve i detyrojnë të gjitha kompanitë, të cilat punojnë me kompjuter, të zgjedhin fjalëkalime të vështira për t‘u gjetur. Shmangni zgjedhjen e fjalëkalimeve të lehta, si përdorimi i emrave të njerëzve të dashur ose ditëlindjet, sepse janë informacione shumë të lehta për t‘u gjetur.

SHBA

Rasti më ekstrem janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty rreth 83 për qind e njerëzve kontrollojnë e-mail-et çdo ditë, 53 për qind edhe kur janë në shtrat, 37 për qind në banjë dhe 12 për qind në kishë (në celularë)

Mesatarja

200 e-mail-e çdo ditë. Mesatarja e e-mail-eve që vijnë çdo ditë në adresat e punëtorëve të kompanive gjigante si "Microsoft" dhe "Intel"

Dëmi

14 milionë ditë pune humbasin çdo vit për shkak të kohës që i kushtohet e-mail-eve në Britaninë e Madhe, sipas një studimi anglez

Parashikimi

Rreth 60 për qind është rritja e të dhënave të prodhuara në universin dixhital. Në 2011-ën do të jenë 1800 gigabajt


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama