Në ftesë më bëri përshtypje kushti hokatar përmbyllës: "të gjithë i kanë dyert e hapura të hyjnë. Me një kusht, që të kenë qenë pjesë e zembrekut i cili kishte vetëm një qëllim: që ora e diktatorit të punonte siç e dëshironte ky". Në njëfarë mase kjo të kujton kushtin që pat vënë Nastradini kur ra nga fiku dhe theu këmbën - mund t'i aviteshin për vizitë vetëm ata që kishin rënë s'pakut një herë nga fiku, se veç ata ja njihnin njimend zorin. Kusht me vend në fakt, se ndryshe nuk shijon sa duhet kjo bukë taze dalë prej MaGjes (nickname i Maks Gjerazit që Vehbiu përdor në satirat e tij).
E pikërisht ky kusht pjesëmarrjeje, si emërues i përbashkët thyese, më sjell tash ndër mend edhe një thënie të komedianit frëng Michel Coluche: "Komunizmi është i vetmi eksperiment që nuk u testua më parë te kafshët". Kësisoj pra, gjithë sa jemi, ju nënshtruam groso modo këtij eksperimenti, jemi produkt i këtij eksperimenti, e po ashtu, këto 66 tregime janë përftesë katalitike e këtij eksperimenti. Janë të tilla në formë dhe në përmbajtje.
Autori zhbirilues i "Shqipes Totalitare", Ardian Vehbiu e ka sendërgjuar, po ashtu në ligjërim totalitar, formën e këtyre 66 dokumentarëve artistikë me motiv kombëtar. Madje me konstrukte të mëdha klishesh nga kjo lloj Shqipeje. Konstrukte të mëdha e të rënda si fjala vjen: "Punonjësit nga të katër anët e vendit, të rinjtë dhe të rejat, nxënësit e shkollave dhe efektivët e reparteve ushtarake që vizitonin muzeun ndaleshin gjatë para këtyre stendave" apo "Diktatori kishte pyetur për shëndetin dhe planet krijuese të artistit të shquar të humorit, pastaj e kish pyetur, me diplomaci të spikatur, nëse vazhdonte të tregonte barceleta të kripura, si qëmoti.
Thonë se na kritikoni atje poshtë, dhe mirë na e bëni, paskësh thënë Diktatori; por nuk na pëlqen kur i marrim vesh këto gjëra nga armiku". Këto konstrukte pra, të pështillen në qafë, të ngatërrohen nëpër këmbë, e të tërheqin fill teposhtë në basifondet e të shkuarës së afërt, ku përjetimet e sekushit nga ne kanë dekantuar si ushqim i rëndë e i patretur. E meqë, castigat ridendo, unë besoj fort tek fuqia tretëse e shkrimeve të tilla.
Sepse shkrime të tilla i nxjerrin në sipërfaqe këto arkeologji njerëzore, të cilat mandej drita e diellit dhe oksigjeni i çngurtëson e i thërrmon. Por nuk ka veç Megakonstrukte shqipja e tij totalitare, pa shikoni, ka edhe detaje të çmuara, të kastenta, hiperrealiste, te cilat hijeshojnë mu si cefla diamanti. Fjala vjen, e patë çfarë ju sekuestrua diversantit Gani? Një botim xhepi i poemës "Lahuta e Malcisë".
Poashtu Ministri i Brendshëm quhej Argjir (emri lë kuptohet se duhej të ishte patriot me Diktatorin), kurse barcaletieri i rrezikshëm aty pagëzohet si Mario dhe gruaja e tij Xhixhi - natyrisht secili nga ne i përfytyron se banojnë në rrugë të Pjacës në Shkodër, apo në lagje të G'juhadolit, mu aty ku rritej gjarpri në gji, i armikut të klasës.
E meqenëse nuk ka formë pa përmbajtje dhe të dyja janë faqe të së njejtës fletë, jam e bindur se Ardian Vehbiu i formës ka ndarë shpesh sokak e konak me këtë Maks Gjerazin e përmbajtjes, i cili i ka rrëfyer jo pa përçmim se këtë Tahsin kalemxhiun, që s'i punon kalemi, e mbanin dhe e mbajnë kot më të madh.
E secili nga ne e ka të lehtë ta përqasë këtë pseudo Tahsinin me ndoca shkrivanë, sipas të cilëve mund të t'kapë gazi me çdo gjë, përveçse me ata që janë bërë gazi vetë, se përndryshe ata qahen për censurë.
Kështu pra, në këtë qokë letrare që bashkon shumë njerëz, vëjen me thashunë shqip:
Ardian Vehbiu a Maks Gjerazi, apo Maks Vehbiu - se tash nuk po i ndaj dot më njërin nga tjetri - të lumtë or mik! Hodhe dritën e një të qeshure të tremtë mbi atë skutë të shpirtit ku na u mpiks një mullâ i lig, i vjetër e i mavijosur.
Me këto 66 tregime e rrezite disi atë mullâ, që për ta thënë me fjalët tua: "është një e qeshur e pakonsumuar kurrë, e mbetur në projekt, e mbytur që në embrion; e goditur nga organet e diktaturës, e internuar në zona të largëta të opinionit publik, e dënuar me burg në skutat më të thella të vetëdijes kolektive".
Për këtë rrezitje, të lumtë or mik!
Fjalë e mbajtur në prezantimin e librit "Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit" të Ardian Vehbiut