Së fundmi, një studim britanik sugjeron që e qeshura me gjithë shpirt të ndihmon vërtet të përballosh çdo dhimbje. “Është një proces krejtësisht fizik: kur qeshim shumë, trupi çliron endorfinën, një substancë analgjezike që prodhohet nga truri, e cila ka veti të ngjashme me morfinën. Kjo është edhe një nga arsyet që nuk duhet ta frenoni kurrë të qeshurën”, shpjegon një profesor anglez, shef i institutit të antropologjisë sociale dhe kulturore në Universitetin e Oksfordit.
Sipas shkencëtarëve, duke qeshur me gjithë shpirt bëhen shumë frymënxjerrje pa marrë frymë, një mekanizëm ky i pavullnetshëm dhe i kushtëzuar te njeriu që lehtëson çlodhjen e hormoneve të mirëqenies. Fakti që vetëm kjo lloj e qeshure (me gjithë shpirt) nxit prodhimin e endorfinës mund të ketë ndikuar në zhvillimin e njeriut, duke favorizuar edhe socializimin e tij në shoqëri. Studime të tjera, bëjnë të ditur shkencëtarët, kanë treguar se mund të qeshësh më shumë, deri në 30 herë më shumë, kur je i shoqëruar me njerëz dhe sesa vetëm.
Për ta shndërruar humorin e mirë në ilaç mjafton shumë pak: mund të shihni për 15 minuta një program komik në televizor. Kjo kohë e shkurtër bën diferencën e madhe. Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur shkencëtarët, pasi kanë studiuar reagimet e grupeve të vullnetarëve, të cilët shihnin pjesë të ndryshme nga serialet e famshme “Friends” dhe “Simpson”, apo spektakle të tjera komike drejtpërsëdrejti. E njëjta gjë vërehej edhe kur shihnin programe shkencore që kishin lidhje me natyrën, ose ndeshje golfi. Niveli i tyre i tolerancës ndaj dhimbjes u mat para dhe pasi kishin ndjekur disa programe televizive, duke përdorur stimuj të ndryshëm. Rezultati ishte ky: personat që ishin nën shoqërinë e miqve duke ndjekur serialet komike të “Friends” dhe “Simpson” treguan një tolerancë ndaj dhimbjes dhjetë herë më të lartë se të tjerët. Duke u bazuar te ky përfundim shkencëtarët e përjashtuan faktin që kjo gjendje varej nga një mirëqenie e përgjithshme. Sipas tyre, humorin e mirë e sjell e qeshura.
“Është një risi e zbuluar në një gamë më të gjerë kërkimesh, e cila analizon se si disa ndryshime të vogla në sjellje ulin përqindjen e dhimbjes”, shpjegon një studiues tjetër psikologjie. “Të gjithë e dimë për shembull se lëvizja e trupit ul ndjeshmërinë ndaj dhimbjeve: mjafton një lëvizje e vogël, kryqëzimi i krahëve, për të bërë ndryshimin”, ka shtuar ai.
Studiuesit e vënë theksin kryesisht tek aspekti social: “Shumë pak studime i janë kushtuar arsyes pse qeshim dhe ç’rol luan ajo në shoqëri”, shpjegon profesori i cili është i bindur se arsyeja që e qeshura luan një rol kaq të rëndësishëm në jetë tonë është për shkak të lidhjeve emocionale që aktivizohen pas çlirimit të endorfinës. E qeshura është një mekanizëm i hershëm i shoqërisë dhe vepron si të gjitha aktivitetet e tjera në grup, si për shembull muzika me vallëzimin, që në të njëjtën mënyrë krijojnë gjendje euforike kur veprojnë së bashku, duke prodhuar endorfinën.
“Duke e përmbledhur me pak fjalë atë që përmendëm më lart, mund të themi se e qeshura të bën mirë, por janë hedhur shumë hipoteza rreth mënyrës se si ndodh ajo. Dihet që në këtë proces marrin pjesë shumë hapësira cerebrale, por mënyra se si ato bashkëveprojnë me njëra-tjetrën është ende e paqartë. Për këtë arsye po kryhen edhe studime të tjera embrionale. Kështu për të shfrytëzuar rezultatet edhe në nivel klinik, duhen bërë prova të tjera kërkimore për të vërtetuar testet e shkencëtarëve britanikë, duke qenë se dhimbja është e ndryshme nga një person te tjetri dhe është e vështirë të matet vërtet”, përfundon studiuesi.