E shoh e dua e blej

E shoh, e dua, e blej
Edhe kur bën blerje të zgjuara të tipit “Zara”. Por sa mirë është kur dikush të bën dhuratë fustanin që kushton një djall e gjysmë

Qëkur u zbulua se shopping-u ishte një nga “sportet” e preferuara për femrat, të gjitha luajnë pak a shumë njësoj. “Nëse shohin një veshje që u mbetet syri, e duan medoemos dhe shumë shpejt e blejnë”. Prandaj, edhe Jonida Shehut, gazetares së Vizion Plusit, nëse i tiposet për të blerë diçka, nuk pyet shumë për shumat e shpenzuara, që rastis të jenë edhe të ekzagjeruara. Por ndodh që blerje të tilla të pasohen nga një brejtje e madhe ndërgjegjeje, ndërsa pendesa vjen ca më vonë.

Atëherë, më mirë të bësh shopping vetëm, sepse për zgjedhjen e gabuar nuk i hakërrehesh askujt tjetër veç vetes tënde. Dhe me veten inati nuk zgjat dot për një kohë të gjatë.

“Njëherë, kam blerë një xhaketë për të cilën u pendova shumë shpejt. Por nuk kam kujt t’i ankohem. Sepse gjithmonë kur dal për blerje nëpër butikë, preferoj që këtë gjë ta bëj vetë. E para, sepse askush nuk ma ka qejfin të rrijë me orë të tëra, duke bredhur gjithë butikët nga i pari tek i fundit. E dyta, sepse në rastet kur pendohem për diçka, mund të fajësoj vetëm veten time”. 

Për këtë Jonida ka me dhjetëra raste për të cilat mund të fajësohet. Një gardërobë e pasur si e saja me siguri duhet të ketë shumë edhe nga ato “gjërat”, të cilat më mirë të mos i kishte blerë.

Por, të paktën, ka një të mirë tjetër: nuk rri me orë të tëra duke u vërdallosur më kot dhe pa vendosur. Nëse i mbushet mendja, e ble dhe këtu mbaron historia. Njëkohësisht, ajo vetëklasifikohet si një femër që di të bëjë “pazar të zgjuar”. “Nuk jam e fiksuar pas rrobave të shtrenjta dhe nuk jam as nga ato që nuk e vrasin mendjen për çmime. Sepse për mua, nuk ia vlen të shpenzosh qindra euro apo dhjetëra mijëra lekë, vetëm për një fustan që vishet njëherë. Fustane të tilla në gardërobën time nuk mungojnë. Por veshjet më të shtrenjta, në përgjithësi, janë dhurata”, përgjigjet sinqerisht Jonida dhe përmend një shifër marramendëse për një fustan, të kompletuar me këpucë dhe një çantë-kuletë. “Ky komplet fustani ka kushtuar 900 euro. Unë nuk do të kisha harxhuar kurrë kaq para vetëm për një fustan, që për më tepër nuk është veshur shpesh. Por dhuratat nuk refuzohen, apo jo”, qesh ajo, teksa tregon fustanin me kuadrate, model i viteve ‘60, firmuar nga Karen Millen.

Një karakteristikë tjetër e gardërobës së Jonidës është lidhja e fortë që ka me veshjet “Zara”. As që mundohet ta fshehë dobësinë e saj. Edhe nëse do ta bënte, do ta tradhtonin etiketat e rrobave. Të gjitha xhaketat, fundet, pantallonat, këmishët janë të Zarës. “Pjesën më të madhe i kam blerë jashtë, në Angli, Turqi dhe Greqi. Por edhe në disa butikë të Tiranës kam arritur të gjej xhaketa të Zarës, që më janë përshtatur shumë me tipin”.

Tipi i saj është pa diskutim i femrës klasike, një ndërthurje mes shikut të Karl Lagerfield-it dhe elegancës Valentino. “Në këtë zgjedhje, nuk ka dyshim që ka ndikuar edhe puna ime në televizion. Por edhe kur kam qenë studente anoja gjithmonë nga klasikja. Në atë kohë, mundësitë financiare ishin të vogla dhe, rrjedhimisht, edhe blerjet e rrobave vareshin nga xhepat jo gjithmonë plot. Por, stili ka qenë gjithmonë i njëjtë”. Stili i saj përmblidhet në përdorimin e kostumeve dhe pardesyve klasike gjatë sezonit të ftohtë. Xhaketa me funde ose xhaketa dhe pantallona. “Ndërsa gjatë sezonit pranveror dhe veror adhuroj ngjyrat. Për mua nuk ka shumë rëndësi se çfarë është në modë. Sepse, sido që të jetë moda e verës, unë nuk heq dorë nga ngjyrat. Ja, këtë lloj roze kam ngjyrën time të preferuar”, tregon ajo një fustan rozë në uthull, që e vë para vetes sikur të dojë ta provojë aty për aty.

Ndërsa bëhet gati të tregojë gardërobën e dimrit, i duhet thënë “stop”. Janë kaq shumë pardesy dhe xhaketa sa mbi krevat bëhet një rrëmujë e madhe. Por, Jonida seleksionon shpejt e shpejt dy-tre pardesytë e preferuara. Sigurisht, janë “Zara”. Nuk ka sesi të jenë ndryshe.

Edhe ato pak fustane apo bluza që janë firmuar nga ndonjë emër tjetër, ose ia kanë dhuruar, ose lidhen me një histori tërësisht të justifikueshme. Madje, Jonida nxiton të justifikohet e para, a thua se Zarës do t’i mbetej qejfi që një kliente e rregullt si ajo e kishte tradhtuar në dy apo tre raste. “Ja, edhe syzet janë të Zarës”, qesh ajo me këtë këmbëngulje, për të treguar se ajo Zarën nuk e tradhton kurrë.

Pak më vonë, nuk përton të ulet poshtë krevatit, të hipë mbi karrige, të nxjerrë nga i ka e nga s’i ka një ylber veshjesh. Sepse ka ardhur radha për të zbuluar rrobat e sezonit verë-pranverë. “I adhuroj ngjyrat në verë. Adhuroj fustanet me kurrizin jashtë e që hapen në formë verefi pranë gjunjëve. Adhuroj sandalet, të cilat në pjesën më të madhe i kombinoj me çanta të vogla në formë kulete”, flet pa pushim, duke marrë frymë me mundim, sepse tani i duhet të nxjerrë një fustan që e ka shumë për zemër, por që ndodhet në katin e fundit të dollapit, aty ku mezi i arrin dora. Edhe pse hipur mbi karrige, zgjatet e zgjatet gjithë mundim, duke gulçuar fort. Më në fund ia del! Tërheq fort fustanin dhe disa rroba të tjera njëherësh.

Bluza, fustane, funde shumëngjyrëshe verore. Pa diskutim Zara ose – në mos jo të gjitha – pjesa më e madhe e tyre. Xhinse nuk ka shumë, megjithëse mendon se në pranverë nuk janë keq, sidomos kur kombinohem me bluza të pambukta në ngjyra të ëmbla. “Gjithsej mund të kem 3 palë xhinse, të cilat edhe ato nuk i përdor shpesh”. E ndërsa për xhinset nuk ka ndonjë pasion të çmendur, kur bie fjala te sandalet, një buzëqeshje vesh më vesh i ndriçon gjithë fytyrën. Me pak fjalë, Jonida lë kokën pas tyre. “Ah, sandalet! Verën e shkuar nuk ngopesha dot duke blerë sandale. Madje, pjesën më të madhe të tyre nuk i kam veshur asnjëherë”, tregon Jonida, teksa përplas në dysheme disa kuti me sandale, që duken fringo të reja. Sigurisht që janë fringo, sepse 25-vjeçarja, me shumë prej tyre ka bredhur vetëm mbi rrugicat e tapetit në dhomën e gjumit, ku herë pas here bën prova veshjesh.

Për blerjen e këpucëve dhe sandaleve, më e vogla e familjes Shehu përdor një tjetër strategji shopping-u. “Nuk kanë pse të jenë medoemos firmato; mjafton që të më pëlqejnë mua”.

Sandalet e preferuara janë shumëngjyrëshe, por në tonalitete të ëmbla, lehtësisht të kombinueshme me të gjitha fustanet dhe veshjet e sezonit të nxehtë.

Dhe numëron disa palë, madje shumë palë sandale, aq sa pjesa më e madhe e tyre, ose nuk janë veshur, ose janë veshur me raste të rralla. Por Jonida nuk pendohet që ka blerë kaq shumë dhe që pjesa më e madhe janë të paveshura. “Për sandale nuk pendohem asnjëherë, edhe pse shumicën nuk i kam veshur. Punë e madhe, aty le të rrinë, do të vishen vitin tjetër”, thotë e pashqetësuar nga shumat e mëdha të parave të harxhuara për sandale.

Dhe ndoshta ky është rasti i atij lloj shopping-u ku ajo më shumë se kurrë përdor shprehjen: “I shoh, më pëlqejnë, i blej”... edhe atëherë kur sandalet kanë kushtuar një djall e gjysmë e që ende presin në kuti për t’i veshur ndonjëherë. 

Nga : Revista Jeta

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama