E therem gjelin por ne stinen e gabuar!

E therëm gjelin, por në stinën e gabuar!

Gëzim Sinemati

Gezim SinematiE mbani mend ditën kur u hodh shorti dhe Shqipëria njohu kundërshtarët me të cilët po përballej në Europian? Ka një arsye speciale që "derbin" midis harresës dhe kujtesës ta fitojë kjo e fundit.

Delegacioni shqiptar, ndryshe nga gjithë pjesëmarrësit e tjerë, ka përshëndetur Francën, Zvicrën dhe Rumaninë me një buzëqeshje të madhe.

Atëherë, një pyetje pushtoi prapaskenën: përse qeshën aq shumë shqiptarët? Kjo pyetje që nxiti dyshime për të huajt, ka një shpjegim të njohur për shqiptarët. Iluzioni është sfidues: misioni nuk ka mbaruar në Europian, por sapo ka filluar. Edhe pas humbjes me Zvicrën, ku kishim të drejtën e madhe për t'u marrë me disa gabime spektakolare, hidhet në treg një alibi hileqare: cili do ta mbajë shiritin e kapitenit?

Ndërsa Franca i dha një shuplakë yllit të saj, Pogba, duke e dërguar në stol për mungesë përgjegjësie, tanët nuk thanë asnjë fjalë për "yjet", të cilët gabuan sapo u ngrit perdja.

Edhe pse u premtua se në Europian do të kujdeseshim më shumë për imazhin, deklaratat në prag të ndeshjes me Francën zbulonin pasionin e sëmurë për të premtuar.

Disa futbollistë kërkonin "kokën e gjelit", trajneri De Biazi i binte kambanës: "Francezë, bëhuni gati, se do të pësoni gol!". Presidenti Duka nuk u shfaq me poza, si në prag të ndeshjes me Zvicrën, ku tregoi 5 gishta (5 pikë), por foli me vepra, duke shënuar 3 gola në një ndeshje show brenda familjes.

Ajo që ndodhi në ndeshjen me Francën do të kishte pasur një shije tjetër, nëse gjelin do ta kishim "therur" për Vitin e Ri, dhe jo për... Europian. Shqipëria e De Biazit ka luajtur përtej limiteve kundër Francës, ka impresionuar më shumë për karakterin sesa për sensin e lojës, por e kanë pësuar sipas zakonit të vjetër... në fund.

Mos harroni, më parë kemi pasur sëmundjen që pësonim në epilog, kurse kohët e fundit, simptoma ishte spostuar në fillim të ndeshjes. Dhe midis dy të këqijave, qenka më mirë ta pësosh në fillim me Zvicrën.

Pas ndeshjes me Francën, futbollistët tanë, me një pamje funebre, flisnin për një lojë të madhe, të humbur në minutat e fundit, dhe sikur... kundërshtari u kishte vjedhur portofolin e 90 minutave.

Në të vërtetë, edhe shtypi europian, duke na përkëdhelur me epitete të ndryshme për stoicizmin në dy ndeshjet e para, zbulonte se shqiptarët e mësuan të fundit se ajo ndeshje nuk mund të mbaronte ndryshe.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama