E urrej veten sepse jam plot defekte!!!

E urrej veten, sepse jam plot defekte!!!

Zëri, aroma e trupit, qimet që fillojnë të shumohen, cikli menstrual, gjoksi që rritet… Vajzave u kalojnë nëpër kokë mijëra mendime dhe nuk kanë kujt t’i drejtohen për të marrë një mendim, ose nuk dinë ta kapërcejnë këtë vështirësi që i shtyn të heshtin. Për t’u ardhur në ndihmë femrave që nuk janë të kënaqura me trupin e tyre, së fundmi është publikuar një libër “Body drama”. Është një libër inkurajues, gjenial, që u heq të rejave çdolloj dyshimi rreth trupit të tyre. Ky libër është mjaft edukativ e zbavitës, edhe për gratë në moshë, madje autorja ua këshillon të gjitha femrave: atyre që kalojnë orë të tëra në banjë, apo të tjerave që po heqin para mënjanë për të bërë ndonjë operacion plastik, ose atyre që mbajnë gjithmonë dietë, atyre që nuk vishen, por mbulohen me një copë të madhe sikur të ishin divane, apo atyre që mendojnë se femrat e revistave janë një model për t’u arritur.

Libri i dedikohet totalisht trupit femëror, është plot fotografi me trupa të vërtetë e të shëndetshëm, por përveç kësaj është shkruar nga një ish miss bikini Amerika për të ndihmuar vajzat të kapërcejnë problemet dhe konfliktet me trupin. “Mendoni se vetëm sepse jam zgjedhur mbretëreshë e bukurisë nuk kam problem me trupin tim?. Gaboheni”, shkruan autorja. Mes një reviste femërore dhe një manuali mjekësor, “Trupi im”, në Amerikë është përzgjedhur në dhjetëshen e librave më të rëndësishëm për vajzat dhe autorja është ftuar të bëjë prezantimin e saj në shumë transmetime televizive(mes të cilëve dhe ajo e të famshmes Oprah Winfrey). Për të krijuar një ide më të qartë mbi librin, ja disa nga tematikat e trajtuara dhe pyetjet e bëra më shpesh, të mbledhura falë ndihmës së një doktoreshe amerikane, e cila është e specializuar në mjekësinë për adoleshentët.

Gjoksi

Nuk kam fare ose e kam shumë të madh. Kur vrapoj më bezdis. Edhe pse në moshë kaq të vogël, gjoksi im është i rënë si të isha ndonjë grua në moshë. Përveç kësaj diçka tjetër që më shqetëson kur dal para pasqyrës, është se njërin gji e kam më të vogël se tjetrin. Ky ndryshim vërehet menjëherë kur i sheh. O Zot po çmendem! E si mund të më afrohen meshkujt në këtë gjendje që jam?

Vagina

E urrej pamjen e saj. Ka forma të çuditshme, më dhemb, më bëhen pis mbathjet. Edhe pse jam ende e virgjër, ciklin e kam të çrregullt dhe më vijnë shumë.

Lëkura

Fytyra ime është e mbushur me pika të zeza. Unë djersij më shumë se moshataret e mia. Më pëlqen shumë të bëj solar. Lahem shumë shpesh, por përsëri mbaj erë. Mishin e kam të qullët. Edhe ‘pearcing’ që kam vënë nuk po më shërohet. Në disa zona të trupit lëkura është më e nxirë se në disa të tjera.

Qimet, flokët dhe goja

Kam qime sikur të isha mashkull. Kur depiloj këmbët lëkura më mbushet plot pika të kuqe. Më kanë dalë mustaqet. Flokët më janë djegur dhe kanë një pamje shumë të çuditshme. Kafshoj thonjtë dhe shkul flokët. Dhëmbët i kam të verdhë dhe ndiej që goja ime mban aromë të tmerrshme.

Format

Më duket vetja shumë e shëndoshë. Nuk do të jem kurrë e dobët sa dua. Jam mbipeshë. Unë ha po aq sa edhe shoqet e mia, por jam e vetmja që shëndoshem. Jam e shqetësuar, sepse trupi im sa vjen e përkeqësohet. Jam e fiksuar pas paraqitjes sime.
Përse e urren trupin tënd?
Zakonisht fillojmë të ndërgjegjësohemi në periudhën e adoleshencës. Në këtë periudhë nisin edhe komplekset për trupin tonë. Më kalimin e viteve, imazhi që kemi për trupin mbetet i rrënjosur te ne. Shumë e shëndoshë ose shumë e dobët: disa komente të prindërve ose kritika të rënda na fiksohen përgjithmonë. Ende sot, pjesa më e madhe e adoleshentëve ka një vizion të paqartë për trupin e vet dhe në rastet më të këqija ato mund të jetë të përfshira nga “dismorfofobia” (refuzimi i paraqitjes së jashtme). Tendenca për të refuzuar trupin është tipike e femrave që janë duke kaluar momente krize.

Të jesh si modele

Në jetën e përditshme, asnjë femër, përveç modeleve nuk mund t’u nënshtrohet rregullave të rrepta të modës dhe imazheve të revistave, që të imponojnë të jesh e bukur dhe joshëse në çdo rast. Këto imazhe të bëjnë të dyshosh te trupi yt: busti, barku, kofshët, gjoksi, vithet... por bëhet fjalë për një pëlqim personal. Këto komplekse prekin veçanërisht femrat që nuk arrijnë t’i pranojnë defektet e tyre, të cilat janë shumë të mëdha në krahasim me ato që propozojnë gazetat dhe televizorët.

Fiksimi pas pamjes fizike

Kur je e fiksuar te një defekt, që nuk do të dëshiroje ta kishe në trupin tënd, nuk shikon gjë tjetër veç tij! Je e bindur se të gjithë e vënë re menjëherë dhe të duket sikur të tjerët fillojnë të të vënë lojë pas shpine për “anomalinë” tënde. ‘Hunda e shtrembër’ dhe ‘të ndenjurat’ bëhen fiksimi yt, që medoemos duhet luftuar! Mungesa e perfeksionit që të qarkullon në mendje është vetëm rezultat i distancës mes imazhit të idealizuar të vetvetes dhe imazhit të reflektuar në pasqyrë, të cilat nuk meritojnë të merren në konsideratë!
Mungesa e vetëvlerësimit

Refuzimi i trupit është shenjë e një vlerësimi të dobët për vetveten. Ndihesh gjatë gjithë kohës në siklet, gjë e cila lidhet pak a shumë me një pakënaqësi anatomike të vetes. Në këtë rast duhet të rigjesh besimin në vetvete dhe të mos fokusohesh vetëm te trupi yt! Sa më shumë vëmendje t’u kushtosh këtyre “defekteve”, aq më të mëdha do të të duken ato. Edhe top-modelet mendojnë se kanë shumë defekte. Hiqni dorë nga kjo gjë dhe vlerësojini defektet, sepse vetëm në këtë mënyrë keni për t’u ndier mirë në mendje dhe me trupin tuaj.

 

 

Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama