Sipas arkivave, që dikur kontrolloheshin nga shërbimet sovjetike, ndërsa tani "të prekshme" për çdo "kërkues", personi që e denoncoi atë agjent te policia kishte qenë shkrimtari francez me origjinë çeke, Milan Kundera, atëherë vetëm 21 vjeç. Një e përjavshme në Pragë u zotua se e kishte bërë këtë "zbulim" të madh tri javë më parë, duke i dedikuar edhe një numër special kësaj çështjeje. Kështu, lajmi mori dhenë dhe nisi të diskutohej gjithandej, mbi të gjitha në Francë. Për shkrimtarin kjo ishte si një "grusht në gjoks". Ai tha: "Nuk dija asgjë dhe kurrë nuk kisha dëgjuar të flitej për këtë çështje". Madje, përmes një komunikate deklaroi se bëhej fjalë për një gënjeshtër.
Vetëm tri ditë pas kësaj akuze mendohej se do të dilte në shesh e gjithë e vërteta, kur një profesor i Universitetit të Pragës, Zdenek Pesat, pranon publikisht në një letër se e njeh të gjithë ngjarjen dhe mbi të gjitha e di me siguri se Milan Kundera nuk është i përfshirë fare në këtë çështje. Por, pavarësisht kësaj, deklaratës së tij askush nuk ia vuri veshin. Në ditët e mëvonshme, personalitetet më të shquara të letërsisë franceze dhe evropiane u bashkuan në shenjë solidariteti me Milan Kunderën. Gazetarët, që ishin të parët të cilët e përhapën lajmin dhe janë në dijeni si për përgënjeshtrimin nga ana e shkrimtarit, ashtu edhe për emocionin e shkaktuar në botën e letrave në këtë pikë, janë më të kujdesshëm.
Por, si ka mundësi që kujdesi i tyre tani nuk vlen më për asgjë? Fakti është se në bazë të rregullave të reja të zanatit tonë, kur në faqen e parë publikohet një titull që zë gjithë faqen dhe një foto e madhe për të hedhur hije mbi një personalitet, edhe pse nuk vërtetohet se informacioni është i vërtetë, aty paraqitet si i tillë. Ne ndeshemi çdo ditë me probleme të tilla, sepse në perandorinë e botës së padrejtë shpifjet nuk e humbasin kurrë vitalitetin. Për këtë arsye, gjithë solidariteti për shkrimtarin nuk do pengojë që një pjesë e publikut të mendojë se nuk ka zjarr pa tym. Pas kësaj do të thuhet: Kush mund ta dijë me siguri atë çka mund të ketë ndodhur 60 vjet më parë? Madje do të ketë edhe nga ata që do të bëjnë pyetje ziliqare të tipit: Për çfarë arsye një i ri komunist nuk do e konsideronte detyrim të denonconte një spiun? E për çfarë arsye? Thjesht, sepse nuk është e vërtetë.
Por nëse do të përgjigjej, do të ishte në kurth, siç ndodhi me Lech Walesn, ish-liderin e "Solidarnosc", edhe ai viktimë e një manipulimi dokumentesh arkivore në Poloni. Ekziston një paradoks i trishtë në situatën e këtij shkrimtari, që në romanet e tij e kishte parashikuar shkatërrimin e të ashtuquajturës shoqëri të transparencës. Milan Kundera beson te gjykimet dhe respekti i jetës private, ashtu si nuk ka reshtur kurrë së ma përmenduri që kur ka shpërthyer kjo ngjarje. Ai mbështet vazhdimisht idenë se një vepër duhet gjykuar për përmbajtjen e saj dhe jo për të zbuluar jetën e autorit të saj. Ndoshta për këtë u shmanget vazhdimisht mediave, madje në mënyrë agresive.
Kur i them se gjithë ky refuzim rrezikon të shkaktojë padurueshmërinë, ai më përgjigjet me fjalët që më ishte përgjigjur dikur Levi-Strauss: "Duke e kuptuar gabimin tim të rëndë në politikë- isha shumë afër Partisë Komuniste -vendosa të mos kem të bëj më fare me këtë fushë". Kësaj fraze, Kundera i shton: "Pasi zbulova se universi im i vetëm ishte romani, gjithmonë kam pasur frikë se mos bija pre e ndonjë deklarate dogmatike, që do të më pengonte të ndryshoja opinionin". Milan Kundera pati naivitetin të mendonte se dorëheqja nga loja për t‘iu larguar mediave do të mjaftonte për të mbrojtur gjykimin dhe heshtjen e tij. Në fakt, ajo që më intereson më shumë nga kjo çështje është dimensioni jo vetëm njerëzor, por mbi të gjitha letrar, që nënvizon Kundera. Siç duket hapur, një nga temat dominuese në veprat e tij të fundit letrare është ajo e "mërgimit" dhe gjithçka që lidhet me të.
Është shumë domethënëse edhe zgjedhja e tij për të shkruar në frëngjisht, duke shkaktuar reagime të ashpra në vendin e tij të lindjes. Ka diçka hakmarrëse në gjithë ato shpifje. Çekët nuk e kanë pranuar kurrë pasionin e Milan Kunderës për Francën, por injorimi do të ishte i pafalshëm për francezët. Babai i Milanit një pianist, ka qenë dishepull i Alfred Cortot dhe adhurues i Grupit të të Gjashtëve (mes të cilëve Milhaud, Honegger, Poulenc). Lexova në dorëshkrimet e përmbledhjes së re të eseve të tij: "Në vitet ‘20 babai im kishte çuar në Paris pjesët muzikore të pianos për Darius Milhaud dhe e kishte ndjekur përpara publikut. Atëherë ishin të pamësuar me koncerte të muzikës moderne".
Pikërisht nga i ati, Kundera ka trashëguar dashurinë për Francën dhe artin e saj; dashurinë për surrealistët dhe Apollinaire. Kam parë botimin e "Alcools", të publikuar në Pragë në vitin 1964, me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë ai, por mbi të gjitha mendoj për Dideroin. Pas pak ditësh do të dalë në skenë në "Theatre 14" në Paris, me regji të Nicolas Briançon, pjesa "Zhak dhe padroni i tij- Homazh për Denis Dideroin", shkruar nga Kundera në vitin 1970, si përgjigje ndaj pushtimit rus nga Çekosllovakia në vitin 1968.
Në sytë e tij, tragjedia e vendit, përtej shtypjes dhe represionit, qëndronte në sekuestrimin tij, që në mënyrë të pashmangshme do ta kishte çrrënjosur nga Perëndimi. Për Milan Kunderën, thelbi i Perëndimit të kërcënuar përqendrohej në shekullin XVIII, në veçanti në veprën e Didëroit, dhe më specifikisht në romanin "Zhak fatalisti", shumë liberal dhe i gëzueshëm. Në atë periudhë të errët, si mund ta përfaqësonte veten në Çekosllovaki? Kundera ishte një autor i ndaluar, por në vitin e emigrimit të tij në Francë, në 1975-ën, një mik i vuri emrin e tij kësaj pjese, në mënyrë që "Homazh për Dideroin" të mund të dilte në skenën e Pragës së pushtuar deri në fund të qëndrimit të rusëve në vend në 1989-ën. Domethënë, për plot 14 vjet.
Kështu, edhe pse jetonte në Francë, Kundera ka pasur gjithmonë përshtypjen, të paktën kështu më ka thënë, se gjithmonë ka qenë i pranishëm në vendin e tij, "falë kostumit të marrë borxh nga Denis Didëroi". Në përmbledhjen tij të ardhshme të eseve, "Une reconte", që do të dalë në shkurt, Kundera shkruan duke evokuar një tjetër shkrimtar çek, një mikun e tij, Josef Skvorecky, një i pasionuar pas xhazit e që sot jeton në Toronto. "Është njëlloj sikur që nga fëmijëria secili prej nesh të mbante brenda vetes vendin e mundshëm të emigrimit.
Gazeta: Shqip
Për mua Franca, për të Amerika e Veriut". Nëse është e vërtetë që në 1975-ën emigracioni në Francë ishte një surprizë e vërtetë për Kunderën (pa pushtimin rus nuk do të isha larguar kurrë nga Çekosllovakia, ka thënë ai), në të njëjtën kohë ishte edhe një ngjarje natyrore, logjike, e nevojshme, e lumtur. Kjo nuk do të thotë se shkrimtari e harroi vendin e tij të lindjes.
Këtë e tregon jo vetëm në romanet e tij, por edhe në jetën e përditshme, përmes një sërë shkrimesh. Në të njëjtën kohë po forcohej gjithmonë e më shumë lidhja me Francën, një lidhje e pashkatërrueshme. Dua t‘ju kujtoj frazën e fundit të shkrimit të tij mbi Skvorecky-n: "Që atëherë, herë pas here çifti Skvorecky shkon për vizitë në Pragë, për t‘u kthyer sërish në atdhe. Në atdheun e adoptuar". Kështu veprojnë edhe bashkëshortët Kundera. Franca e dashur është tashmë atdheu i tyre. Atdheu i mërgimit.